Procesi Berlinit – 10 vite: Shumë shpresë dhe besim, pak ndikim në integrimin ekonomik dhe politik
Procesi i Berlinit, filloi si një qsje për rritje dhe zgjerim të kapaciteteve demokratike, ekonomike dhe ndërlidhëse midis vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në pamjen e parë do të shërbente si një “shkollë nate” apo një model qeverisje part time (me kohë të pjesshme) për lidershipin politik dhe ekonomik ballkanik.
Kjo qasje e liderëve mbështetës të BE-së vërehet te synimi fillestar i Procesi i Berlinit, që të zgjaste vetëm katër vite. Megjithatë, këtë vjeshtë, nisma feston 10 vjetorin e saj.
Samitet që janë mbajtur çdo vit që nga viti 2014 kanë shtuar fusha të reja prioritare në axhendë, duke krijuar konferenca të reja të ministrave dhe fusha fokusi.
Një dekadë pas nisjes së procesit, tani ka konferenca vjetore mbi bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimin e të rinjve, sigurinë, dixhitalizimin, energjinë e gjelbër, bujqësinë, si dhe romët dhe çështjet gjinore.
Pra, në pamje të parë Procesi i Berlinit prek të njëjtët tema që përfshihen në kapitujt që vendet ballkanike duhet të negociojnë për tu anëtarësuar në BE.
Edhe pse ka patur një angazhim dhe ecuri konstante në krijimin e strukturave dhe kapaciteteve për të arritur angazhimin, duket se samiti i vitit 2023 në Tiranë krijoi një hap më të plotë në hyrjen në një fazë demokratike dhe ekonomike shumë më të konsoliduar.
Me plotësimin e strukturave për zbatimin e projekteve politike dhe ekonomike të Procesit të Berlinit, hapi i parë konsolidues është përjashtimi i projektit të Ballkanit të Hapur duke prerë qasjet abuziviste të disa liderëve ballkanikë për të personalizuar procesin në favor të krediteve politike personale dhe partiake.
Hapi i dytë i fortë është kushtëzimi i asistencës financiare me projekte serioze, gjithpërfshirëse dhe integruese të rajonit drejt tregut të përbashkët europian.
Marrëveshjet e reja tregtare dhe tejkalimi i pengesave përfaqësuese në to (rasti i Kosovës) e bëjnë më solid besimin e përbashkët të të gjitha vendeve te ky proces duke rritur shanset që të mos mbetet kryesisht në letër dhe projekte gjysmake.
Pra në këtë 10 vjetor të kësaj nisme me shumë drejtime të rëndësishme shikojmë se është ndërtuar një platformë gjithëpërfshirëse për të rritur bashkëpunimin dhe integrimin ekonomik rajonal në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga sa kuptohet, Procesi i Berlinit është shumë më i vlerësuar për fuqinë e tij ndërkombëtare të bërjes bashkë te vendeve të përçara ballkanike dhe duke tentuar përparimin me marrëveshjet dhe reformat kyçe për vendet e rajonit.
Edhe pse pas vitit 2023 janë vendosur synime ambicioze, duke përfshirë një “thellim” të tregut të përbashkët ballkanik, përafrimin e Axhendës së Gjelbër me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, nxitjen e zhvillimit të biznesit për investitorët e mundshëm dhe përmirësimin e bashkëpunimit për çështje që variojnë nga infrastruktura e transportit, deri te qëndrueshmëria e sigurisë kibernetike dhe menaxhimi i emigracionit dhe krimi i organizuar duket se përkrah secilit vend po alokohen edhe burimet e nevojshme për përmbushjen e tyre.
Në 10 vjetorin që po konkludohet sot me takimin e vendeve ballkanike, bazuar edhe te raporti specifik për këtë qëllim[1] duket se vjen me një qëndrueshmëri ndaj sfidave të vështira të viteve të fundit ndaj katastrofave shëndetësore dhe natyrore, ndaj sfidës së emigrimit grryerës të perspektivës, ndaj sfidave të tranzicionit të gjelbër ekonomik. Por nga ana tjetër nuk është kjo tendencë për progres të qëndrueshëm në lidhje me lëvizshmërinë e kapitaleve, prodhimeve dhe njerëzve, apo ndryshe tregtinë ndërkufitare dhe integrimin plotësues dhe konkurues të ekonomive, tërheqjes së kapitaleve të lira brenda rajonit, përmirësimit dhe transformimit strukturor të ekonomive dhe eksporteve, afrimit të standarteve të lirisë ekonomike dhe ambjentit ekonomik dhe fiskal me standarte e BE-së.
Por, ashtu si përmendet edhe në fjalën e Ministrit të Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar[2], konkluzioni 10 vjeçar i procesit të berlinit, apo pritshmëria në një periudhë jo shumë të largët duhet të jetë:
Ne duhet të krijojmë më shumë vende pune për të rinjtë, duke frenuar ‘ikjen e trurit’ që dëmton ekonominë e një vendi.
Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë përparim në të drejtat e grave dhe vajzave si pjesë e përmirësimeve më të gjera në qeverisjen e të drejtave dhe sigurimit të shoqërive pluraliste demokratike. Jo vetëm sepse kjo është gjëja e duhur për të bërë, por sepse është gurthemeli i përpjekjeve tona për të krijuar një rajon më paqësor, më të qëndrueshëm dhe më të begatë.
Këto rezultate të pritshme duhet të kalojnë pikërisht nga bashkëpunimi ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor duke:
- shërbyer si promovim për anëtarësim të mundshëm në BE.
- përfituar nga “e drejta e autorit” që secili shtet ballkanik e ka të qartë prej shpalljes së “Planit të Rritjes”,
- gjithpërfshirë problemet më të rëndësishme ekonomike dhe sociale në rajon,
- përfshirë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërshtetërore dhe rritjen e stimujve politikë.
Në një mbyllje të Samitit të Berlinit 2024 duket se tashmë autorësia e zj. Merkel, si nismëtare e këtij procesi është deleguar te 6 drejtuesit e shteteve ballkanike, edhe pse do të ishte e drejtë që kjo autorësi të rifreskohet me disa emra të rinj, pasi pjesa kryesore e problemeve të deritanishme nuk vijnë nga njerëzit, por nga këta drejtues dhe politikat e tyre.
[1] https://www.german-economic-team.com/wp-content/uploads/2024/09/GET_ALL_PS_01_en_2024-1.pdf
[2] https://www.gov.uk/government/speeches/berlin-process-summit-2024-minister-doughty-intervention