Kur qeverisja prezanton arritjet si produkt të vetvetes

10/08/20250

Në mënyrë të vazhdueshme, diskursi zyrtar në Shqipëri është ndërtuar mbi një logjikë vetëpërforcuese.
Çdo projekt i ri publik, çdo zhvillim urbanistik, çdo ngjarje ndërkombëtare, prezantohet si produkt ekskluziv i “punës së qeverisë”.
Në thelb të kësaj qasjeje qëndron koncepti i qeverisjes si pronë politike, ku pushteti nuk është një kontratë me shoqërinë, por një instrument për të shpërndarë suksesin brenda rrethit të vet.

Ky model nuk është i ri, por ka arritur sofistikim të ri në epokën e kontrollit të informacionit dhe të prodhimit të imazhit. Qeveria jo vetëm që ndërton narrativën e arritjeve, por dhe zotëron mekanizmin e përhapjes dhe verifikimit të saj, përmes mediave të varura, statistikave të përzgjedhura dhe eventeve me protokoll të fortë vizual.
Ndërkohë që në Tiranë dhe në zona të tjera me interes jo kryesisht publik ndërtohen vepra arkitekturore dhe lajmërohen investime strategjike, realiteti i përditshëm i shumicës së shqiptarëve mbetet i ndarë nga ky zhvillim. Diferencimi territorial dhe social është bërë më i thellë, jo më i vogël me kalimin e viteve.
Zonat periferike të vendit, të cilat nuk kanë as fuqinë elektorale dhe as lidhjet politike për të ndikuar në axhendën publike, nuk përfitojnë me qasje të madhe, as nga investimet infrastrukturore dhe as nga shërbimet bazë.
Komunitetet jo besnike politikisht shpesh mbeten të përjashtuara nga financimet, projektet dhe vendimmarrjet edhe pse retorika politike prezanton të kundërtën. Shpërndarja e fondeve publike, si për bashkitë ashtu edhe për projektet e mbështetjes sociale, ndjek kryesisht një logjikë elektorale, jo të nevojës apo të impaktit.

Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje është fiktive.
Konsultimet publike janë formale, përgjigjet janë të njëanshme dhe zëri i opozitës sociale, akademike apo komunitare është minimizuar ose injoruar.

Mërgata shqiptare, e dashur si burim remitancash, e padëshiruar si faktor vendimmarrës.
Me mbi 1.4 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, remitancat vazhdojnë të jenë një nga burimet kryesore të qëndrueshmërisë ekonomike për konsum, ndërtim, investime dhe stabilitet social.
Por kjo pjesë e kombit shqiptar, që kontribuon financiarisht në mënyrë të drejtpërdrejtë është përjashtuar politikisht dhe institucionalisht.
Mungesa e kanaleve të përfaqësimit institucional për diasporën është një ndër mangësitë më të theksuara të sistemit aktual.
Politikat për angazhimin e diasporës në zhvillim, përfshirjen në fondet publike apo në projekte bashkëpunimi janë kryesisht retorike.
Kjo dërgon një sinjal i qartë për mërgatën: “jeni të mirëpritur si burim valutash, por jo si partnerë në ndërtimin e vendit”.

Autokracia e imazhit apo kur lideri është më shumë se institucioni.
Në sistemin aktual, lideri politik është ngritur mbi institucionet dhe jo brenda tyre. Komunikimi politik zhvillohet si një monolog vertikal, ku fjala e liderit ka fuqi absolute, jo vetëm për të përcaktuar axhendën politike, por edhe për të gjykuar suksesin, dështimin, madje dhe patriotizmin.
Ky model qeverisjeje prodhon:
– Konformizëm institucional, ku zyrtarët ndjekin qorrazi direktivat pa vlerësuar ndikimin real.
– Një sistem klientelist, ku karriera publike dhe fondet lidhen me lojalitetin dhe jo me meritën.
– Stopim demokratik, sepse as qytetari, as ekspertiza, dhe as opozita shoqërore nuk janë më pjesë aktive e qeverisjes.
– Zhvillimi që matet me kilometra rrugë dhe kullat e “qelqit” në kryeqytet është shpesh një simulim i progresit, jo një zhvillim real dhe gjithëpërfshirës.

Ai nuk arrin të prekë:-
produktivitetin e ulët ekonomik të shumicës së bizneseve të vogla;
– informalitetin strukturor që godet punëtorët dhe të rinjtë;
– pabarazitë sociale që po përhapen dhe thellohen.

Një model që prodhon përjashtim, përqendrim të fuqisë dhe shpërndarje të njëanshme të burimeve publike nuk mund të quhet zhvillim demokratik.
Ai është një makineri që ushqehet me perceptim, jo me drejtësi dhe përfshirje.
Në vend të një qeverisjeje që prezanton arritjet si dhuratë nga lart, njerëzit kanë nevojë për një qasje bashkëqeverisëse, të ndërtuar mbi vlera themelore, si:
– Transparencë në shpërndarjen e fondeve publike dhe në vendimmarrje;
– Përfshirje reale të komuniteteve lokale dhe të diasporës;
– Llogaridhënie për vendimet dhe impaktin e politikave;
– Profesionalizëm institucional përtej përkatësisë politike.
Një qeverisje që e sheh qytetarin si partner, jo si spektator, mund të ndërtojë një model të qëndrueshëm zhvillimi, jo fasada, por përparim i vërtetë.

Tre pyetje për reflektim shoqëror dhe politik
A mund të quhet gjithëpërfshirës një zhvillim nga i cili përjashtohen mërgata, periferitë dhe qytetarët jo-lojalë politikisht?
Si mund të ndërtohet një arkitekturë vendimmarrëse që i jep zë të gjithë shoqërisë, jo vetëm liderit?
A është e mundur të kalojmë nga modeli i qeverisjes me performancë, te ai i qeverisjes me përfaqësim?

Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një kontratë të re sociale, jo thjesht një marrëveshje mes qytetarit dhe pushtetit, por një angazhim kolektiv për të rimenduar mënyrën se si qeverisim, si ndajmë të mirat publike dhe si ndërtojmë të ardhmen.
Nuk mjafton që të kemi rrugë të shtruara dhe fasada urbane të ndriçuara, nëse ato nuk pasqyrojnë përmirësim real në jetën e shumicës.
Zhvillimi i qëndrueshëm nuk matet vetëm me shifra, por me ndjesinë e përfshirjes dhe përkatësisë që qytetarët ndiejnë për vendin e tyre.
Nëse përjashtimi, njëanshmëria dhe benikëria politike mbeten kriteret kryesore të përfitimit dhe pjesëmarrjes, atëherë çdo “arritje” zyrtare do të mbetet një realitet i pjesshëm dhe çdo lavdërim, një monolog i vetmisë politike.
Demokracia nuk ndërtohet me spektatorë, por me pjesëmarrës aktivë.
Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë imazh, por ka nevojë për më shumë drejtësi, përfshirje dhe bashkëqeverisje reale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *