Sipas intervistave dhe sondazheve të kryera jo vetëm nga ALTAX, por si një përmbledhje e gjithë gjetjeve nga autorë të ndryshëm, nisur edhe nga statistikat e fundit emigrimi vijon të jetë i lartë. Nga analizat tona gjatë vitit 2023, duket se arsyet kryesore të emigrimit, por edhe migrimit të brendshëm janë:
- Ekonomia (standard jetese të ulët, mungesa e një tregu pune që mirëpaguan dhe hap perspektiva aftësimi dhe qëndrueshmërie, si dhe një sistem pensioni joefektiv dhe mjaft i papërshtatshëm për jetesë dinjitoze)
- Edukimi (edukim joefektiv dhe cilësor për të konkuruar lehtësisht në tregjet e huaja dhe bizneset me pagesa të larta, si dhe kosto e lartë e arsimit me përfitim të ulët të cilësisë dhe aftësimit të brezit të ri)
- Shëndetësia (kosto e lartë e shërbimeve dhe cilësi e ulët e tyre bashkë me trajtimin me medikamente)
- Politike dhe sociale (mirëqenie më të mirë, bashkime familjare, bashkëjetesa, martesa, mungesa e stabilitetit politik, korrupsioni i lartë, cilësia e jetesës, humbja e besimit te qeverisja dhe politika, si dhe mungesa e perspektivës për karrierë dhe jetë dinjitoze)
Nisur nga arsyet e migracionit duhet të shprehemi se ai nuk është një çështje e trajtimit të lëvizjes kufitare dhe të brendshme të shtetasve, por është e lidhur ngushtë me trajtimin e arsyeve që në masë të madhe janë të natyrës ekonomike dhe sociale.
Ndryshimet e fundit në demografi dhe nisur nga faktorët shtytës të migrimit shihet se janë të ndryshëm me vetëm 10 vite më parë[1] duke u reflektuar edhe në strukturën sociale dhe demografike dhe në cilësinë e rrjedhës së saj. Dëshira për të migruar tani është më e lartë midis kategorive të mëposhtme: të rinjtë në të 20-at, ata që janë më të arsimuar dhe më të kualifikuar, ata që janë të punësuar me të ardhura mesatare-të larta.
Ky zbulim mund të shpjegohet me shanset më të mëdha të punësimit që u ofrohen atyre që janë shumë të arsimuar nga standardet e tregjeve të punës të vendeve të përparuara ekonomike, arsimore dhe sociale e kulturore. Njëkohësisht, ky rezultat tregon edhe se njerëzit e arsimuar dhe të kualifikuar nuk janë të kënaqur me perspektivat e punësimit dhe me kushtet e punës në Shqipëri[2].
Nga gjithë efektet që vijnë nga këto levizje migratore të brendshme, si dhe tendenca e një emigracioni që sheh pak ulje duket se ka dhënë edhe efekte të pakënaqshme në disa drejtime.
Së pari është pakësimi i njerëzve në inventarin më të rëndësishëm të një vendi, atë të regjistrit të shtetasve. Ndikim kryesor janë largimet, por edhe lindshmëria, e cila është ulur. Në të kanë ndikuar po ato faktorë që kanë ngjashmëri me ndikimin për migrim (ekonomia familjare/individuale, politika sociale, politikë e polarizuar), përveçse ndikohet nga vetë migrimi dhe emigrimi direkt, për arsye se të larguarit përbëjnë familje të plota ose individë që emigrojnë për mundësi punësimi dhe të ardhurash të larta.
Së dyti është efekti i mbajtjes së një tregu pune të destabilizuar. Lëvizja migratore ka ndikim negativ në grupmoshat e reja dhe fuqinë punëtore, e cila për arsye të migracioni është mjaft e lëvizshme. Migrimi i brendshëm është i prirur që të ofrohet drejt tregjeve jo vetëm të brendshme, por edhe jashtë vendit për pagesa më të mira të vlerës së punës.
Si faktorë të brendshëm janë faktorët ekonomikë që kanë ndikuar në largimin e familjeve drejt zonave ekonomike me mundësi më të mira jetese, por kjo është e lidhur edhe me pjesëmarrjen në tregun e punës dhe ekonominë zonale, që reflekton dhe gjendjen e përgjithshme e ekonomisë (të ardhurat /frymë), që kanë ndikimin kryesor në këtë deviancë, por edhe vullneti politik që ndryshon me kalimin e viteve.
Si faktorë të jashtëm janë kushtet e favorshme ekonomike në vendin e destinacionit, perspektiva e pagave më të larta, si dhe mundësive më të mira të punësimit, edukimit për moshat e reja, si dhe krijimi dhe rritja e kapitaciteteve dhe kursimeve për të siguruar të ardhmen
Problemi i migrimit ka filluar prej pak vitesh të ndihet edhe më shumë në bizneset vendore, ashtu si në gjithë vendin, për arsye të largimit të specialistëve të ndryshëm në sektorin privat dhe publik, që kërkojnë një pagesë të lartë të aftësive të tyre në tregun e huaj. Në këtë rast, Bashkitë në koordinim me institucionet rajonale dhe ato qëndrore duhet të sensibilizojnë nisma për një marëdhënie të re midis punëdhënësve dhe punëmarrësve për rikualifikimi të pagës dhe indeksim të saj sipas edhe kushteve aktuale të ekonomisë nën inflacion, si premisa për fillimin e një reformimi të Kontratës Sociale egzistuese.
Së treti është rrudhja e bazës konsumatore, si një kontribuese kryesore në ekonomi dhe zhvillimin ekonomik. Nëse nuk ka një politikë kombëtare për adresimin e ngërçit të sistemit të pagave në sektorin privat, e cila vlen për so, por më shumë për të ardhmen, atëherë kjo qasje e munguar do të krijojë probleme për konsumin bazik dhe atë që lidhet me pjesën e investimeve të qëndrueshme të familjeve dhe bizneseve.
Vlera e shtuar në ekonomi përgjatë 2017 – 2023 shihet të ketë patur luhatje dhe me një ecuri të ulët dhe aspak shpresëdhënëse për të ardhmen, nëse shikojmë si është e shpërndarë në strukturën e saj nëpër rajone. Ekonomia e rajoneve shqiptare është e mbizotëruar në masë nga ekonomi të vogla bujqësore e blegtorale dhe pak ekonomi që lidhet me pasuritë e paluajtshme apo me burimet nëntokësore/natyrore aty ku natyra është treguar bujare. Kjo ekonomi nëpër rajone më së shumti mbahet nga pagat e administratës vendore dhe ato qendrore me shtrirje rajonale. Por e gjithë kjo panoramë e ekonomisë së mbetur në kushte anemike nuk arrin dot të prodhojë optimizëm për mirëqenie të lartë në të ardhmen.
Ndërkohë, në mungesë të një brezi të mirëpaguar dhe që me këtë rast ka mundësi të kursejë (dhe kjo nuk varet vetëm nga niveli i pagave, por edhe nga mbajtja e standarteve të punës së denjë), ndikimi i politikave kombëtare dhe programet vendore janë pak të efektshëm. Më së pari këto programe politike duhet të azhornohen me ndryshimet për të frenuar një largim të ardhëm jashtë vendit.
Nga treguesit statistikorë ka patur vijimësi në rritje të të ardhurës për frymë në bashkitë e ndryshme të vendit, por rritjet e të ardhurave duket se plotësohen në masë të madhe nga remitancat dhe punësimet sezonale të banorëve jashtë vendit. Rritja e të ardhurave për frymë në këtë nivel tregon për një trend zhvillimi të mirëqenies në standarte që nuk munden të përballojnë së pari shtrenjtimin e jetesës (nisur nga rritja e çmimeve, kostove të jetesës në tërësi), si dhe së dyti shpresën për të pretenduar për një mirëqenie të rritur. Nga sondazhet tona për vitet 2022 – 2023 nga qytetarët e bashkive në zona të ndryshme të vendit, perceptohet se zhvillimi ekonomik ka patur rritje të pandjeshme për familjet, e cila është në të njëjtën kohë e pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet e ndryshme për vijimësinë e bizneseve të vogla apo edhe shpenzimeve në rritje për arsim dhe kursime.
Disa mendime që ne i kemi përmendur edhe në raportet tona[3] po i vendosim shkurtimisht më poshtë:
Edhe pse institucionet e ndryshme kanë ndërtuar mekanizma për të monitoruar këto boshllëqe në tregun e punës dhe në gjithë ata faktorë ndikuesë të përmendur më lart duket se sinkronizimi i tyre dhe koordinimi për të arritur deri te përdoruesit I është lënë më shumë rastësisë.
Strategjitë sektoriale kombëtare të kaluara[4] dhe ato të reja[5], si dhe strategjitë e zhvillimit vendor në parandalimin e migrimit dhe të nxitjes së ofertës së punësimit duhet të përditësohen nëpërmjet reagimit të qeverisjes vendore dhe zërit qytetar të organizuar. Politika kryesore zhvillimore për nxitjen e ekonomisë së qëndrueshme dhe si rrjedhojë edhe punësimit cilësor është qëndrueshmëria politike dhe zhvillimi ekonomik bazuar te gjithpërfshirja,
Lind nevoja, që së pari strategjitë sektoriale kombëtare dhe politikat vendore në funksion të diversifikimit dhe zhvillimit të një ekonomie drejt eksportit duhet aktivizuar nëpërmjet politikave të ndërlidhura dhe të azhornuara qendrore dhe vendore.
Nga gjithë sa përmendëm për migrimin ne do të sugjerojmë një përshtatje edhe të investimeve kapitale nga buxheti i shtetit dhe bashkia/të për të rritur ndërhyrjen pikërisht në minimizimin e faktorëve ndikuesë për migrimin edhe me paketa plotësuese, si një pjesë mjaft jetike tashmë për Zhvillimin e qëndrueshëm të vendit
Qeveria qendrore duhet të ofrojë paketa duke aktivizuar qeverisjen vendore nëpërmjet ndryshimit të qasjes në praktikë të Strategjisë për migrimin edhe më konkrete për rininë, por edhe gjithë grup moshat që janë më të predispozuarit për të emigruar, në drejtim të ofertave:
– për adresimin e arsyeve ekonomike në formë paketash për punë të qëndrueshme në sektorë që bazohen te produktiviteti,
– për adresimin e arsyeve të edukimit si mundësi aftësimi, praktikë në degë të nevojshme në tregun konkurues,
– për akomodimin e shërbimeve të duhura dhe sipas kërkesës specifike të sektorit shëndetësor e social, si dhe
– mundësi për angazhim në politikëbërje dhe për ti mbajtur të lidhur me qytetin e tyre edhe garanci kreditimi për strehim dhe krijim familje të re.
Në këtë mes skemat duhet të koordinohen me shoqërinë civile, me organizatat e biznesit, si dhe në fund të ndërlidhen nëpërmjet pushtetit vendor dhe drejtorive rajonale të qeverisjes qendrore duke i reformuar edhe më tej shërbimet e ndryshme brenda një oferte të personalizuar të fuqizuar.
Natyrisht që problemi i migracionit ka nevojë për analiza të thelluara dhe studime të dedikuara sipas tipit të problematikave dhe ndërthurjes me jetën e përditshme, por në të gjithë këtë qasje ne synojmë nxitjen për të filluar një dialog kombëtar në formën e llogaridhënies për mundësimin e qeverisjes së hapur.
[1] njerëzit e pakualifikuar dhe shpesh të papunë ishin kryesisht ata që kërkonin mundësi punësimi në punë të pakualifikuara në Greqi dhe në Itali, ndërsa ata që ishin të arsimuar dhe që e kishin një profesion kishin më shumë besim në integrimin në tregun shqiptar të punës
[2] https://openspace.etf.europa.eu/sites/default/files/2021-10/Albanian%20version.pdf
[3] https://altax.al/shop/?orderby=date&paged=1
[4] https://mb.gov.al/wp-content/uploads/2021/02/Strategjia-Kombëtare-për-Migracionin-dhe-Plani-i-Veprimit_2019-2022.pdf
[5] https://konsultimipublik.gov.al/documents/RENJK_676_relacioni-Strategjia-KM.pdf