Në pamje të parë duket se tashmë kur kemi hyrë në 6-mujorin e dytë të 2023 nuk ka shanse për rritje të çmimeve më tej. Ky perceptim mbështetet për së jashtmi te treguesi i inflacionit zyrtar në vend, i cili ka rënë në 4.7%, duke iu larguar niveleve të vitit të kaluar. Por, ndërsa paguajmë me lekë në dorë në vend të çmimeve me Euro, deri më sot të toleruara nga institucionet financiare duket se informaliteti dhe paraja informale nuk po i lënë hapësirë uljes së çmimeve. Ndërkohë edhe pse frika e qeverisë për një performancë pesimiste për ekonominë është larguar dhe vetë Banka e Shqipërisë është ndjerë më e rehatuar nga efekti prej rritjes së normave të interesit, shumica e popullsisë dhe pjesa formale e ekonomisë po ndjen shumë barra mbi vete duke filluar nga rritja e kostos e deri te korrupsioni i nivelit të lartë që ka rritur çmimet e tij.
Problemi është se efekti i inflacionit nuk është zbutur vërtet. Rritja e çmimeve tashmë është përhapur me një bazë më të gjerë. Kështu që, pagat publike dhe private, si dhe pensionet bashkë me pakot që u rritën me rreth 7% në vit te fundit me zor mund të quhen edhe më tej rritje. Për ekonominë edhe pse tronditja e çmimeve të energjisë dhe karburanteve është zbehur, inflacioni bazë i tyre ka vijuar kokëfortë dhe frustrues.
Ndërkohë, Ministria e Financave në Shqipëri po tregon kujdes me shpenzimet e buxhetit, në ndryshim me të gjithë botën e pasur, ku shumë qeveri po i shtojnë benzinë zjarrit inflacionist duke mbartur deficite buxhetore të një shkallë që zakonisht shihet gjatë rënieve të thella ekonomike.Rritja e normave të interesit rrezikon stabilitetin financiar në vendet anëtare më me borxhe të eurozonës, veçanërisht në Itali, partneren kryesore tregtare.
Investitorët po shpresojnë që bankat qendrore të mund ta kthejnë inflacionin në objektivat e tyre prej 2% – 3% pa shkaktuar një recesion.
Por historia sugjeron se ulja e inflacionit do të jetë e dhimbshme dhe me kohëzgjatje.
Për më tepër, forcat e brendshme që shtyjnë inflacionin në vend ka të ngjarë të forcohen duke përfituar nga situata që pak kontrollohet nga institucionet e amortizuara nga korrupsioni dhe mosmbajtja e përgjegjësisë ligjore. Kjo situatë institucionale kaotike, që deri para pak vitesh kishte disa mekanizma funksionalë të monitoruara nga Njëshi i qeverisë duket se janë lënë të harruara njësoj si premtimet që përmbushen me shumë vonesë dhe nuk përbëjnë më interes për shumicën e tregut dhe njerëzve.
Por, ekonomia dhe buxheti shqiptar janë në udhëkryq me prishjen e status quo-së së raporteve politike brenda Ballkanit në muajt e fundit. Tashmë nevojitet të rishikohen marrëveshjet tregtare për të zëvendësuar zinxhirët efikas të furnizimit aktual me ato që garantojnë një siguri afatgjatë edhe pse mund të jenë fillimisht të kushtueshme. Kërkesat ndaj portofolit publik për të shpenzuar për çdo gjë, nga subvencionet tek mbrojtja vetëm sa do të intensifikohen.
Banka Qendrore zotohet se është e vendosur për të përmbushur objektivat e saj. Ajo duke rritur normat mundet të ketë ndikuar mjaftueshëm kërkesë për të ulur inflacionin.
Por kostot e nxitjes së një politike anti inflacion së bashku me presionet afatgjata mbi inflacionin, sugjerojnë një skenar tjetër. Banka Qendrore duhet të përpiqet të shmangë rritje tjetër të normës së interesit vetëm për të arritur objektivat e saj dhe në vend të kësaj duhet te studiojë një skenar ku mundet që të jetohet me inflacion më të lartë se sa objektivi i politikës aktuale monetare, le të themi 4%.
Nga ana tjetër nevojitet te ndryshohet qasja e qeverisjes, pasi modeli aktual i saj nuk ka mundur tu përgjigjet kërkesave te ligjshme per shtresat dhe ekonominë nevojtare. Fakte për këtë qasje i kemi përmendur me tepri në analizat dhe studimet tona dhe të ekspertëve të tjerë.
E gjithë kjo situatë aktuale është pasqyra ku shikohemi dhe vërejmë se programet politike dhe qasja elektorale ka dështuar kohë më parë në kuadrin e një reformimi shumëplanësh. E gjithë situata e viteve të fundit përmblidhet në më shumë veprime dhe masa që nuk ndërlidhen me efektivitet me njera-tjetrën dhe të kryesuara nga korrupsioni në nivele nga lart-poshtë. Kjo qasje ku mungesa e ekspertizës brenda institucioneve është në limitet e mbijetesës gjithnjë e më tej po dëmton performancën ekonomike afatgjatë duke vijuar në paaftësinë për ta bërë Shqipërinë asgjë më shumë se një vend me te ardhme ekonomike të paqartë.
Tani qeverisja ka treguar se nuk mund të kryejë as përgjegjësinë e parë dhe më të madhe të një lidershipi, për të garantuar sigurinë e shtetit duke ekspozuar vendin dhe njerëzit ndaj rrezikut të veprimtarive me bazë informalitetin dhe pastrimin e parasë me mbështetje politike.
Pavarësisht nëse amortizimi i modelit qeverisës vjen së shpejti, ose pas muajsh apo vitesh, ai po shfaqet si një gabim për drejtimin e vendit dhe do të tregonte përgjegjësinë politike që ti bashkohej elitës politike në ikje.
Për më tepër, në një botë ku pushteti është gjithçka, Njëshi i qeverisë tani duket si një lider i dobësuar, pikërisht nga shpërdorimet e mundësive dhe burimeve.
Një duzinë individësh që i shërbejnë si një përmbledhje e gjithçkaje që është e kundërta e sistemit që duam, tashmë janë mburoja besnike që përdoret per alibinë e disa nga veprimeve më të rënda brenda dhe jashtë vendit.
Mënyra si po e përdorin shtetin, burimet e tij dhe pasuritë e vendit dhe kontributin e njerëzve po tregojnë sa janë gërryer agjencitë publike nën drejtimin e gabuar.
Në këtë moment duket sikur nga gjithë ky model korruptimi të pushtetit do të shikojmë një situatë dobësie të qeverisjes Rama. Realiteti politik dhe perceptimi qytetar është se mbijetesa e qeverisë, madje edhe në momente më të dobta se sot, mund të vijojë për një kohë të gjatë nëse nuk ka alternativë të dukshme dhe nëse ka ende shumë individë që po mbijetojnë në politikë në krahun e një fryme të vjetër dhe helmuese.
Megjithatë, dy faktorë po punojnë kundër modelit te qeverisjes aktuale. I pari është vetë qeverisja me veprimet dhe pamaturitë e saj. Kundërofensiva e realitetit ekonomik vazhdon të bëjë përparim të qëndrueshëm dhe kjo është një valë në rritje që po afrohet ngadalë ditës së përballjes në mungesë të llogaridhënies dhe gjithpërfshirjes.
Teoria e mbijetetesës jo vetëm të kësaj qeverisje është se nëse gjithshka që kërkon Perëndimi dhe aleatët strategjikë vlerësohet si e përmbushur në tërësi, atëherë me vetëm pak problematika te vogla kjo nuk i prish qetësinë mbijetesës së qeverisë.
Me këtë rast, për gjithë pjesën masive që nuk pajtohet me këtë model qeverisje, nëse sfidat e reja dhe te vjetra nuk po arrijnë përparimet që nevojiten dhe të programuara prej shumë kohësh, atëherë përgatitja e votuesve për shkëputjen prej modelit aktual është ajo që duhet te jetë objektivi kryesor i shoqërisë civile të pakapur, individëve që po humbasin nga ky model dhe të rinjve qe kanë ambiciet e duhura për ta çuar përpara pa korrupsionin galopant.
Problemi i dytë është ekonomia.
Vitin e kaluar ajo u mbajt mirë, falë çmimeve të naftës dhe artikujve të konsumit që u rritën kur filloi lufta në Ukrainë. Këtë kosto e pagoi shtresa e varfër e popullsisë, shtresa e mesme dhe bizneset që përbëjnë shumicën e numrit të bizneseve.
Paratë qe furnizojnë pjese të ndryshme të ekonomisë informale, përfshirë edhe ndërtimin kanë vazhduar dhe qeveria ka ende mjaft para pas marrjes së borxheve brenda dhe jashtë vendit. Megjithëse rritja ekonomike është e paqëndrueshme, gjithsesi një krizë ekonomike duket e pamundur të paktën këtë vit.
Megjithatë, Njëshi i qeverisë nuk ka gjithë burimet për përmbushjen e programit politik ashtu si e dëshiron për të furnizuar makinerinë propagandistike elektorale.
Të ardhurat nga paratë e pista që janë përdorur me shumicë gjatë 2022[1] si nga prurje nga jashtë vendit, por edhe ato që janë të padeklaruara në sistemin formal brenda vendit, si dhe ato që priten të vijnë nga nismat ligjore për legalizimin e kanabisit për qëllime eksporti etj.[2] mund të mos përmbushen sipas planit.
Hendeku midis shpenzimeve të qeverisë (duke përfshirë kostot e mëdha të infrastrukturës) dhe të ardhurave do të zgjerohet edhe pse mbajtja e Lekut të mbiçmuar mund të ndihmojë llogaritë e buxhetit dhe statistikat zyrtare që tashmë shikohen me dyshim edhe nga studimi për daljen e Eurobondit shqiptar[3].
Por në tregun shqiptar, Leku ka humbur pothuajse 20% të vlerës së tij në krahasim me vitin e kaluar.
Kjo formë e mbajtjes së treguesve duke përdorur instrumente me ndikime afatshkurtër mund të duken pozitive në pamje të parë, por shumë negative për shumicën e qytetareve dhe ekonomisë prodhuese.
[1] 34.7% e investimeve të huaja ose të konvertuara në 475 milion Euro vijnë nga juridiksione pastrimi parash
[2] Lojrat e fatit, kriptomonedhat, mosveprimi i institucioneve
[3] https://www.rns-pdf.londonstockexchange.com/rns/5872C_1-2023-6-13.pdf