Të ristrukturohet buxheti për të përballur krizën
Kryedemokrati Basha reagoi sot pas deklaratës së kryeministrit Rama se rritja e çmimit të energjisë është e pashmangshme.Sipas Bashës, fjalimi i Ramës, ishte “sa për të larë duart” ndërkohë që shqiptarët çdo ditë e më tepër po përballen me çmime më të larta.“Shqiptarët kanë 8 vite që përballen me çmimet më të larta në rajon e ndër më të lartat në Europë, të energjisë dhe karburantëve. Në ato vende ku ndodhin rritje të diktuara nga tregjet ndërkombëtare, qeveritë e përgjegjshme u vijnë në ndihmë qytetarëve të tyre. Por a mund të ndodhë kjo më këtë qeveri? Shqiptarët e dinë mirë që jo”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike në një konferencë për shtyp.Më tej, Basha sugjeroi 7 mënyra për të zgjidhur krizën ekonomike:
- Heqja e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti;
- Ulja e TSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ashtu siç kemi kërkuar prej javës së parë në kuvendin e Shqipërisë;
- Faturimi me çmime dhe sasinë reale të konsumit të oligarkëve të cilët favorizohen në kurriz të konsumatorëve;
- Subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët;
- Mirëmenanxhim dhe ndalje e shpenzimeve të shfrenuara, luksoze të OSHEE dhe KESH, që janë kthyer në zhvatës të parave të shqiptarëve.
- Ristrukturim të buxhetit për tu përballur me një krizë që nuk mund të ndalet me propagandë dhe fjalime.
- Më shumë para për shtresat në nevojë dhe ristrukturim të ekonomisë aktuale, e cila për shkak të politikave të kësaj qeverie është e varur nga paraja e pisët dhe monopolet e oligarkëve.
Paraditen e kësaj të diele, kryeministri doli në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku pranoi se rritja e çmimit të energjisë që ka prekur gjithë Europën, do të prekë dhe vendin tonë dhe së shpejti “do të përballemi me çmime marramendëse”.
Qytetarëve u duhet tashmë të paguajnë më shumë dhe për bukën dhe nënproduktet e tjera të miellit si dhe për karburantin.
Top Channel