
Zgjedhjet 2025: Vota që kërkon llogari përmes anatomisë së një zgjedhjeje ekonomike
Konteksti i përgjithshëm zgjedhor – Pjesëmarrja dhe struktura e rezultatit
- Numri total i zgjedhësve = 3,467,962
- Votuan 1,458,251 zgjedhës → Pjesëmarrje ~ 42.21%
- Vota të vlefshme = 1,402,820 → Përqindje e lartë e vlefshmërisë (~96%)
- Dominanca e PS = 52.2% e votave → rreth 780 mijë vota dhe 83 mandate
- PD-ASHM = 34.2% → rreth 503 mijë vota dhe 50 mandate
- Forcat e vogla politike kanë marrë ~11% të votave në total, por me shpërndarje jo proporcionale në mandate.
Mesazh i parë thelbësor!
Pjesëmarrja e ulët nënkupton një mosangazhim të gjerë qytetar, ndoshta për shkak të zhgënjimit, mungesës së alternativave konkrete ekonomike, ose mosbesimit tek sistemi politik.
Vetëm 42.2% e shqiptarëve votuan: Krizë besimi apo krizë ekonomike?
Me vetëm 1.45 milion zgjedhës që morën pjesë në votime nga një listë prej mbi 3.46 milion, Shqipëria përjetoi një nga pjesëmarrjet më të ulëta në dekadën e fundit. Kjo nuk është thjesht një shifër zgjedhore është një votë mosbesimi ndaj sistemit politik, ku shumë qytetarë mendojnë se asnjë alternativë nuk ofron ndryshim real ekonomik.
PS ruan pushtetin me 52.2% duke u bazuar te një votë për stabilitet dhe jo domosdoshmërisht për ndryshim.
Socialistët morën rreth 780 mijë vota dhe 83 mandate. Ajo që bie në sy është se fitorja vjen në një kontekst të pjesëmarrjes së ulët dhe me një klimë ekonomike të ngarkuar nga inflacioni, pabarazia dhe emigracioni masiv.
Për një pjesë të elektoratit, kjo është një votë për vazhdimësinë, e motivuar nga frika ndaj pasigurisë dhe një opozitë që ende nuk përçon besueshmëri të plotë.
Analiza e Votës Ekonomike: Çfarë “thotë” vota për ekonominë?
a. Shumica hesht – Votuesi ekonomik refuzon të flasë me votë
Mbi 2 milion shqiptarë nuk votuan. Kjo heshtje nuk është indiferencë, por një refuzim aktiv për t’u përfshirë në një sistem që perceptohet si:
- jo përfaqësues për interesat ekonomike të qytetarëve të zakonshëm
- i përqendruar tek elitizmi politik dhe mungesa e transparencës buxhetore
- i paaftë për të ndalur eksodin ekonomik
b. Vota për PS si mandat i katërt
Fitimi i një mandati të katërt radhazi nga PS, me një pjesëmarrje relativisht të ulët, tregon se një pjesë e madhe e votuesve e konsiderojnë stabilitetin dhe vazhdimësinë më të rëndësishme se ndryshimin edhe pse ekonomia shqiptare përballet me:
- mungesë rritjeje gjithëpërfshirëse
- zhvillim të përqendruar në disa qarqe
- pabarazi në shpërndarjen e të ardhurave dhe aksesit në shërbime publike
Kjo mund të përkthehet si një votë për “siguri” dhe jo domosdoshmërisht për “progres”.
c. Opozita me 34.2% nënkupton kritikë, por pa energji mobilizuese.
Me 34.2% të votave kuptohet se një pjesë e elektoratit është kritik ndaj situatës aktuale ekonomike, por alternativa e propozuar nga opozita nuk ka qenë bindëse për të nxitur një pjesëmarrje më të lartë ose për të fituar zonat kyçe.
Koalicioni PD-ASHM arriti rreth 503 mijë vota dhe 50 mandate, një rezultat që tregon se ka një kontingjent të qëndrueshëm kritik ndaj qeverisjes, por që nuk arrin të kthehet në shumicë, për shkak të mungesës së një alternative të qartë ekonomike.
d. Forcat e reja marrin 130 mijë vota duke kuptuar se kemi frymë të re, por është e shpërndarë. Lëvizjet si “Nisma – Shqipëria Bëhet”, “Mundësia” dhe “Lëvizja Bashkë” arritën të thyejnë barrierën e përfaqësimit me rreth 8% të votave kombëtare, por me pak mandate.
Mesazhi i tyre shpesh ishte më i fokusuar te:
- drejtësia sociale
- rishikimi i sistemit tatimor
- rindërtimi i shtetit të mirëqenies
Lëvizje si “Nisma – Shqipëria Bëhet”, “Lëvizja Bashkë”, “Mundësia” që morën me dhjetëra mijë votat në total, nënkupton një rritje të interesit për alternativa që flasin për drejtësi sociale, shtet garantues, dhe reforma ekonomike gjithëpërfshirëse.
Këto vota, ndonëse të vogla në numër janë vota ekonomike të vetëdijshme, shpesh të motivuara nga diskursi për barazi, drejtësi fiskale dhe qasje të re në ekonominë kombëtare. Vota për këto forca është vota e votuesve ekonomikë të zhgënjyer, që nuk gjejnë më përfaqësim në partitë tradicionale.
Mesazh i dytë thelbësor!
Vota ekonomike e shqiptarëve është e fragmentuar mes konservatorizmit të stabilitetit dhe dëshirës për një sistem më të drejtë ekonomik, por asnjëra palë nuk ka ofruar një platformë gjithëpërfshirëse, të komunikueshme dhe të matshme për shumicën.
e. Emigrantët mbeten potencial i heshtur
Me afro 195 mijë votues potencialë jashtë vendit emigrantët mbeten të papërfaqësuar realisht. Ky grup ka ndikim të madh ekonomik përmes remitancave, por mbetet politikisht i nënvlerësuar dhe teknikisht i penguar për të ndikuar realisht në rezultatin zgjedhor.
Pa përfaqësim të drejtpërdrejtë (si mandate të rezervuara për diasporën), vota e emigrantëve rrezikon të bëhet “statistike” dhe jo politike.
Emigrantët për here të parë votuan, por nuk duket se do ndikojnë në jetën politike të 4 viteve të ardhme.
Emigrantët nuk duhen konsideruar thjesht ndihmues financiarë dhe vota për partitë, pasi ata janë aktorë politikë me interes legjitim për zhvillimin e vendit.
Edhe pse ky process vetëlavdërohet nga dy partitë e vjetra, përjashtimi i emigrantëve nga agjenda kombëtare deri më sot është i dukshëm edhe pse janë kontribuues kyç për ekonominë
Mesazh i tretë thelbësor!
Vota ekonomike mungon masivisht nga grupet që ndjejnë më së shumti peshën e mungesës së reformave – të rinjtë, të papunët, emigrantët, bizneset e vogla – duke krijuar një hendek mes politikës zyrtare dhe realitetit ekonomik.
Çfarë kërkon votuesi ekonomik sot?
Zgjedhjet e fundit në Shqipëri nuk janë thjesht një betejë mandateve. Ato përfaqësojnë një pasqyrë më të thellë të dilemat sociale dhe ekonomike të votuesit shqiptar, të cilat po artikulohen gjithnjë e më shumë përmes votës (ose mungesës së saj). Këto zgjedhje i japin prioritet një figure që po bëhet dominuese në peizazhin politik: votuesi ekonomik — qytetari që e sheh votën si një akt për të ndikuar në mirëqenien, drejtësinë dhe sigurinë e përditshme.
Kërkesat kryesore të votuesit ekonomik të lexuara nga vota e tyre është për:
1. Stabilitet institucional
Votuesi ka kërkuar siguri, edhe në kushtet e mosbesimit. Partia Socialiste përfitoi nga frika e pasigurisë politike, duke u ofruar qytetarëve një vazhdimësi që u perceptua më pak e rrezikshme sesa ndryshimi i paqartë. Kjo është një votë për rendin dhe jo domosdoshmërisht për përmbajtjen e politikave.
2. Reformë në drejtësinë fiskale dhe në shërbimet publike
Qytetarët janë gjithnjë e më të ndërgjegjshëm për ngarkesën e padrejtë tatimore, barrën e tarifave vendore dhe cilësinë e dobët të shërbimeve publike. Vota është një thirrje për barazi kontribuese dhe eficiencë shpenzuese, jo thjesht për projekte infrastrukturore pa ndikim real.
3. Rishpërndarje më të drejtë të të ardhurave publike
Pabarazia rajonale dhe sociale po rritet. Votuesi ekonomik kërkon një shtet që jo vetëm grumbullon të ardhura, por i shpenzon ato me drejtësi, duke ndihmuar shtresat më të dobëta dhe territoret më të varfra.
4. Ndërhyrje më të forta kundër pabarazisë dhe abuzimeve me fondet publike
Korruptimi i shërbimeve dhe klientelizmi në tendera janë perceptuar gjerësisht si burim i pabarazisë. Votuesi ekonomik kërkon llogaridhënie, jo vetëm transparencë formale.
5. Qasje e re ndaj emigracionit
Emigrantët nuk duan të trajtohen si nostalgjikë me flamur në dorë, por si investitorë, qytetarë dhe aktorë politikë të barabartë. Pjesëmarrja e tyre e ulët, e kufizuar dhe shpesh e vonuar në votim është një tregues i mosadresimit të plotë të këtij potenciali zhvillimor.
Ndërkohë, sfidat për analizën politike dhe ekonomike lidhen me:
Së pari me kuptimin e motivimit ekonomik përtej shifrave. Analiza politike nuk duhet të kufizohet në leximin e përqindjeve. Ajo duhet të depërtojë në motivimet reale që e bëjnë qytetarin të zgjedhë një forcë politike ose të largohet nga kutia e votimit. 42% pjesëmarrje është një shifër që nuk flet vetëm për apati, por për mosbindje të heshtur ndaj ofertave aktuale politike.
Së dyti, kërkohet ekonomi konkrete, jo slogan electoral. Shumë forca politike nuk arritën të paraqesin agjenda të matshme, të kostozuara dhe të besueshme. Kjo dëmton vetë besueshmërinë e përfaqësimit dhe e largon votuesin ekonomik nga procesi.
Nevoja për kuptim të ri të Votuesit
Vota ekonomike në këto zgjedhje është një sinjal ambig, por i fuqishëm. Pjesëmarrja e ulët sugjeron zhgënjim dhe mosbesim, ndërsa mbështetja e pjesshme për forcat e reja tregon se ka hapësirë për një narrativë të re ekonomike që përfshin drejtësi sociale, transparencë fiskale dhe përfshirje reale qytetare.
Zgjedhjet e fundit na tregojnë se votuesi shqiptar po zhvillohet, duke u zhvendosur nga emocionet ideologjike drejt interesit të përditshëm ekonomik. Ai nuk kërkon premtime të mëdha, por logjikë të drejtë dhe përfitim konkret nga politika publike. Forcat që duan të fitojnë besimin e tij duhet të kuptojnë:
- Nuk mjafton të flasësh për “rritje”, por të tregosh si shpërndahet ajo rritje;
- Nuk mjafton të thuash “për emigrantët”, por të krijosh mekanizma që ata të përfaqësohen realisht;
- Nuk mjafton të premtohet “drejtësi sociale”, por të tregohet se si do të realizohet ajo, për kë dhe me çfarë buxheti.
Në këtë kuptim, vota e heshtur është një alarm: ose politikat ekonomike bëhen të prekshme dhe të drejtëpërdrejta, ose besimi do të vazhdojë të zhduket bashkë me votën.
- agenda ekonomike
- besimi publik
- depolitizimi i shërbimeve
- dëshira për ndryshim
- elita politike
- emigracioni si aset
- forcat e reja politike
- heshtja elektorale
- kapja e shtetit
- komunikim elektoral
- llogaridhënie politike
- mosvotues pasiv
- pabarazi ekonomike
- partitë tradicionale
- përfaqësim i munguar
- psikologjia e votës
- reforma fiskale
- remitanca dhe vota
- rritje e ndjeshme e çmimeve
- shërbime publike
- stabilitet institucional
- vota ekonomike
- votuesi kritik
- zgjedhës aktiv
