Lehtësimi i buxhetit nga e kaluara dhe e tashmja mëkatare

13 Shtator, 20220

Ndërsa pandemia së pari dhe inflacioni së dyti vazhdojnë të ndikojnë në ekonominë e përditshme është e rëndësishme që njerëzit të rivlerësojnë prioritetet e tyre për t’u siguruar që po shpenzojnë për gjërat që janë më të rëndësishme për ta. Meqenëse inflacioni gërryen fuqinë blerëse, kjo është veçanërisht e vërtetë për tu analizuar dhe komentuar.

Duke marrë për bazë se familjet me dy persona pa fëmijë (përgjithësisht nga familjet e pensionistëve) shpenzojnë jo më pak se 44.9% vetëm për ushqime dhe 3.6% për pije alkoolike e duhan, vetëm nga kjo rritje e inflacionit me një mesatare 7 mujore prej 10.3%, atëherë pesha monetare e rritur në buxhetet e tyre është me të paktën 3.700 lekë/muaj, por pa përfshirë këtu kostot e tjera të jetesës (transport, arsim, shëndetësi, mirëmbajtje banese, qera, etj.) të rritura. Nëse shtojmë edhe koston e rritur të transportit, të shpenzimeve për shëndetësi, për arsim, për veshje, për mirëmbajtje banese dhe të tjera (hotele, kafe, restorante), atëherë llogaritjet na tregojnë se nevojiten edhe të paktën 1.800 lekë të tjera shtesë nga efekti i “taksës” së inflacionit. 

Tashmë, sipas krahasimit të rritjes së çmimeve me rritjen e të ardhurave për pagat, pensionet dhe mbështetjen sociale është fakt i thjeshtë për tu vërejtur se rënia e të ardhurave reale ka zhdukur të gjithë rritjen e pagave që nga viti 2012, si dhe rritjen e pensioneve nga 2002. Për mbështetjen sociale krahasimi nuk vlen, pasi të ardhurat e përfituara mesatarisht për gjithë kategoritë e përfituesve ishin më poshtë se minimumi jetik i llogaritur, jozyrtar.

Kriza energjetike është në krye të prioriteteve. Gjendja e vështirë është në keqësim, si në shumë vende të tjera. Kryesisht jo për shkak se është e varur nga gazi, por se shumë nga projektet dhe ligjet e miratuara me pak efekt real kanë krijuar konfortin formal deri në momentin që kriza aktuale e përballi me grumbullim e detyrave të parealizuara nga qeveria. Inflacioni tashmë është dyshifror prej muajsh për shumicën e mallrave dhe shërbimeve që përbëjnë mbi 90 përqind të shpenzimeve të përditshme. Në themel të gjithçkaje qëndron sfida e rigjallërimit të rritjes dhe produktivitetit, të cilët kanë mbetur në një rrëmujë të krijuar sa nga kronizmi[1] dhe paaftësia, por dhe nga korrupsioni dhe kapacitetet e dobëta administrative te mbajtura peng nga politikanët e pamerituar nga votuesit. Kjo ka dëmtuar standardet e jetesës dhe një efekt dytësor duket në cilësinë e dobët të shërbimeve publike.

Ndërkohë, politikat sociale duhet te vlerësohen shume me tepër, te paktën per periudhën afatshkurtër. Edhe pse me vonesë qeveria duhet te harmonizojë instrumentet politike në funksion të nxitjes së tregut të fondeve private, dhe një rritje të dukshme të fondeve për pensionet si kurrë më parë, duke ribërë strategjinë në përshtatje me rrethanat e ndryshuara.

Ngushtimi i evazionit të punës duhet te jete objektiv per te arritur nivele minimale historike. Evazioni ne tërësi duhet te luftohet me fort se kurrë.

Po kështu duhen ndryshuar në përmirësim të ndjeshëm edhe objektivat për nxitjen e dialogut rreth kontratave të reja të punës, ku indeksimi pagës duhet të jetë automatik dhe jo dëshirë apo peng i politikës së keqe. Çmimet nuk ulen nëse nuk ndryshojnë balancat e rënduara të kërkesës në disfavor të ofertës. Rritja e të ardhurave të disponueshme qe ndikon në përmirësimin e konsumit, ribërja e programeve qe nuk kanë performuar mirë, si dhe minimizimi i kronizmit politik që ka ndikuar fort në dobësimin e shtetit dhe forcimin e korrupsionit duhen kryer në një kohë për të filluar ndryshimin e perceptimit për ekonominë. Një modikim të fortë i politikave buxhetore duhet patjetër, pasi formula aktuale nuk po funksionon sa duhet. Një qasje ndryshe duhet të jetë rritja e fondeve sociale dhe stimulimi i prodhimit dhe krijimit të rezervave ushqimore e ujore.

Por, buxheti duhet te lajë edhe disa mëkate te te kaluarës.

Në kohe lufte nevojiten burime furnizimi për ushqime dhe ujë dhe kohët ndoshta ne nuk i parashikojmë, por të paktën mundet ti zbutim duke planifikuar ndryshe. Natyrshëm, që faturat e kripura të infrastrukturës dhe menaxhimit të dobët të burimeve publike, të cilat janë tashmë pesha më e rëndë buxhetore në këto 30 vite  mundet që tu vendoset përballë politika e ofertës monetare direkte për të hyrë në funksion lehtësimi i buxhetit nga e kaluara dhe e tashmja mëkatare. Askush nuk i ka zgjidhur këto probleme dhe duket se mungon besimi se dikush mund t’i zgjidhë të gjitha këto probleme në kohën që ka mbetur para zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe ato të përgjithshme.

A mundet dikush të fillojë të paktën t’i kthejë gjërat?

Nga analiza e gjithë organizimit politik duket se askush, ende nuk po e përmbush këtë detyrë kaq madhore. Megjithatë shpresat e mëdha mbeten, përtej faktorit ndërkombëtar edhe te teknicienët e rinj që tashmë po mundohen të thyejnë barrierat e forta dhe të salduara fort nga politikanët e vjetër. Humbja e besimit për ndryshime pozitive prej politikanëve aktualë ka shumë arsye për të qenë i vagullt, pasi ata mbajnë vetëm 1 ne 4 premtime që i zotohen votuesve tash e 20 vite te shkuara. Standartet e përmbushjes janë të ulëta dhe efekti i reformave është afatshkurtër dhe me probleme të mëdha për ti përdorur si bazë për të ardhmen. Rekordet e sukseseve të reformave në ekonomi janë të dobëta. Lidershipi aktual ka kaluar një kohë të pafundme duke bërë premtime që nuk mund t’i mbajnë për një elektorat të vogël që gënjehet lehtë çdo zgjedhje. Dhe rraskapitja e plotë e dekadave të njëpasnjëshme të qeverive besnike ndaj mentaliteteve autoritariste janë produkt i kabineteve qeverisëse të drejtuar prej besnikëve të liderit, por jo besnik ndaj votuesve dhe premtimeve që u kanë bërë atyre. Modeli i njëjtë i qeverisjes prej një individi dhe shumë besnikëve ka frenuar llogaridhënien dhe mbajtjen e përgjegjësive, ku rezultati do te ishte me minimumi i etikës bazuar te dorëheqja. Nga mungesa e qarkullimit te lidershipit duket sikur qeverisja ka kohë që është në proces mumifikimi (pamje e jashtme normale, por pa asnjë organ nga brenda).

E megjithatë ne në ALTAX ndajmë pikëpamjen se edhe duke jetuar në këto kushte nevojitet nxitja e rritjes ekonomike, e cila duhet të jetë objektivi kryesor i qeverisë dhe konsensusit opozitar. Kryeministrat mund të vendosin piketa duke artikuluar mirë mesazhe të thjeshta, duke lënë mënjanë premtimet e mëdha dhe të paarritshme. Berisha, paraardhësi i pakënaqur i Kryeministrit Rama arriti të bënte “infrastrukturën”, objektivin e tij për të reduktuar pabarazitë, dhe duke e bërë ketë pjesë të gjuhës popullore politike. Zoti Rama ka bërë të njëjtën gjë në shërbim të rritjes, por duke synuar paratë e lira dhe informale, që çuditërisht kanë edhe kosto të lartë, për arsye që ende nuk pranohen se vijnë nga modeli qeverisës dhe jo thjesht nga e kaluara.

Por, duke jetuar në kohën e krizës ekzistencialiste të sistemit testi i menjëhershëm me të cilin po përballet zoti Rama është kriza e kostos së jetesës. Plani i tij për t’u marrë me faturat në rritje të energjisë është kryesori në masat antikrizë. Zoti Rama ka hequr dorë me shpejtësi nga qëndrimi i ti i fushatës për të kundërshtuar “disa aktivitete të dëmshme morale” dhe po garanton që faturat mesatare vjetore të kostove të jetesës nuk do të rriten për aq sa lidhet me energjinë, ujin dhe disa shërbime publike. Edhe bizneset duket sikur do të marrin ndihmë. Por, kjo kohë është një nga momentet më delikate, pasi programet buxhetore sapo fillojnë të zbatohen nisin te bien një nga një per te arritur te pika e fillimit.

Stabiliteti politik po cënohet në rritje dhe besimi publikut te reformat po ulet pak nga pak, nisur nga shfaqje korruptive me ndikim të madh në moralin e të majtës, për të dytën herë, pas korrupsionit galopant në qeverisjen socialiste të drejtuar nga Majko, Meta e Nano deri në 2005. Por stabiliteti social-politik ishte keq edhe dhe me drejtimin e qeverise nga Berisha, pasi ne vitet pas qeverisjes socialiste deri ne 2013, modeli i kronist dhe korrupsioni goditi edhe me fort shpresën per qeverisje me duar te pastra, si një ndryshim nga spektri i djathte politik. Madje korrupsioni i qeverise se Berishës, filloi te cenonte integritetin e buxhetit pak nga pak deri sa arriti qe politika per stimulim te infrastrukturës nëpërmjet parave informale dhe korrupsionit ne dem te politikes sociale, te ishin edhe e fillimi i fundit te qeverise se djathte, por dhe te tij personalisht. E njëjta histori me shtetin social, për të cilin çdo qeveri ka bërë shumë pak përtej se nuk do vendosnin taksa të reja dhe do të ulnin ato që egzistonin dhe nuk do të shkurtonin shërbimet publike. Në fakt këto premtime nuk bëhen dot, pasi kundërshtojnë njëri-tjetrin.

Në realitet vendit tonë i kanë munguar burrat e shtetit në profilin e reformatorit.

A është realisht konstatim i saktë ky pohim?

Le ta diskutojmë…

Një reformator i vërtetë do të niste një bisedë të sinqertë rreth të drejtave të pronës dhe punës, të cilat po rrënohen keq, dhe nuk do të përsëriste akuzat se ka shumë menaxherë të paaftë përreth bashkë me fajësimin e paraardhësit.

Një reformator i vërtetë do të merrte së pari në inventar gjithë punët e pakryera dhe shtetin në tërësi. Së dyti do të kryente vazhdimisht procesin e llogaridhënies per të dialoguar me fakte si e ka rritur standartin në një nivel më të lartë. Sidomos kur bëhet fjalë për financimin e prioriteteve, barren e taksave, qe shpesh është rritur nga korrupsioni dhe keqadministrimi. Dhe reformimi me i rëndësishëm do të ishte projekti politik që rrit pensionet në nivelet e përballjes së një jete dinjitoze.

Në fakt, qeveri pas qeverie reformat kanë ngecur apo kanë mbetur në mes të rrugës.

Nëse vijohet të mos zgjidhet kaosi politikëbërjes dhe mungesa e llogaridhënies, sipas një stili “bjeri ti biem”, atëherë ne do të mbajmë mend jo reformatore, por rimorkiatore të kabineteve qeverisëse plot me viruse të vjetra dhe të reja

[1] emërimi i miqve dhe bashkëpunëtorëve në poste publike, pa marrë parasysh kualifikimet e tyre

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *