Korrupsioni i Liderëve historikë dhe distancimi prej tyre

10 Shtator, 20210

I gjithë nocioni i Partisë Demokratike (PD) po deklarohet nga disa pjesë të lidershipit aktual të saj se i përket Sali Berishës. Në fakt kjo histori e saj  u ndërtua nga roli që kanë luajtur gjithë emrat e spikatur dhe që në vite kanë bërë pjesë në krijimin e sistemit partiak kundërshtar.
Deri në ditën e djeshme, kur Kryesia e PD bëri publik qëndrimin për përjashtim nga grupi parlamentar i PD i liderit shumëvjeçar në krye të saj, lëvizje të tilla kanë qenë të zakonshme për historinë e kësaj partie dhe këtë precedent e ka krijuar pikërisht i përjashtuari i sotëm. Sot, kur një figure të rëndësishme publike i kërkohet të distancohet nga partia, lëvizja natyrisht që hyn në një faqe që mundet të bëhet pjesë e historisë kombëtare.
Në demokracitë liberale, zakonisht kontrolli që udhëheqësit e partive kanë mbi anëtarët e tyre të grupit në legjislaturën parlamentare është një moment lidershipi që nuk ka vend për të “respektuar” historinë, por realitetin historik të momentit. Disiplina partiake është e rëndësishme për të gjitha partitë, qofshin këto me lider historik, apo me drejtuesë partiakë të emëruar në vijimësi. Është pikërisht kjo që lejon partitë të mbajnë pushtetin politik sepse përcakton shkallën në të cilën infrastruktura drejtuese do të ndikohet nga proceset legjitime politike.
Natyrisht, që këto vendime për përjashtim të udhëheqësve të cilët kanë drejtuar për shumë dekada partitë e tyre gjenden më së shumti në partitë e majta. Por, rasti i vendimit për përjashtimin e ish-drejtuesit shumëvjeçar të PD është në disa aspekte i ngjashëm me profilin e këtyre partive. Është merita e tij për strukturimin e një partie me filozofi drejtimi të majtë në brendësi të saj dhe me aparencën e djathtë si perceptim për ndjekësit dhe qytetarët. PD ka ardhur në momentin, ku pas disfatave të njëpasnjëshme elektorale në dekadën e fundit të deklarojë me zë të fortë që humbja politike e saj nuk vjen vetëm nga probleme të një lidershipi të dobët aktual. Kjo humbje i ka rrënjët nga historia e liderit të korruptuar të dikurshëm, i cili korruptoi partinë me frymën e tij autokratike dhe përçoi modelin e qeverisjes së korruptuar në vitet që udhëhoqi.

Drejtuesi historik i PD, nëse kujtojmë mbrapsht në vite në historinë e PD (e cila ka mbajtur peshë kryesore në historinë e Shqipërisë në tre dekadat e fundit) ka luajtur rol negativ duke vepruar keq që nga proceset fillestare të egzistencës së demokracisë liberale në Shqipëri dhe pa reshtur nuk ka rezultuar të jetë në funksion të interesit publik dhe një vendi të zhvilluar.
Procesi i orientimit politik në ditët e para të demokracisë liberale ishte drejt:
– një lufte të re të shqiptarëve ndaj njeri-tjetrit duke e motivuar me linçimet politike ndaj komunistëve (shokëve të tij të njëjtit krah politik);
– lejimi dhe stimulimi i lëvizjeve e pakontrolluara të popullsisë dhe me rrezikshmëri shoqërore;
– dëmtimi i shtetit të të drejtës, të të drejtës së pronësisë dhe mos sundimit të ligjit nën motivimin e ndarjes më regjimin politik të kaluar;
– korruptimi i politikës dhe prishja e formateve të qeverisjes për njerëzit dhe në shërbim të tyre;
– prishja e raporteve politike me të huajt duke i shërbyer vetëm interesave të ngushta të grupit të tij;
– ndasia mes shqiptarëve brenda dhe jashtë duke përçuar ndarjen de facto mes tyre si dhe shumë qasje të tjera të personalizuara/ stimuluara nga lidershipi autokratik i Sali Berishës.

Gjithë këto janë borxhet e papaguara (Trashëgimnia) që ai u la pasardhësve të vet kur dorëzoi “kopjen e çelësave” të PD në 2013.
Të njëjtën trashëgimni la pas Nano në vitin 2005, përveç kompleksimit që komunistët nuk i sulmonte direkt dhe me raste promovonte nga grupi i tyre ata që u shërbenin. Në fakt në këtë gjykim vlen fryma e përbashkët dhe jo rastet e përveçme.
Shqipëria nuk e krijoi as korrupsionin, as shtetin e deformuar që kemi sot, por as shoqërinë edhe më hipokrite se deri më dje. Ajo në fakt i importoi bashkë me liderët hibridë (midis lindjes dhe perëndimit). Në gjithë këtë restrospektivë nuk është aspak e vërtetë, se ky moment i sinqertë (i detyruar) reflektimi nga udhëheqësit aktualë të PD-së është një tragjedi. Edhe eufemizmat që lidhin përjashtimin e merituar të Berishës nga PD me Shqipërinë dhe të ardhmen e saj nuk munden më ta mbajnë vendin zvarrë drejt të ardhmes.
Jo!
Në fakt brezi i ri aktual duhet të kërkojë llogari se kujt duhet t’ja faturojnë faturën e papaguar për gjithë këto vite, ku përfshihet edhe historia e prindërve të tyre, që paguan faturën e hidhur të rinisë së vjedhur nga korrupsioni i liderëve politikë të tranzicionit (Berisha, Nano e të tjerë).
Nuk ka asnjë përgjegjës, pasi ata që duhet të ishin të akuzuarit janë ende të lidhur me pushtetin/politikën në format e tyre të cilat kanë dëmtuar interesin publik dhe të vendit.
Ne nuk kemi qenë “talebanë” dhe nuk mund të ngjajmë me asnjë përveç rracës së cilës i përkasim. Këtë model revanshizmi ndajvlerave të pastra të demokracisë liberale na e prunë pikërisht liderët e pas viteve ’90 dhe pasardhësit e tyre. Asnjeri prej tyre nuk ka arritur të mirëmbajë dot modelin liberal të importuar nga demokracitë e zhvilluara euro-atlantike, pasi në fakt kanë qenë të gjithë udhëheqësa që nuk lindën nga nevojat e vendit, por u prodhuan si një lidership fason.
Korruptimi i vullnetit ka qenë dhe vijon të jetë e përbashkëta e tyre.

Nëse do ti ktheheshim reagimit ndaj momentit aktual të përjashtimit të liderit historik të PD, për ta krahasuar dhe ekuivalentuar me nivelin e një tragjedie përtej asaj personale, përgjigja jonë do të ishte që nuk është më shumë se fundi i një historie që u fillua me shpresa për ndryshim.
Nuk lidhet tragjedia personale me fatet e vendit, qoftë kjo madje tragjedi Eskiliane.

Tragjedi është momenti kur prindërit tanë u përjashtuan nga të drejtat e tyre për punë dhe jetë dinjitoze në moshë të re duke i dënuar familjet të vuajnë emocionalisht dhe të kërcënuar edhe në përditshmërinë e tyre.
Tragjedi është të pranosh një rrënim të kursimeve të qytetarëve si ai i viteve ’94 – ‘97 dhe të vendosësh ushtrinë në dispozicion personal për të luftuar kundër njerëzve që kërkonin të njëjtën gjë që ndodhi sot, pas 24 vitesh.
Tragjedi është që të korruptohesh si udhëheqje deri në atë nivel sa ai i rastit shpërthyes të Gërdecit dhe dalja jashtë kontureve politike kombëtare në shërbim të vizionit për vendin
Tragjedi është pastrimi parave të krijuara nga historikët si Lazarati për të rrënuar ekonominë e dobët dhe pa asnjë model zhvillimi të qendrueshëm.
Tragjedi është mungesa e një modeli ekonomik në funksion të mirëqenies. Ne jemi prap më të varfrit në Europë. Ekonomia që na kanë lënë trashëgimni udhëheqësit tanë është ndihmuar nga remitancat, nga kaosi i informalitetit, si dhe raste të shumta investimesh të keqmenaxhimit të fondeve publike, si rruga e “Kombit” dhe PPP-të aktuale. Por asnjëherë nuk është udhëhequr që ekonomia të ishte e pastër dhe konkurruese, si vendet e tjera të zhvilluara, ku pjesa formale do të ndihmonte të edukoheshin qytetarët me pastërtinë e një jete dinjitoze, ku zbatimi i ligjit do të ishte fillimi dhe mbyllja e ditës për secilin.
Tragjedi është dhënia e lejeve korruptive për ndërtime civile në pronat e pronarëve, për futjen e sistemit të edukimit në rrugën e korrupsionit, si dhe për futjen e ekonomisë së ardhme në rrugën e panjohur dhe korrupsionit pa fre.

Pa hyrë në detaje më shumë, që formojnë këtë qëndrim që shprehim ndaj udhëheqësave të vjetër e të rinj është me vlerë që të përmendim shprehjen se “çfarë të mbjellësh do të korrësh”. Partitë politike janë pasqyra e cilësive dhe vlerave të drejtuesve të tyre. Nëse drejtuesit janë të ndershëm, të drejtë, të vërtetë, po ashtu do tu kthehen mbrapsht ato që ata kanë reflektuar si cilësi dhe në fund përfiton vendi dhe qytetarët.
Në fund të rezultatit final 30 vjeçar humbje-fitim, realisht të humbur nga udhëheqja e Berishës, Nanos dhe pasardhësve të tyre nuk kanë dalë Ata që udhëheqësit tanë kanë mbështetur dhe inkurajuar brenda dhe jashtë vendit.

Të humburit janë shqiptarët, brenda territorit dhe jashtë tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *