“Hiri i vullkanit” të luftës së nisur nga Rusia mund të ndikojë në shumë vende të tjera
Pasi u goditën nga pandemia, ekonomia botërore dhe ajo e vendeve që janë partnere tregtare me Shqipërinë ranë pré e inflacionit, ku kërcimet e çmimeve që gjeneroi kjo situatë ekonomike po ndikojnë direkt edhe në tregun shqiptar me përmasa edhe më të mëdha se në vendet që na furnizojnë shumicën e produkteve që ne konsumojmë.
Me fillimin e pushtimit të Rusisë ndaj Ukrainës në këtë fund shkurti 2022, ekonomia europiane dhe ajo botërore është duke ju futur një tjetër trajektore rënëse të tregjeve financiare dhe me një drejtim të paparashikueshëm të zhvillimeve ekonomike sipas planifikimeve që ato kanë bërë për vitin 2022 dhe në vijim.
Nga momenti kur Rusia mori rolin e pushtuesit efektet ekonomike janë të ndikuara tashmë nga politika. Duket se ky vit do të vijojë të ndikojë në ekonominë globale nëpërmjet forcës ushtarake dhe politike. Kjo duket nga dje kur filluan edhe reagimet direkte nga vendet e BE-së, si dhe G7 ku u deklarua se do të zbatojnë kufizime të jashtëzakonshme të karakterit financiar, ekonomik dhe tregtar për Rusinë, por me ndikim edhe te vetë ato vende.
Këto kufizime që do të zbatohen e gjejnë marëdhënien tregtare të Rusisë me vendet më të mëdha europiane në një situatë ndërvarësie për produktet energjetike me mjaft ndikim për ekonomitë familjare dhe industriale. Evropa merr gati 40 për qind të gazit të saj natyror dhe 25 për qind të naftës së saj nga Rusia dhe ka të ngjarë që prej fillimit të Marsit të furnizohet me rritje të faturave të ngrohjes dhe gazit, të cilat tashmë janë në rritje edhe pa këtë situatë të luftës së nisur nga Rusia drejt portave lindore të Europës. Rezervat e gazit natyror janë në më pak se një të tretën e kapacitetit dhe duke pritur edhe javë të tëra moti të ftohtë përpara, situata e marëdhënieve tregtare mes Rusisë dhe BE-së do të shkojë në një bllokim të detyruar për arsye tashmë politike.
Kjo luftë e filluar nga Rusia do të rëndojë më tej edhe Turqinë, e cila është në mes të një krize ekonomike dhe po lufton me inflacionin që po shkon afër 50 për qind, me çmimet e ushqimit, karburantit dhe energjisë elektrike në rritje.Nga ana tjetër, vetë Rusia duket se do të humbasë njësoj apo edhe më shumë nga kufizimi deri në ndërprerje të eksportit të gazit dhe naftës drejt këtyre destinacioneve[1].
Nisur nga kjo marëdhënie tregtare globale e prishur për ti lënë vend një marëdhënie të re duket se shpenzimet ushtarake, si forma tjetër e shpenzimeve qeveritare, mund të jenë një burim i rëndësishëm i kërkesës ekonomike gjatë kësaj kohe kur qytetarët rusë janë në pikat të ulëta të besimit ndaj qeverisë (vetëm 37% e qytetarëve besojnë te qeveria)[2], por dhe të ndjeshëm në të ardhurat e tyre ndaj rënies ekonomike.
Tregjet globale janë shqetësuar tashmë dhe janë drejt një rënie megjithëse jo shumë të madhe për momentin. Një pjesë e arsyes është se “tregjet priren të mos ndikohen njësoj në ngjarje ekstreme, veçanërisht kur janë të natyrës ushtarake”, thotë Paul Donovan, krye ekonomist i bankës zvicerane UBS [3].
Ndërkohë nisur nga zhvillimet e fillimit duket se tregjet ende perceptojnë se pasojat ekonomike të konfliktit do të kufizohen në rajon, me një ndikim të madh në Ukrainë dhe një pasojë të konsiderueshme në Rusi, për shkak jo vetëm të sanksioneve. Rreziku i vërtetë dhe me ndikim edhe për ekonomitë që do ti zbatojnë sanksionet është se, për të arritur nivelin e ashpërsisë së kufizimeve të deklaruara nga SHBA-ja dhe Evropa, sanksionet do të shkaktojnë gjithashtu dhimbje në vetvete. Kjo tashmë pritet të ndodhë pas dy sanksioneve kryesore, që janë (a) bojkoti i gazit rus që rrjedh në Evropë, me shtyrjen e pacaktuar të gazsjellësit Nord Stream 2, vendimtar për Moskën, si dhe (b) largimi i Rusisë nga rrjeti i mesazheve SWIFT i përdorur nga 11,000 banka në të gjithë botën për transferime të shpejta dhe të sigurta parash. Përjashtimi i Rusisë nga sistemi SWIFT i mesazheve brenda bankave rrezikon gjithashtu të prodhojë efekte të padëshiruara. Bankat ruse do të jenë kryesisht të shkëputura nga transaksionet ndërkombëtare dhe industri të caktuara do të vuajnë nga ndalimet e eksportit për komponentë dhe mallra të rëndësishëm të teknologjisë së lartë që janë të vështira për t’u zëvendësuar nga prodhimi vendas ose importet nga Kina.
Maria Shagina, një bashkëpunëtore në Qendrën për Studime të Evropës Lindore me qendër në Zyrih, ka vlerësuar se një masë e tillë do të ishte “shkatërruese, veçanërisht në afat të shkurtër”. Kjo do të shkaktonte paqëndrueshmëri të monedhës dhe dalje masive të kapitalit.
Rusia mund të zbusë efektet sepse ka zhvilluar vitet e fundit një sistem mesazhesh financiare duke u përpjekur të imitojë SWIFT. Por është ende i papërsosur dhe përdoret kryesisht nga bankat ruse. Zhvlerësimi i mëtejshëm i rublës do të rriste presionet inflacioniste, do të zvogëlonte të ardhurat reale të disponueshme të familjeve dhe do të ndikonte negativisht në kushtet e tregtisë. Banka qendrore do të reagonte me norma më të larta interesi për të mbrojtur rublën, por kjo do të rëndonte më tej rritjen ekonomike. Në këtë skenar, Rusia do të duhet të vendosë një pjesë të madhe të kufizimeve fiskale dhe të jashtme që ka ndërtuar në mënyrë që të ruajë stabilitetin makro-financiar.
Nuk ka dyshim se sanksionet do të godasin rëndë ekonominë ruse. Në shtatë vitet e fundit është parë se masat për të kufizuar lidhjet ekonomike dhe flukset financiare midis pjesës tjetër të botës dhe Rusisë kanë ardhur me një çmim të rëndë për ekonominë dhe individët e pasur të Rusisë. Anders Åslund dhe Maria Snegovaya, dy ekonomistë në qendrën e Eurazisë të Këshillit Atlantik, kanë treguar se sanksionet e vendosura pas aneksimit të Krimesë dhe fillimit të konfliktit ukrainas në 2014 mund të kenë ulur rritjen që atëherë me 2.5% deri në 3% në vit.
Sanksionet do të vazhdojnë të jenë një pengesë për rritje të ekonomisë ruse, por me pasoja afatgjata. Modeli i rritjes në dekadën e fundit të Rusisë është i karakterizuar nga investime të ulëta private, me një sistem fiskal të sëmurë edhe para se të goditej nga sanskionet. Por sanksionet tashmë i kanë përkeqësuar gjërat në progresion rritës dhe tashmë lufta e filluar është dhe një nga arsyet që burojnë nga ekonomia dhe sistemi fiskal.
Në situatën kur Nord Stream nuk do të funksionojë për aq kohë sa situata ushtarake dhe politike do të stabilizohet, Putini mund të dyfishojë dhe të vendosë të shkurtojë ose reduktojë dërgesat e gazit në Evropë si një lloj kundërsanksioni. Ky ndikim në çmimet e gazit do të detyrojë tregjet europiane të rritin kërkesën për naftë dhe energji duke ndikuar direkt edhe në importet shqiptare. Ky do të ishte një nga ndikimet direkte për ekonominë shqiptare, si dhe për gjithë vendet e tjera. Por nisur nga specifika, kur vendi jonë është prodhues i naftës do të ishte me shumë vlerë një negociim me prodhuesit për të mundësuar një ulje të kostos së naftës duke e përdorur si lëndë të parë për tu përpunuar për tregun shqiptar në një nga rafineritë e vendeve fqinje. Kjo do të ishte një mënyrë zgjidhje në kushtet kur vetë prodhuesit e naftës dhe gazit shqiptar kanë detyrim kontraktual dorëzimin e një pjese prodhimi.
Pasojat në ekonominë shqiptare që do ti vinin nga konflikti në Ukrainë nuk kanë shumë ndikim direkt nga marëdhënia tregtare mes dy vendeve por edhe me Rusinë, për arsye se volumi tregtar në vitin 2021 duket se është diku mes 1% – 2% të totalit të importeve dhe eksporteve shqiptare.
Por, përtej ndikimit në partnerët tregtarë të Shqipërisë kryesisht për karburantet dhe energjinë elektrike duket se do të ketë një efekt në parashikimet që duhet të bëjë buxheti lidhur me politika të diktuara nga zhvendosjet e qytetarëve drejt vendeve jashtë konfliktit. Edhe pse Shqipëria ndodhet larg kufijve të Ukrainës dhe ndoshta nuk do të jetë mikpritëse për refugjatë të mundshëm nga Ukraina një efekt që duhet të rillogaritet lidhet me industrinë e turizmit. Nisur nga hyrjet e turistëve në vitet e fundit nga shtetet e Evropës Lindore, Rusia dhe shtetet në zonën përreth një konflikt i zgjatur në kohë do të mund të kufizojë lëvizjet e tyre nisur nga stabiliteti financiar i prishur. Por gjithsesi situata duket se mundet të ndryshojë, pasi lufta përtej të gjithave kërkon shpenzime të mëdha, të cilat në çfarëdo forme të përdoren do të pakësohen për arsye të bllokadës së gjithë vendeve të zhvilluara.
Precedenti i krijuar nga sulmi rus duhet parë edhe njëherë me vëmendje situata e emergjencave shqiptare, si dhe buxheti i mbrojtjes brenda modestisë për të kuptuar më mirë se si të përdoret në këto kohë kur orekset për të treguar forcën mund të shfaqen në shumë mini vatra lufte edhe në vende të tjera ku konflikte të të kaluarës janë aktualisht ne gjendje latente.
Në mbyllje, mund të thuhet se “Hiri i vullkanit” të luftës së nisur nga Rusia mund dhe do të ndikojë në shumë vende të tjera. Përtej ndikimit në politikën botërore duke kërkuar një rivendosje të rendit politik të pas luftës së dytë botërore, ndikimi ekonomik nuk është dytësor por me ndikim në gjithë zinxhirin e furnizimit për produkte energjetike dhe ushqimore. Rusia si një prodhues i madh i naftës dhe gazit natyror, po rrit shqetësimin dhe pasigurinë në mbarë botën, por si eksportuesi më i madh në botë i grurit dhe furnizimeve kryesore ushqimore në Evropë do të jetë me po aq ndikim direkt edhe në industrinë ushqimore.
Pse ka ndikim kaq të madh në ekonomi?
Së pari, Rusia prodhon 10 milionë fuçi naftë në ditë, afërsisht 10 për qind e kërkesës globale, dhe është furnizuesi më i madh në Evropë i gazit natyror, i cili përdoret për të furnizuar me karburant termocentralet dhe për të siguruar ngrohje për shtëpitë dhe bizneset. Ndërsa tregjet e aksioneve të punës kanë rënë, çmimet e naftës u rritën në rreth 6 dollarë për fuçi. Së dyti, mjaftojnë të lexojmë pjesë nga fjala e djeshme e Presidentit të SHBA, Joe Biden për të kuptuar se “…ne po ndërmarrim hapa aktivë për të ulur kostot. Dhe kompanitë amerikane të naftës dhe gazit nuk duhet ta shfrytëzojnë këtë moment për të rritur çmimet e tyre për të rritur fitimet. Në paketën tonë të sanksioneve, ne kemi menduar posaçërisht për të lejuar vazhdimin e pagesave të energjisë. …E di që është e vështirë dhe se amerikanët tashmë po lëndohen. Unë do të bëj gjithçka në fuqinë time për të kufizuar dhimbjen që populli amerikan po ndjen në pompën e karburantit. Kjo është kritike për mua.”
Megjithëse është e mundur që rezultati i krizës aktuale të nënkuptojë një destabilizimin e mëtejshëm të Ukrainës në tërësi, ekonomikisht, politikisht dhe jetën sociale, problemet më të mëdha do të vijnë nga mosgjetja e një kompromisi midis Ukrainës dhe Rusisë nga njera-anë, por edhe vendeve të G7 dhe më gjerë dhe Rusisë nga ana tjetër, për arsye që kuptohen qartë në fjalimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin përpara fillimit të sulmit në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës.
Pa e nënvlerësuar rolin ndikues të Rusisë është e qartë se shumë nga vështirësitë me të cilat përballet Ukraina në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, institucional dhe qeverisës burojnë gjithashtu nga burime të tjera vendase[4].
Në rast se konflikti ulet në rajon, një tranzicion paqësor drejt demokracisë do të ndikojë në rritjen ekonomike duke inkurajuar investimet, shkollimin, reformat ekonomike, sigurimin e të mirave publike dhe reduktimin e trazirave sociale.
[1] sipas Bankës Qendrore, eksportet totale të Rusisë në vitin 2021 arritën në 489.8 miliardë dollarë. Nga kjo, nafta e papërpunuar përbënte 110.2 miliardë dollarë, produktet e naftës 68.7 miliardë dollarë, gazi natyror me tubacione për 54.2 miliardë dollarë dhe gazi natyror i lëngshëm 7.6 miliardë dollarë
[2] https://www.statista.com/chart/12634/where-trust-in-government-is-highest-and-lowest/
[3] Vrasja e arkidukës Franz Ferdinand të Austrisë në vitin 1914, e cila shkaktoi zinxhirin e ngjarjeve që çuan në Luftën e Parë Botërore, u injorua nga tregjet e asaj kohe – vëren Donovan
[4] https://wiiw.ac.at/possible-russian-invasion-of-ukraine-scenarios-for-sanctions-and-likely-economic-impact-on-russia-ukraine-and-the-eu-dlp-6044.pdf