Çfarë falet me paketën e faljes së gjobave dhe detyrimeve tatimore deri në 2025?

20/11/20250

Paketat e faljes së gjobave dhe detyrimeve tatimore paraqiten si ndërhyrje të jashtëzakonshme, të përdorura nga qeveritë për të pastruar stokun e borxheve të vjetra, për të ulur barrën administrative dhe për t’i dhënë tatimpaguesve mundësinë e një ristrukturimi të pastër fiskal.
Në këtë material, paraqitet saktësisht se çfarë falet sipas çdo neni të paketës, ndjekur nga një përmbledhje analitike për efektet reale të kësaj mase.
Le ti analizojmë nenet sipas radhës:

Neni 1 – Çfarë mbulon ligji?
Ky nen përcakton objektin kryesor:

  • Fshirjen ose shuarjen e detyrimeve tatimore të papaguara në sistemin e-tax ose jashtë tij.
  • Fshirjen/shuarjen e detyrimeve të pagueshme në doganë.

Ligji krijon rregulla të detajuara për kategori të ndryshme detyrimesh dhe periudhash, duke sqaruar kush përfiton dhe në cilat kushte.

Neni 2 – Kuptimet dhe përkufizimet
Ky nen përmban të gjitha përkufizimet zyrtare që përdoren në ligj, për të shmangur çdo paqartësi në interpretim.Këto përkufizime garantojnë që zbatimi i faljes të bëhet njësoj për çdo tatimpagues.

Neni 3 – Kush përfiton nga falja?
Ligji përfshin kategori të gjera tatimpaguesish:

  • Tatimpagues aktivë
  • Tatimpagues pasivë
  • Tatimpagues të çregjistruar
  • Subjekte me statuse të tjera në e-tax
  • Debitorë ndaj doganës

Pra, çdo tatimpagues me një detyrim të mbetur të regjistruar në administratën tatimore ose doganore ka mundësi përfitimi, përveç rasteve të përjashtuara në Nenin 4.

Neni 4 – Kush NUK përfiton?
Ky nen shpesh mund të keqkuptohet, ndaj mëposhtë është thelbi i tij.Neni 4 NUK ka lidhje me deklarimet e individëve apo bizneseve ose vonesat e tyre.Ai përcakton vetëm përjashtimet që bazohen në shkelje penale ose në procese gjyqësore tatimore/doganore.

Nuk përfitojnë:

  • Tatimpaguesit/subjektet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale tatimore/doganore.
  • Tatimpaguesit që janë në proces hetimi për çështje tatimore/doganore.
  • Tatimpaguesit me çështje në gjykatë për paraqitje të detyrimeve, përpara ose gjatë kohëzgjatjes së zbatimit të ligjit.

Kuptimi praktik për tatimpaguesin:Nëse ke një detyrim nga gjoba, interes ose principal i zakonshëm → përfiton.Nëse ke një çështje të natyrës penale ose një gjykim të nisur nga organet tatimore/doganore për evazion → nuk përfiton.

Neni 5 – Falja për detyrimet deri më 31 dhjetor 2014
Ky nen është ndër çliruesit më të mëdhenj të stokut:

Fshihen plotësisht:

  • Detyrimet tatimore direkte dhe indirekte deri më 31.12.2014(përjashtohen vetëm kontributet e sigurimeve).

Për sigurimet shoqërore/shëndetësore deri më 31.12.2014:

  • Fshihen 100% gjobat dhe kamatëvonesat
  • Kontributi principal nuk fshihet
  • Përfshihen edhe të vetëpunësuarit në bujqësi

Gjithashtu, për çdo rast ku principali është paguar, të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat fshihen automatikisht.

Neni 6 – Detyrimet 2015–2019 dhe 2020–2024
Ky nen krijon dy mekanizma të ndryshëm për periudha të ndryshme:

1) Për periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019

Tatimpaguesi zgjedh dy opsione:

Opsioni A – Pagesë e menjëhershme deri më 30.06.2026

  • Paguhet 50% i detyrimit
  • 50% fshihet
  • Gjithashtu fshihen 100% e gjobave dhe kamatëvonesave

Opsioni B – Pagesë me këste deri më 31.12.2026

  • Paguhet 75% i detyrimit
  • 25% fshihet
  • Gjithashtu fshihen 100% e gjobave dhe kamatëvonesave

Në të dy opsionet:Nëse principali është paguar, falen vetëm gjobat dhe interesat e mbetura.

2) Për periudhën 1 janar 2020 – 31 dhjetor 2024

Kushti është më i drejtëpërdrejtë:

  • Nëse paguhet 100% i principalit deri në 31.12.2026 → fshihen 100% e gjobave dhe interesave.

Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (2015–2024)

  • Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat
  • Tatimpaguesi duhet të paguajë 100% të kontributit deri më 31.12.2026
  • Në përfitim përfshihen edhe të vetëpunësuarit në bujqësi.

Neni 7 – Falja e detyrimeve të tjera të akumuluara
Ky nen pastron shumë elementë të rëndësishëm teknikë dhe historikë të mbetur në sistem

Fshihen:

  • Detyrimet e tatimpaguesve të çregjistruar (deri më 31.12.2024)
  • Gjoba automatike të sistemit (p.sh. gjoba për deklarime të vonuara)
  • Gjoba për deklarata të padorëzuara, për periudhat deri më 31.12.2024(me kusht dorëzimi i tyre deri më 30.06.2026)
  • Gjoba për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare
  • Gjoba/interesa nga ndryshimi i listëpagesave në periudha të kaluara
  • Gjoba të krijuara nga zbatimi prapaveprues i një akti ose vendimi gjyqësor

Ky nen haset më shpesh në praktikë, pasi lidhet me gjobat procedurale dhe teknike të sistemit.

Neni 8 – Kompensimi me tepricë kreditore
Nëse tatimpaguesi ka:

  • Tepricë kreditore në TVSH
  • Tepricë kreditore në një tatim tjetër

atëherë detyrimi fshihet pasi të zbritet teprica.

Përjashtim bëjnë Kontributet e sigurimeve, të cilat nuk mund të kompensohen me këtë mekanizëm.

Nenet 9–10 – Detyrimet doganore
Rregullat janë të njëjta si për detyrimet tatimore:

Për periudhat deri më 31.12.2014:

  • Fshirje e plotë e detyrimeve doganore

Për periudhat 2015–2019:

  • Pagesë 50% deri më 30.06.2026 → 50% fshihetose
  • Pagesë 75% deri më 31.12.2026 → 25% fshihetGjithmonë fshihen gjobat dhe kamatëvonesat.

Për periudhat 2020–2024:

  • Fshihet 100% e gjobave dhe interesave vetëm nëse paguhet principalin deri më 31.12.2026.

Neni 11 – Detyrimet në ankim administrativ ose në gjykatë
Tatimpaguesi mund të përfitojë nëse:

  • heq dorë nga ankimi administrativ,
  • heq dorë nga padia, ankimi ose rekursi në çdo shkallë gjykimi.

Pas heqjes dorë, ligji lejon mbylljen e detyrimeve sipas kushteve të faljes.

Kush nuk përfiton?

  • Tatimpagues me vendim të formës së prerë pro administratës.

Neni 12 – Pajtueshmëria me kushtet dhe aktet administrative
Tatimpaguesi nuk përfiton faljen nëse:

  • nuk përmbush kushtet brenda afateve.

Administrata nxjerr një akt administrativ për:

  • rastet kur falja pranohet
  • rastet kur falja refuzohet

Aktet duhet të jenë të arsyetuara dhe të njoftohen tatimpaguesit.

Neni 13–15 – Zbatimi, afatet dhe hyrja në fuqi

  • Organet zbatuese janë administrata tatimore dhe doganore.
  • Afatet për zbatimin: 1 janar 2026 – 31 dhjetor 2026.
  • Udhëzimi shpjegues i Ministrit të Financave do të dalë brenda afatit të nenit 14.
  • Ligji hyn në fuqi më 1 janar 2026.

Paketa e faljes së gjobave paraqitet si mjet për:

  • ulje të barrës administrative për tatimpaguesit
  • pastrim të regjistrave tatimorë
  • reduktim të stokut të borxhit të vjetër
  • nxitje për pagesë të principalit real
  • ulje të proceseve gjyqësore

Por, paketa e faljeve, përveç përfitimit për tatimpaguesit:

  • krijon precedent që dobëson disiplinën tatimore nëse përsëritet shpesh
  • mund të interpretohet si shpërblim për mospërputhjen fiskale
  • nuk zgjidh problemet strukturore të administrimit tatimor
  • nuk garanton rritjen afatgjatë të formalizimit

Qasja e rekomanduar nga ALTAX

Këto ndërhyrje duhet të mbeten:

  • të rralla
  • të shoqëruara me forcim të kontrollit
  • të mbështetura në automatizim të proceseve tatimore
  • të orientuara drejt transparencës dhe disiplinës fiskale

Vetëm nëse plotësohen këto kushte, falja e gjobave mund të shërbejë si instrument korrektues dhe jo si mekanizëm i përhershëm që cenon barazinë tatimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *