
Në një mbrëmje të zakonshme vere, nga një podium në Cërrik, Kryeministri Edi Rama shpalli një plan që në dukje tingëlloi si lajm i mirë për qytetarët.
Qeveria shqiptare do të dalë në bursat ndërkombëtare për të blerë naftë, me qëllimin që kjo të shitet më lirë në tregun vendas dhe të ulë çmimin për konsumatorët.
Një shtet që vesh petkun e sipërmarrësit, për të korrigjuar padrejtësitë e tregut dhe për të mbrojtur qytetarët nga lakmia e oligopoleve.
Por pas kësaj deklarate, fshehet një histori më e gjatë, më komplekse dhe më e rrezikshme se çmimi i një litri naftë.
Në çdo ekonomi tregu, shteti është zakonisht një rregullator. Ai vendos ligjet, mban barazinë e lojës dhe ndëshkon abuzimin. Por në Shqipëri, duket se ai nuk kënaqet më me këtë rol. Tani do të blejë, do të importojë dhe do të shpërndajë naftë, duke hyrë si aktor aktiv në një treg ku dikur duhej vetëm të garantonte konkurrencë të ndershme.
Ky ndryshim roli nuk është pa pasoja.
Kur shteti bëhet edhe lojtar në fushën e lojës që vetë rregullon, lind një konflikt i brendshëm.
Si mund të mbetet i paanshëm një arbitër që shënon edhe gola?
Dhe çfarë ndodh me ato kompani që nuk i përkasin rrethit të preferuar?
Si i ndan shteti sasitë e naftës, me çfarë kriteresh dhe me çfarë çmimesh?
Pikërisht këtu fillon hija e dyshimit dhe aty fillon rrëfimi i kujtesës sonë të shkurtër.
Në vitet e errëta të pas-komunizmit, në një Shqipëri të rrënuar nga mungesa, pasiguria dhe tranzicioni, u shfaq një tjetër projekt “kombëtar”, firma “Shqiponja”, një ndërmarrje shtetërore e krijuar nga qeveria e atëhershme për të siguruar furnizimin me naftë.
Ajo që nisi si një përpjekje për të stabilizuar tregun, përfundoi në një nga skandalet më të mëdha të asaj kohe.
Nafta e “Shqiponjës” nuk mbeti brenda kufijve shqiptarë.
Përkundrazi, ajo u përdor për të thyer embargon ndërkombëtare ndaj regjimit të Millosheviçit në Serbi, në shkelje të ligjeve dhe normave ndërkombëtare.
Përfitimet nuk shkuan tek qytetarët, por në xhepat e zyrtarëve të lartë, përmes një rrjeti të errët korrupsioni dhe kontrabandash.
Nafta që duhej të ishte simbol i shpëtimit u bë mjet i pasurimit dhe i degradimit institucional.
Tani, me pak fjalë të thëna nga një podium lokal, historia duket se rrezikon të përsëritet. Ndryshojnë emrat, ndryshon logoja, por skema mbetet e njëjtë. Një shtet që zë vendin e tregut, në emër të një të mire të përbashkët që rrallëherë arrin tek qytetari.
Problemi nuk është se në Shqipëri mungon nafta.
Të dhënat tregojnë qartë, se nga viti 2020 deri në 2024 janë importuar rreth 3 milionë tonë karburant. Në vitin 2023 u arrit edhe një rekord, mbi 657 mijë tonë naftë e importuar nga jashtë.
Vendi ka karburant.
Ajo që i mungon Shqipërisë është konkurrenca reale.
Kompanitë që dominojnë tregun vendosin çmimet në mënyrë të heshtur, të koordinuar. Diferencat mes tyre janë qesharake.
Nuk ka agresivitet tregtar, nuk ka ulje çmimesh për të fituar klientin.
Tregu duket i gjallë, por në të vërtetë është një skenë e mbyllur ku aktorët luajnë një komedi të paracaktuar.
Përballë kësaj skeme, shteti mund të bënte shumë, duke filluar me forcim të Autoritetit të Konkurrencës, transparencë mbi furnizimet, ulje të taksave të shumta që rëndojnë çmimin final.
Por zgjedh të bëjë më të lehtën, të blejë vetë dhe të hyjë në lojë.
Një zgjidhje që fsheh më shumë rreziqe sesa përfitime.
Sot, për çdo litër naftë që blejmë me 175 lekë, mbi 60% janë taksa. Janë katër taksa kryesore, që bashkë me TVSH-në, akcizën, taksën e qarkullimit dhe atë të karbonit e bëjnë çmimin të rëndë dhe të padrejtë.
Në disa raste, qytetarët e paguajnë të njëjtin shërbim dy herë, një herë në pompë dhe një herë tjetër kur kalojnë në rrugë me pagesë.
Në vend që të rishikojë këtë skemë tatimore absurde, qeveria fshihet pas një plani importi që mbush faqet e gazetave dhe ekranet televizive.
Por qytetari nuk ushqehet me deklarata. Ai paguan me para të vërteta për një shërbim që është përherë i paplotë.
Tregu shqiptar i naftës vajti shumë e shumë vite që ka nevojë për dritë, për transparencë, për rregulla që zbatohen dhe institucione që funksionojnë.
Nuk ka nevojë për një shtet që zë vendin e tregtarit, që lëviz kamionët e vet apo të ndonjë klienti të preferuar dhe më pas shpërndan karburant me një çmim që ende nuk e dimë kush e vendos.
Në një vend ku korrupsioni sistemik është ende plagë e hapur dhe llogaritë publike rrallëherë auditohen në kohë reale, ideja e një operacioni shtetëror për importimin e naftës është më shumë një recetë për abuzim sesa një politikë sociale.
Nëse kjo histori nuk do të përfundojë si ajo e “Shqiponjës”, duhet që çdo litër naftë i importuar nga shteti të jetë i shoqëruar me transparencë të plotë, me kontrata publike, me çmime të zbardhura dhe me monitorim të jashtëm.
Në të kundërt, kjo nuk është më luftë ndaj oligopolit, por transferim i pushtetit të tregut drejt një qeverie që nuk dëshiron ta lëshojë më as skenën, as drejtimin.
Nafta e shtetit mund të ndizet shpejt, por nëse nuk ka kujdes, ajo djeg më shumë sesa ndriçon.
Dhe historia, kur harrohet, kthehet gjithmonë me një tjetër logo, por me të njëjtin zjarr.
