Me 61 bashki në Shqipëri, partitë kanë patur mundësi të testonin kush politikë ka funksionuar dhe kush jo. Kjo do të thotë, se tashmë pas më shumë se 6 vite zbatimi të reformës më të fundit territoriale ka nevojë që të bëhet një e re vetëm nëse do të analizohen performancat dhe të hiqet dorë nga mospranimi i gabimeve për hatër të mbajtjes së unitetit mes votuesve.
Së pari, reforma e re territorial duhet të kërkojë, që të hiqet dorë nga trajtimi uniform nëpërmjet urbanizimit për gjithçka që duhet në zhvillimin e bashkive për të ardhmen. Nga auditimi social i kryer nga ALTAX në 5 bashki nga më gjithpërfshirëset vëren se vetëm 30-45% e programeve të zhvillimit janë përfunduar apo në proces zbatimi në dallim nga afatet e përcaktuara nga qeveria për një performancë mjaft më të lartë që tejkalon 80% të programeve të zhvillimit.
Së dyti, njerëzit mund të zgjedhin të jetojnë dhe kompanitë mund të zgjedhin të operojnë në bashkitë ku preferencat e tyre pasqyrohen në rregulla lokale që vlejnë për ta, përndryshe problem i migrimit do të vijojë më fort në disa bashki. Nëse korrupsioni dhe moszbatimi i ligjeve është shumë më prezent qytetarët me dhimbje do të nxiten për të lëvizur zakonisht në bashki me më pak kufizime për të punuar e jetuar apo edhe jashtë vendit. Kjo qasje vlen edhe për Tiranën edhe pse ajo popullohet përditë nga bashkitë e tjera, por për qytetarët e saj do të ketë ndikim prezent për largim nga vendi pa qenë e përjashtuar nga ky faktor ndikues, pa dashur të hyjmë në detaje më të thella lidhur me faktorët e tjerë ndikuesë.
Së treti, midis bashkive duhet futur konkurueshmërinë mes tyre për performancën financiare, performancën e bizneseve, performancën e shërbimeve vendore dhe mjaft elementë politikash që duhet të tregojnë se çfarë do të jetë një praktikë e mirë vendore për tu promovuar për të ardhmen. Çdo bashki mund të bëjë kompromisin e vet midis peshës së taksave dhe shumës së shërbimeve publike. Çdo bashki mund të mësojë nga fqinjët me praktika ose rregullore më të mira biznesi.Këtë formë konstruktive të vetëqeverisjes vendore nuk është se po e ndjek sot politika qendrore.
Në vend të kësaj, ata po zhbëjnë një betejë tradicionale kombëtare duke mos u ballafaquar me atë që mund të diskutohet në qytetarët, se sa e vështirë është të punosh në një ambjent informal të pandryshuar në vite, në një ekonomi që nuk ka diversitet dhe dinamizëm dhe mund të rrënohet nga flluska e sektorit të pasurive të paluajtshme, në një shoqëri ku morali dhe edukimi i brezit të ri orientohet drejt parasë së lehtë. Betejat e vështira të jetës që po përballen qytetarët në çdo bashki nuk përkojnë me modelet bashkëkohore që mund t’u ofrohen të rinjve që tashmë identifikohen si një gjeneratë që do të bëjë transformimin që e morën përsipër prindërit dhe gjyshërit e tyre, por nuk e arritën dot. Çështje të tilla i tërbojnë partizanët e të dyja palëve politike në një mënyrë që të themi, rregullimi i rrugëve apo rafinimi i politikës tatimore nuk e bën, pasi egoizmi i lidershipit ka zhbërë gjithsesi edhe ato pak politika të mira për qeverisjen vendore.
Të moderuarit mund të preferojnë më pak zemërim dhe më shumë optimizëm, por shumë politikanë të vjetër mund t’i injorojnë ata me siguri.Aktualisht, po ndodh kështu pasi në 61 bashki nga 61 bashki gjithsej drejtohen nga një parti e vetme. Numri i bashkive ku mazhoranca aktuale kontrollon të dy pushtetet legjislative dhe funksionin e Kryetarit të Bashkisë është në nivelin historik më të lartë që pas vitit ’90.
Këto bashki njëpartiake po vetëpërjetësohen, pasi fituesit ripërtërijnë hartat elektorale në avantazhin e tyre. Dhe politikanët me kuota të sigurta për tu rizgjedhur kanë si model stimuj perversë për të qëndruar në pozitat e tyre aktuale. Ata nuk shqetësohen për humbjen e vlerave të demokracisë dhe zbatimin e ligjeve, por vetëm për zgjedhjet brenda partisë, në të cilat partizanët e zjarrtë/ patronazhistët janë ata më të motivuarit për të mbajtur këtë model të shëmtuar. Jetesa e tyre bazohet mbi këtë mënyrë funksionale deri më tani. Mënyra për të hequr partizanë të tillë nga jeta politike dhe sociale në çdo bashki është shmangia e kompromisit, që u jep garancinë e mosndëshkimit për shkeljen e ligjit dhe rregullave të bashkëjetesës bazuar mbi drejtësinë sociale.
Prandaj, nëse disa mekanizma të vjetëruar nuk do të ndryshojnë edhe në këtë prag zgjedhjesh të reja do të paraqitet përsëri një politikë e re konfrontimi. Por këtë radhë konfrontimi do të ndodhë jo midis politikanëve vendorë të partive kryesore, por midis politikanëve vendorë të partisë në pushtet.
Në disa bashki do të synohen të ndëshkohen ata që kërkojnë një politikë ndryshe nga sa u është imponuar nga lidershipi i partisë. Të tjerët do të ofrohen në vëmendjen e qytetarëve se janë duke punuar shumë mirë dhe në interes të komunitetit dhe do të shenjtëroren si për ironi të fatit politik për të njëjtin model qeverisje, por në kushtet e bindjes së verbër ndaj lidershipit të partisë.
Për të përhapur dhe ngulitur pikëpamjen e tij, lidershipi i partisë do të propagandojë të njëjtat punë të bashkive me standarte jo të njëjta vlerësimi. Në kushtet e mungesës së llogaridhënies/ të shmangies së llogaridhënies, fokusi i pamëshirshëm në polemikat kombëtare është në rastin më të mirë një shpërqendrim nga problemet lokale që politikanët vendorë janë zgjedhur për të zgjidhur.
Kryetari i bashkisë Tiranë, një pretendent i mundshëm për karrierë politike në lidershipin e partisë, i cili nuk arriti dot të mbante premtimin për mosbetonizimin e qytetit do të përpiqet edhe më tej ta prezantojë këtë qasje negative si një aset për ekonominë e qytetit. Në fakt, përtej problemeve të thella me mënyrën dhe modelin e investimeve, e fituar ka dalë vetëm kuleta e bashkisë, për të përdorur para në mjaft programe të pakërkuara nga qytetarët. Mjafton të shikosh se vetëm një 6 mujor janë dhënë leje për ndërtim[1] më shumë se nevojat dhe interesat e qytetarëve që kanë nevojë për një mjedis pa ndotje dhe me perspektivë zhvillimi bazuar te mbrojtja e mjedisit dhe rritjes së ekonomisë nga bizneset e vogla dhe të mesme.
Dhe të gjitha këto vendime që diktohen nga kapja e politikës janë përçarëse, pasi të gjitha rrënjosin nocionin se politikanët vendorë apo qendrore nuk mund të gërshetohen mes tyre, pasi ata i mban të ndarë mënyra se si investohen në kujdesin e tyre ndaj qytetarëve.
Realisht mjafton të shikosh fondet për pensione dhe mbështetje sociale dhe kupton që ato janë njësoj si në kohën e qeverisjes 18 vite më parë, po ashtu edhe në kohën e qeverisjes së tanishme. Pesha e tyre në raport me PBB nuk ka ndryshuar. Peshën më të madhe e ka marrë infrastruktura, dhe fondet edhe në këtë rast shkojnë në financat e jo më shumë se një dyzine individësh që fuqizohen nga lekët që u mblidhen bizneseve të tjera dhe të punësuarve.
Shqetësimi më i madh është se partishmëria e disa drejtuesve të bashkive dhe lidershipit vendor mund të minojë vetë demokracinë e cënueshme. Çfarëdo që të ndodhë në zgjedhjet e ardhme vendore, një hendek i tillë që po përhapet do të rritë edhe më tej koston për ekonominë dhe përkeqësimin e ambientit për bizneset. Megjithatë, qytetarët nuk do të përkrahin një luftë tjetër politike komplet për interesa personale, siç spekulojnë disa ekspertë të ethshëm. Ata tashmë kanë humbur durimin duke jetuar përditë me dhunën politike dhe kjo mund të përkeqësohet. Nisur nga momenti kur po ridiskutohet mbi ndryshimin e administrimit territorial duhet t’i jepet fund mashtrimit, i cili i lejon politikanët të zgjedhin votuesit e tyre dhe jo anasjelltas.
Një propozim konkret nga ekspertët tanë drejtohet për bashkitë, të cilat duhet ta bëjnë rindarjen territoriale përmes komisioneve të pavarura dhe bazuar në elitat vendore/ shoqëria civile që nuk kanë varësi politike, për të depolitizuar procesin. Kjo do ta bënte më të vështirë për njërën palë të forcohej. Gjithashtu, duke krijuar zona më konkurruese, do të detyronte më shumë politikanë t’i drejtohen qendrës. Edhe votuesit kanë përgjegjësi. Mund të jetë e vështirë, në epokën e mediave sociale, të injorosh stuhinë e furisë së konfeksionuar dhe të votosh për liderët që duan t’i bëjnë gjërat. Alternativa e liderëve partiakë është përçarja gjithnjë e më e madhe e qytetarëve. Me këtë qasje kanë arritur të mbijetojnë. Në këto momente historike për vendin nëse do të durojmë ende këtë qasje të vjetër, natyrshëm që kjo nuk çon askund për mirë as për ne, por as edhe për brezin e ri që ka zgjedhur largimin nga vendi
[1] Sipas të dhënave të INSTAT, në kryeqytet, për periudhën janar- qershor 2022 është dhënë një sipërfaqe prej gati 1.2 milionë metra katror, me një rritje prej 45% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë