Në analizën tonë për situatën e ekonomisë dhe buxhetit të shtetit ne gjykojmë se sfidat kryesore me të cilat është ndeshur ekonomia shqiptare dhe do të duhet të konsiderohen në adresimin e tyre në vitin 2025 janë në mënyrë të përmbledhur:
Balancimi i presioneve të jashtme dhe prioriteteve të brendshme
Në këtë kuptim, presionet e jashtme përfshijmë:
(a) ndryshimet ekonomike të vendeve partnere, si pjesë e ndryshimeve globale. Shqipëria do të jetë e ndikuar nga ndryshimet në ekonominë globale, përfshirë mundësitë dhe sfidat që lindin nga pasiguria financiare globale, si dhe ndikimi i inflacionit dhe çmimeve të energjisë. Luhatjet e çmimeve të energjisë dhe ndikimi i krizave globale mund të krijojnë tensione të mëdha në tregjet e brendshme dhe të dëmtojnë fuqinë blerëse të familjeve shqiptare.
(b) kriteret e integrimit të Shqipërisë në BE edhe pse janë një objektiv strategjik afatgjatë, kërkojnë reforma strukturore për çdo vit, përfshirë përmbushjen e kritereve të Bashkimit Europian. Kjo kërkon përkushtim të vazhdueshëm në zbatimin e politikave që përputhen me standardet e BE-së dhe angazhimin për përmirësimin e qeverisjes dhe të drejtësisë.
Ndërsa, te prioritetet e brendshme ne kemi përfshirë:
(a) politikat e brendshme për zhvillim ekonomik. Shqipëria duhet të fokusohet në përmirësimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe ndihmën për sektorët produktivë dhe ata që ofrojnë vlerë të shtuar. Investimet në sektorë si bujqësia, prodhimi dhe energjia e rinovueshme janë thelbësore për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të balancuar.
(b) shpërndarja e burimeve dhe barazia sociale. Një prioritet i rëndësishëm është përpjekja për të reduktuar varfërinë dhe për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët. Kjo përfshin mbështetje për shtresat më të cenueshme dhe investime në sektorët që krijojnë mundësi punësimi dhe rritin cilësinë e jetesës për qytetarët.
Inflacioni i ndikuar nga zhvlerësimi euros dhe stabiliteti ekonomik
Presionet inflacioniste janë një shqetësim i madh, veçanërisht nëse ato ushqehen nga çmimet e energjisë (energjia elektrike, nafta, gazi) dhe forcimi i pajustifikuar i monedhës vendase. Këto ndikojnë drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve, duke i bërë ata më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të çmimeve dhe mund të rrisin pasigurinë sociale. Politikat monetare dhe fiskale duhet të fokusohen në kontrollimin e inflacionit dhe mbrojtjen e nivelit të jetesës për qytetarët.
Politikat për kontrollin e inflacionit duhet të jenë të menaxhuara në mënyrë që të mbështesin sektorët vulnerabël, të tilla si ato që kanë lidhje me energjinë dhe mallrat e konsumit të përditshëm. Kjo mund të realizohet duke përdorur mekanizma mbështetës, si subvencionet e energjisë dhe mbështetje për produktet bazë, për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset të përballojnë rritjen e çmimeve.
Financimi i qëndrueshëm dhe projektet e infrastrukturës
Së pari është rëndësia e financimit të jashtëm dhe burimet nga BE. Financimi nga BE dhe burimet ndërkombëtare do të luajnë një rol kyç në mundësimin e realizimit të projekteve të mëdha infrastrukturore, si dhe të nismave për energjinë e gjelbër. Ky financim mund të nxisë Shqipërinë të realizojë projektet e nevojshme për modernizimin e infrastrukturës dhe për përmbushjen e standardeve të BE-së.
Nëse financimi është i pamjaftueshëm ose vonohet, kjo mund të ngadalësojë realizimin e reformave dhe të pengojë progresin ekonomik, sidomos në sektorë të rëndësishëm si shërbimet publike dhe transporti.
Së dyti janë politikat për financimin dhe infrastrukturës. Shqipëria duhet të përqëndrohet në sigurimin e financimeve të qëndrueshme për projektet afatgjata, duke përfshirë ndihmën nga bankat ndërkombëtare dhe mundësitë e financimit të jashtëm. Ky financim duhet të përdoret në mënyrë të menaxhuar dhe të orientuar, duke u siguruar që projektet që financohen të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës.
Reforma e qeverisjes dhe tërheqja e Investimeve të Huaja Direkte (IHD)
Reformat e qeverisjes janë thelbësore për të garantuar një shpërndarje të drejtë dhe efikase të burimeve dhe për të ndihmuar në krijimin e besimit të publikut. Administrata publike duhet të jetë transparente, e përgjegjshme dhe e aftë për të implementuar reformat që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe social.
Tërheqja e Investimeve të Huaja Direkte (IHD) është me shumë peshë për të diversifikuar ekonominë dhe për të ulur varësinë nga sektori turistik dhe bujqësia, Shqipëria duhet të krijojë një klimë të favorshme për investitorët e huaj. Reformat në administratën e biznesit dhe përmirësimi i sistemit të drejtësisë janë të nevojshme për të siguruar një mjedis të përshtatshëm për investime.
Politikat mjedisore dhe kapacitetet administrative
Në respekt të mjedisit, i cili ka pësuar mjaft dëmtime dhe me ndikim në dëm të ekonomisë dhe shëndetit të familjeve tashmë nevojitet që të synohet me politika direkte dhe financime të nevojshme të arrihet balancimi midis ambicieve dhe pragmatizmit.
Politikat mjedisore do të duhet të vendosin një ekuilibër midis ambicies për të përfituar nga iniciativat e gjelbra dhe pragmatizmit për të siguruar financim dhe burime të mjaftueshme. Shqipëria ka mundësi të zhvillojë energjinë e rinovueshme dhe të përfitojë nga projekte mjedisore që i shërbejnë integrimit në BE, por kjo kërkon kapacitete financiare dhe administrative të forta për të mbështetur realizimin e këtyre projekteve.
Forcimi i nstitucioneve të drejtësisë dhe zbatimi i ligjeve anti-korrupsion
Korrupsioni është një pengesë për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve.
Ajo që sugjerohet nga ana jonë në sinkron me qasjen e gjithë monitoruesve të qeverisjes dhe politikës është përmirësimi i plotë i transparencës, forcimi i institucioneve të drejtësisë dhe zbatimi i ligjeve anti-korrupsion.
Zbatimi i politikave më të rrepta për luftimin e korrupsionit do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të favorshëm për investime. Kjo përfshin forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe rritjen e transparencës në administratën publike.
Prioritizimi i strategjive për prodhimin vendas, barazinë sociale dhe reformat e qeverisjes do të jenë elementët thelbësorë që do të mundësojnë një rritje ekonomike dhe sociale të qëndrueshme, duke ndihmuar Shqipërinë të përballet me presionet e jashtme dhe të realizojë qëllimet e saj për zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim në Bashkimin Evropian.
Në tërësinë e gjithë atyre që ne përzgjodhëm për tu shprehur mendojmë se nevojitet:
- Diversifikimi i bazës ekonomike dhe përkrahja e Inovacionit
Ekonomia shqiptare mbështetet shumë te remitancat, turizmi dhe sektorët me vlerë të ulët të shtuar (mineralet dhe tekstilet). Kjo varësi e bën ekonominë vulnerabël ndaj krizave që mund të ndodhin në këto industri, siç ishte pandemia COVID-19 që ndaloi turizmin. Diversifikimi e bën ekonominë më elastike ndaj tronditjeve globale dhe krijon vende pune më të qëndrueshme për të rinjtë. Po ashtu, rrit konkurrueshmërinë e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.
Çfarë duhet bërë?
Së pari, mbështetja e sektorëve dhe aktiviteteve të reja. Stimulimi i sektorëve si teknologjia, bujqësia e qëndrueshme dhe energjia e pastër. Shqipëria ka një potencial të madh për zhvillimin e energjisë së rinovueshme si hidrocentrale, energji diellore dhe eolike.
Së dyti, investimi në inovacion. Krijimi i inkubatorëve për startup-e, qendra kërkimore dhe partneritete mes universiteteve dhe industrisë. Mbështetja e startupe-ve dhe investimeve në teknologji për të integruar Shqipërinë në ekonominë digjitale globale kërkon një fokus të shtuar. Kjo strategji kërkon një plan të qartë dhe mbështetje nga qeveria, duke ofruar stimuj për inovacionin dhe investimet në këto sektorë pas një analize të plotë për pengesat deri më sot.
Së treti, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm. Diversifikimi i ofertës turistike duke promovuar turizmin kulturor dhe natyror. Krijimi i politikave që stimulojnë prodhimin për zëvendësimin e importeve janë ato që kërkohen për të reduktuar deficitin tregtar.
Ne sugjerojmë në investime në sektorë të rinj dhe strategjikë, si: teknologjia e informacionit, përpunimi agro-industrial (bujqësia smart), energjitë e rinovueshme dhe teknologjia për të krijuar punësim dhe të ardhura më të qëndrueshme janë mjaftueshëm drejtime që optimizojnë zhvillimin dhe koordinimin e potencialeve të fjetura dhe pashfrytëzuara ndër vite.
Burimet e nevojshme mund të gjenden si nga Fondet IPA dhe programet europiane si Horizon për kërkim dhe inovacion, por po ashtu edhe nga partneritetet me organizatat ndërkombëtare, krijimin e fondeve të investimit dhe zhvillimit për të zhvilluar energjinë e rinovueshme dhe teknologjitë e gjelbra.
- Promovimi i eksporteve
Eksportet shqiptare nuk janë konkurruese në rajon dhe janë të përqendruara në disa produkte bazike me vlerë të ulët të shtuar.
Por, një forcim i agresivitetit të diplomacisë ekonomike duhet të synojë përmbylljen e synimeve për hapjen e tregjeve të reja, veçanërisht në Lindjen e Mesme, Azinë Juglindore dhe Afrikë.
Ne sugjerojmë se qasja duhet adresuar te mbështetja për sektorët që kanë potencial për rritje në tregjet ndërkombëtare, përmes subvencioneve dhe përmirësimit të infrastrukturës.
- Përmirësimi i cilësisë dhe ulja e kostos së infrastrukturës
Një infrastrukturë me cilësi të dobët pengon zhvillimin ekonomik. Investimet në rrugë, porte dhe infrastrukturën dixhitale po e rrisin lidhshmërinë dhe po e lehtësojnë aktivitetin ekonomik, por përmbushja e objektivave të transportit është larg të shërbyerit si një katalizator ekonomik me peshë ndikuese.
Nëse kostot do të jenë më të ulta, do të krijonin hapësirë për një infrastrukturë moderne dhe të kompletuar me të gjithë përbërësit duke shërbyer si një faktor kyç për investitorët e huaj që kërkojnë vende me mundësi të mira për të investuar.
Krijimi i rrjetit të duhur rrugor, energjetik dhe dixhital e mundëson zhvillimin ekonomik dhe lidhjen më të mirë me tregjet ndërkombëtare duke balancuar ambiciet me mundësitë.
Duhet një bashkëpunim midis sektorit publik dhe atij privat për të siguruar financimin dhe realizimin e projekteve të infrastrukturës, por me kushtin e një transaprence të plotë dhe llogaridhënie për fondet e planifikuara dhe shpenzuara.
- Reforma në qeverisje dhe lufta kundër korrupsionit
Reformat në qeverisje dhe lufta kundër korrupsionit janë thelbësore për të rritur besimin e qytetarëve dhe investitorëve. Investimi në reforma strukturore ndihmon në rritjen e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë ekonomike. Kjo është një periudhë ku duhet të krijohen kushte për funksionimin e institucioneve të pavarura dhe të besueshme, veçanërisht në drejtësi dhe administratën publike.
Lufta kundër korrupsionit duhet menaxhuar si një aksion serioz dhe i koordinuar me bazë të gjerë. Në këtë drejtim kjo mund të ndihmojë për të ndaluar praktikat e korruptuara dhe për të garantuar që resurset publike shpenzohen për qëllime të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.
Rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë do të forcojë besimin e qytetarëve në institucione dhe do të nxisë investimet e huaja direkte (IHD).
- Investimi në arsimin dhe kapitalin njerëzor
Shqipëria po përballet me emigracion masiv, veçanërisht të të rinjve dhe profesionistëve, që po dobëson tregun e punës dhe bazën e saj të kapitalit njerëzor. Investimi në kapitalin njerëzor është i domosdoshëm për zhvillimin afatgjatë të një ekonomie të qëndrueshme. Një forcë punëtore e arsimuar dhe e motivuar krijon një bazë për inovacion dhe rritje ekonomike. Po ashtu, politikat e propozuara përmirësojnë cilësinë e jetës, rrisin punësimin dhe nxisin barazinë sociale.
Për më tepër, sistemi arsimor nuk është i përshtatur me nevojat e tregut.
Çfarë duhet bërë?
Së pari, reforma në arsim. Përshtatja e kurrikulave universitare dhe profesionale me sektorët me kërkesë të lartë si teknologjia, inxhinieria dhe bujqësia moderne.
Së dyti, fuqizimi i programeve për rikthimin e trurit. Krijimi i stimujve për profesionistët shqiptarë që të rikthehen nga diaspora, si grante për projekte inovative dhe politika tatimore të favorshme.
Së treti, fuqizimi i shërbimeve shëndetësore. Rritja e investimeve në infrastrukturën shëndetësore për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe për të ndaluar emigracionin shëndetësor është me ndikim për besueshmërinë në cilësinë e jetës dhe mirëmbajtjen e kapitalit njerëzor.
Burimet e nevojshme gjenden si nga bashkëpunimi me agjenci ndërkombëtare si UNDP për programe zhvillimi të kapitalit njerëzor, por po ashtu edhe nga fondet nga BE për zhvillimin e arsimit profesional dhe kërkimit shkencor.
Këto masa janë të përputhshme me kërkesat për integrimin në BE dhe ndihmojnë në tërheqjen e fondeve dhe investimeve ndërkombëtare.
Ky orientim nuk është vetëm zgjedhja e drejtë, por një domosdoshmëri për të transformuar ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në një model më të drejtë dhe të qëndrueshëm.
- Politikat mjedisore dhe energjia e gjelbër
Shqipëria ka mundësi të pasura për të zhvilluar energjinë e rinovueshme dhe të përfitojë nga iniciativat e gjelbra, por kjo kërkon kapacitete të forta financiare dhe administrative. Duke u mbështetur në burimet natyrore dhe përfitimet e mundshme të BE-së, Shqipëria mund të rrisë investimet në energji të pastër dhe infrastrukturë ekologjike.
Përgatitja e kapaciteteve administrative. Shqipëria duhet të ndërtojë kapacitetet e duhura për të zbatuar politikat mjedisore, të sigurojë mbështetje për investimet dhe të mbikëqyrë realizimin e qëllimeve të energjisë së rinovueshme.
Në vitin 2025, Shqipëria mund të arrijë një progres të rëndësishëm nëse e ndihmon veten për të adresuar sfidat kryesore që ka, përfshirë korrupsionin, administratën e dobët dhe varësinë nga disa sektorë.
Për të realizuar këtë, duhet të bëhen ndryshime të thella dhe reforma strukturore në të gjitha nivelet e administratës dhe të biznesit.
Angazhimi i qëndrueshëm dhe investimi në sektorët kryesorë të ekonomisë, bashkë me një politikë mjedisore të menaxhuar mirë, mund të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm.
Megjithatë, sfidat e financimit, korrupsionit dhe mungesa e implementimit të politikave mund të pengojnë përparimin nëse nuk janë adresuar në mënyrë efikase.
Zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë shqiptare në vitin 2025 duhet të bazohet në një strategji të diversifikuar që merr parasysh potencialet dhe sfidat e sektorëve të ndryshëm, përfshirë turizmin, ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme, prodhimin dhe energjinë.