Pse Partia Socialiste fitoi mandatin e katërt?

04/07/20250
Një analizë e thelluar përtej retorikës politike

Fitorja e një mandati të katërt radhazi nga Partia Socialiste në Shqipëri përbën një zhvillim të rrallë në një sistem demokratik parlamentar, ku rotacioni i pushtetit zakonisht perceptohet si shenjë e shëndetit politik. Në historinë e pas ‘90-s, asnjë forcë politike nuk kishte arritur të ndërtojë një cikël kaq të gjatë qeverisës pa ndërprerje, çka e bën këtë fitore jo vetëm një çështje zgjedhore, por edhe një pasqyrim i një marrëdhënieje të re politike midis qytetarit dhe pushtetit.
Kjo ndodhi në një kohë sfiduese për Shqipërinë si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Nga njëra anë, vendi përballej me kriza ekonomike të shumëfishta, si: rritja e çmimeve, mungesa e besimit te shërbimet publike, emigrimi masiv i të rinjve dhe ndjesia e stagnimit social. Nga ana tjetër, Shqipëria gëzonte një moment të favorshëm në arenën ndërkombëtare me imazh të konsoliduar si partnere strategjike e NATO-s, si vend kandidat aktiv për anëtarësim në BE dhe si aktore e përfshirë në iniciativat rajonale për stabilitetin dhe integrimin.
Pikërisht ky kontrast i brendshëm dhe i jashtëm e bën mandatin e katërt të PS-së një objekt studimi të thelluar, për të kuptuar jo thjesht si u fitua një palë zgjedhje, por si u struktura besimi i mjaftueshëm për të mbajtur pushtetin për më shumë se një dekadë në një vend me demokraci të brishtë dhe polarizim të thellë politik.
Në këtë kontekst, analiza nuk mund të ndalet vetëm te dështimet e opozitës apo te avantazhet e pushtetit, por duhet të eksplorojë më gjerë.

Çfarë i bindi qytetarët shqiptarë të zgjedhin vazhdimësinë përpara ndryshimit, cilat janë faktorët kulturorë, ekonomikë, organizativë dhe gjeopolitikë që ndikuan në vendimmarrjen elektorale, dhe mbi të gjitha, çfarë tregon kjo për vetë natyrën e demokracisë shqiptare sot?

Stabiliteti dhe parashikueshmëria si vlerë mbizotëruese në kontekstin politik dhe social shqiptar
Në kushtet e një klime të vazhdueshme pasigurie ekonomike, pas krizave të njëpasnjëshme globale dhe me një ndjenjë të theksuar të mungesës së perspektivës afatgjatë, qytetari shqiptar është orientuar gjithnjë e më shumë drejt kërkimit të stabilitetit si një formë mbijetese sociale. Në këtë realitet, stabiliteti politik nuk perceptohet më thjesht si qetësi institucionale, por si një mekanizëm vetëmbrojtës nga tronditjet, si ato ekonomike, ashtu edhe ato kulturore apo shoqërore.
Partia Socialiste ka ditur të ndërtojë dhe të përcjellë në mënyrë të qëndrueshme një narrativë politike që e lidh qartë vazhdimësinë e saj në pushtet me ruajtjen e rendit, sigurisë dhe kursit euroatlantik të vendit. Ky diskurs është përforcuar në mënyrë sistematike përmes krahasimit me pasigurinë që do sillte rotacioni, duke artikuluar idenë se çdo ndërprerje e pushtetit ekzistues do të përbënte një kthim prapa, një kërcënim për integrimin evropian, madje edhe për funksionimin e shtetit.
Kjo qasje është bërë veçanërisht e kapshme për grupet më të lidhura me shtetin dhe politikat publike, si punonjësit e administratës, përfituesit e ndihmës ekonomike, mësuesit, pensionistët dhe një pjesë e biznesit të vogël që operon në varësi të kontratave publike ose stabilitetit të tregut vendor. Në sytë e këtyre qytetarëve, eksperimentimi politik nuk është një luks që mund të përballohet, ndaj edhe vazhdueshmëria e qeverisjes, pavarësisht kritikave është konsideruar më e leverdishme sesa risku i panjohur që mund të sjellë ndryshimi.
Në thelb, ajo që fitoi zgjedhjet nuk ishte vetëm një forcë politike, por vetë ideja e parashikueshmërisë, e një shteti që, edhe me të metat e tij, nuk i lë qytetarët “në ajër” në kohë paqartësie. Dhe kur politika shihet jo si instrument ndryshimi, por si garanci kundër rrënimit, vota shkon për atë që premton më pak lëkundje, jo domosdoshmërisht më shumë shpresë. Kjo e shpjegon pse për një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë, mandati i katërt i PS-së ishte më shumë një akt mbijetese sesa një entuziazëm politik.

Një makineri politike e disiplinuar, ku organizimi dhe kontrolli i komunikimit si armë elektorale
Fitorja e mandatit të katërt nga Partia Socialiste nuk mund të kuptohet pa analizuar mekanizmin e brendshëm të funksionimit të saj politik, që ndër vite është kthyer në një strukturë të mirëorganizuar dhe shumë efikase në menaxhimin e mesazhit publik dhe marrëdhënies me qytetarin. Nën drejtimin e kryeministrit, PS ka ndërtuar një model të centralizuar komunikimi, ku çdo narrativë zyrtare filtrohet dhe shpërndahet në mënyrë të unifikuar, duke shmangur kontradiktat dhe duke ruajtur qartësi politike.
Përdorimi i teknologjisë, veçanërisht platformave si E-Albania ka ndihmuar në krijimin e një perceptimi se shteti është më i aksesueshëm dhe më efikas, edhe nëse përfitimet reale janë të pabarabarta. Krahas kësaj, rrjeti lokal i partisë, nga qendrat urbane deri në njësitë më të vogla administrative, ka funksionuar si një strukturë e mirëpërgatitur për mobilizimin elektoral, shpërndarjen e informacionit dhe ruajtjen e kontaktit të vazhdueshëm me elektoratin.
Ky organizim kontraston fort me fragmentimin, mungesën e kohezionit dhe paqartësinë programore të opozitës, e cila nuk arriti të krijojë as bindje, as koherencë. Ndërkohë, Partia Socialiste ofroi një imazh të kontrolluar, të disiplinuar dhe të vendosur, që për shumë qytetarë u perceptua si garanci stabiliteti dhe serioziteti qeverisës. Në këtë mënyrë, efikasiteti organizativ dhe kontrolli mbi komunikimin nuk ishin thjesht teknikë politike, por instrumentë të drejtpërdrejtë të bindjes dhe konsolidimit të besimit në vijimësinë e pushtetit.

Nuk ishte vetëm dobësia e opozitës, por mungesa e një alternative reale dhe funksionale
Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2025 nuk mund të shpjegohet thjesht me përçarjen e opozitës, por më shumë me dështimin e saj për të ndërtuar një vizion të besueshëm për të ardhmen. Opozita nuk arriti të ofrojë një rrëfim politik që të kapë realitetin e përditshëm të qytetarëve, duke u kufizuar në denoncime të vazhdueshme dhe në ripërsëritjen e kauzave të kaluara. Në një kohë kur elektorati kërkon zgjidhje për çështje konkrete si punësimi, arsimi, kujdesi shëndetësor apo kostoja e jetesës, retorika boshe dhe mungesa e platformave të qarta i dhanë opozitës imazhin e një force që kritikon, por nuk ofron.
Krisjet e brendshme, mungesa e lidershipit me integritet dhe tërheqës, si dhe rikthimi te figura të konsumuar dhe pa legjitimitet moral, thelluan më tej mungesën e besimit. Qytetari mesatar nuk pa tek opozita një opsion të besueshëm për të marrë drejtimin e vendit, duke e bërë më të lehtë zgjedhjen për vazhdimësi, edhe në mungesë të entuziazmit të madh për pushtetin aktual.
Në këtë kuptim, dështimi i opozitës nuk ishte vetëm organizativ, por konceptual: ajo nuk ofroi një alternativë funksionale dhe mobilizuese, dhe si rrjedhojë nuk ishte në gjendje të artikulojë shpresë të re, as për ata që kërkojnë ndryshim, as për ata që kërkojnë siguri.

Faktorët socio-kulturorë dhe struktura e votes, një lidhje e fortë me shtetin dhe patronazhin
Në pjesën më të madhe të territorit, veçanërisht në bashkitë e vogla dhe zonat rurale, vota mbetet një akt i lidhur ngushtë me rrethin social, ekonomik dhe klientelist. Mbi të gjitha, partitë nuk konkurrojnë vetëm për ide, por për ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e votuesve. Partia Socialiste ka ndërtuar dhe ruajtur ndër vite një rrjet të dendur patronazhi lokal, të mbështetur në punësime publike, projekte infrastrukturore dhe asistencë sociale. Këto ndërhyrje, të shpërndara në mënyrë të targetuar, kanë krijuar një bazë të gjerë elektorale të varur nga pushteti, ku vota është më shumë një mjet mbijetese se sa një zgjedhje ideologjike.
Në një realitet ku shteti për shumë qytetarë mbetet punëdhënësi kryesor, vendimmarrja elektorale bëhet e parashikueshme: vota shkon atje ku ruhet rendi, kontinuiteti dhe mundësia për të qëndruar brenda sistemit të mbijetesës sociale.

Mandati i katërt si pasqyrim i një modeli të konsoliduar të menaxhimit politik
Fitorja e katër mandateve radhazi nuk mund të reduktohet vetëm në dobësinë e opozitës apo përdorimin e resurseve publike. Ajo është shprehje e një modeli të konsoliduar të menaxhimit politik, ku komunikimi, organizimi dhe ndërtimi i rrjeteve sociale dhe shtetërore janë kthyer në instrumenta të fuqishëm qeverisës. Partia Socialiste nuk ka thjesht një strategji elektorale, ajo ka ndërtuar një ekosistem politik, i cili siguron mbështetje përmes kontrollit të institucioneve, mediave dhe përfaqësimit lokal.
Në sytë e shumë qytetarëve, ajo përfaqëson njohurën, stabilitetin dhe parashikueshmërinë, sidomos në një periudhë globale të mbushur me pasiguri. Në mungesë të një alternative të artikuluar dhe me kredibilitet, qytetari mesatar zgjedh të mos rrezikojë. Jo sepse është i kënaqur, por sepse është i lodhur dhe i pasigurt.
Kjo zgjedhje e bën më të qartë se kurrë faktin se politika shqiptare nuk udhëhiqet ende nga ideologjia apo programet, por nga një marrëdhënie e thellë dhe shpesh e ndërsjellë varësie mes shtetit dhe qytetarit. Vota, në këtë rast, nuk është thjesht një akt demokratik, por një strategji mbijetese.
Në këtë dritë, mandati i katërt i Partisë Socialiste nuk është vetëm fitore politike, por një simptomë e thellë e mënyrës sesi funksionon kontrata sociale në Shqipëri: jo mbi bazën e besimit te ndryshimi, por mbi nevojën për stabilitet, mbrojtje dhe qasje në burime publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *