Një “furtunë” që ekspozon dështimin e ndarjes së pushteteve

04/07/20250

Në një akt të papritur, por gjithsesi të përsëritur në stil, Kryeministri Edi Rama vizitoi bashkinë e Vlorës dhe kërkoi dorëheqjen e një sërë drejtuesish lokalë, nga nënkryetarët e Bashkisë te disa drejtorë dhe punonjës të administratës. Kjo lëvizje, e paraqitur si reagim ndaj keqmenaxhimit të sezonit turistik dhe krizës me ujin e pijshëm ka ngritur një pyetje të rëndë për demokracinë vendore në Shqipëri:

– A është kjo qasje në përputhje me parimet e autonomisë vendore dhe ndarjes së pushteteve?

Në fakt është ndërhyrje e pastër politike në një strukturë teorikisht autonome.

Bashkitë në Shqipëri, sipas Kushtetutës dhe ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, gëzojnë autonomi funksionale, organizative dhe administrative. Kjo nënkupton se ekzekutivi qendror nuk mund të diktojë drejtpërdrejt në emërimet, shkarkimet apo funksionimin e brendshëm të bashkive, pa kaluar përmes instrumenteve demokratike që garanton ligji, përfshirë Këshillin Bashkiak si organ mbikëqyrës dhe vendimmarrës i zgjedhur nga vota popullore.

Kur Kryeministri kërkon dorëheqje apo shkarkime të zyrtarëve të një bashkie, pa i adresuar fare Këshillit Bashkiak, kjo përbën jo thjesht një presion moral, por një kapje politike të strukturës vendore, që zhbën frymën e decentralizimit të pushtetit.

Kryetari “kritikohet”, por nuk preket, një kalkulim politik?

Një tjetër aspekt shqetësues është fakti që, ndonëse kryebashkiaku u kritikua publikisht, nuk u kërkua dorëheqja e tij.

Kjo tregon një llogari politike të qartë. Kryetari i bashkisë është zgjedhja personale dhe politike e partisë fituese, vetë PS-së dhe vetë Ramës dhe rënia e tij do të nënkuptonte një dështim institucional në emërimin dhe mbështetjen politike.

Në vend të kësaj, zgjidhet një formë më e lehtë.

Sakrifikohen figurat e dyta dhe të treta në zinxhirin e administratës, ndërsa figura kryesore mbahet e paprekur, një strategji për të shmangur përgjegjësinë e lartë politike ndërkohë që mbahet kontrolli mbi territorin.

Qasje klienteliste dhe morale selektive

Kërkesat për dorëheqje të menjëhershme pa një proces të dokumentuar vlerësimi performance, janë në thelb moralisht selektive dhe jo transparente. Në vend që të aplikohen mekanizmat e ligjshëm të auditimit, të raportimit institucional apo të përfshirjes së qytetarëve dhe Këshillit Bashkiak në vlerësimin e punës së administratës, vendimmarrja vjen si ultimatum vertikal politik, pa llogaridhënie institucionale.

Kjo qasje bie ndesh me Standardet Evropiane për Qeverisjen Vendore, të cilat Shqipëria është zotuar t’i përmbushë, sidomos në kuadër të reformës së decentralizimit dhe agjendës së integrimit në BE.

Në rajon, ndërhyrje të tilla nga liderët e partive në pushtetin vendor janë parë në disa raste, veçanërisht në vende me demokraci të brishtë si Serbia apo Maqedonia e Veriut në vitet e mëparshme, ku qeveria qendrore vendoste drejtorë të shkollave, spitaleve apo drejtorive rajonale përmes emërimesh tërësisht politike, shpeshherë pa respektuar kompetencat vendore.

Megjithatë, në asnjë rast këto ndërhyrje nuk janë bërë kaq haptazi në administratën e zgjedhur vendore, siç ndodhi në Vlorë, ku Rama u shfaq si udhëheqës partiak dhe qeveritar njëkohësisht, duke vepruar si punëdhënësi suprem i çdo hallke të shtetit.

Efekti moral dhe frika si instrument qeverisës

Ndërhyrja e Ramës prodhon një efekt moral me pasoja të mëdha në administratën vendore.

Mesazhi është i qartë!

Të gjithë janë të zëvendësueshëm nëse nuk funksionojnë ashtu si e pret lideri politik, pavarësisht kompetencave të tyre ligjore.

Kjo krijon një klimë frike dhe varësie personale, jo llogaridhënie institucionale.

Në thelb, nuk bëhet fjalë për përmirësim shërbimi për qytetarët, por për përshtatje me një model kontrolli vertikal, ku besnikëria politik vlen më shumë se performanca reale.

Në një kohë kur decentralizimi dhe vetëqeverisja vendore duhet të ishin shtylla të reformës së administratës publike, ndërhyrja e Ramës në Vlorë dëshmon të kundërtën.

Pushteti lokal vazhdon të jetë një zgjatim i vullnetit të pushtetit qendror, jo një strukturë autonome dhe demokratike që i përgjigjet qytetarëve të vet.

Nëse duam një qeverisje moderne dhe evropiane nuk mund të pranojmë që një kryeministër të drejtojë si kryetar bashkie, si drejtor administrate dhe si sekretar partie njëkohësisht.

Kjo nuk është reformë, por regres institucion, i paketuar si performancë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *