Në takimin e Sofies[1], Nëntor 2020 udhëheqësit politikë nga Ballkani Perëndimor[2], të mbështetur nga BE miratuan një Plan veprimi për krijimin e një tregu të përbashkët dhe një axhende të përbashkët mjedisore për rajonin. Plani parashikon një sërë masash, të tilla si: ulja e tarifave bankare ndërkufitare, heqja e barrierave teknike tregtare[3], koordinimi i politikave të investimeve, njohja e kualifikimeve profesionale në të gjithë rajonin dhe promovimi i tregtisë elektronike.
Synimi i ndërlidhjes së vendeve dhe komunikimit ekonomik dhe teknologjik midis vendeve është ideja kryesore e Procesit të Berlinit. Nëpërmjet këtij mekanizmi bashkëpunimi, BE synon të përçojë atë përgjegjësi që deri më sot e ka zbatuar pjesërisht dhe jo në përshtatje me kërkesat dhe nevojat e ekonomive dhe sistemeve buxhetore të vendeve të Ballkanit. Duke nxitur këtë bashkëveprim politikanët e lartë të BE-së, kërkojnë të rrisin atraktivitetin dhe konkurueshmërinë e rajonit dhe ta ndihmojnë në shndërrimin e tij në një qendër investimesh, interesante edhe për investitorët globalë që kërkojnë të zvogëlojnë distancën në tregjet e BE-së.
Deklarata për një treg të përbashkët rajonal ka një rëndësi të madhe për 17.5 milionë banorët rezidencialë që jetojnë në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi teorikisht ajo përkthehet në ndihmë më efikase lidhur me zhvillimin ekonomik të vendeve dhe në këtë mënyrë ndikon edhe në moslargimin e qytetarëve në BE e më tej.
Tregu i përbashkët rajonal mund të punojë menjëherë për harmonizimin e rregulloreve-reciprokisht dhe me Evropën, harmonizimin e certifikatave dhe procedurave, oraret e punës dhe shërbimeve të inspektimit, njohjen dhe shkëmbimet elektronike të dokumentacionit ndërkufitar. Kjo do të lejonte p.sh. që një certifikatë veterinare ose fitosanitare, leje pune, vizë qëndrimi për të huajt, diplomë, kualifikim ose dokumente të tjera të rëndësishme për biznesin e lëshuar në një ekonomi të jenë të vlefshme në të gjithë rajonin. Në vend që kompanitë ballkanike të kenë të njëjtën certifikatë gjashtë herë që dallon vetëm nga një vulë e ndryshme, duke vijuar me procedura të ndryshme por edhe të komplikuara, për transportuesit që kalojnë orë të tëra (në disa vende edhe ditë) në pikat kufitare, ky mekanizëm marrëveshjesh mundet ti adresojë dhe japë drejtimin për lehtësim dhe heqje në disa raste.
Lidhja e tregjeve të rajonit dhe lehtësimi i biznesit dhe komunikimeve të tjera do të ngrinin nivelin e kulturës së biznesit të secilit vend individualisht, por edhe për të gjithë së bashku, duke mundësuar një shkëmbim më të shpejtë të mallrave dhe qarkullim më të shpejtë të parave, pra ngritjen e standardit të përgjithshëm të jetesës së njerëzit e këtij rajoni.
Ky treg i përbashkët rajonal gjithashtu mund të kontribuojë në harmonizimin me ligjet e BE -së, duke shërbyer si një “projekt pilot” për integrimin e tregut bazuar në rregullat dhe standardet e BE -së duke ndihmuar në krijimin e mundësive për zhvillimin e modeleve të reja të vlerave dhe rritjen e interesit për investime të huaja direkte në rajon, përfshirë edhe nga BE. Çelësi për forcimin e bashkëpunimit të vendeve të rajonit është sigurimi i respektimit të plotë të çdo aktiviteti ekonomik të financuar nga investitorët jashtë Ballkanit ndaj vlerave, normave dhe standardeve të BE-së, veçanërisht në fushat kryesore si sundimi i ligjit, prokurimet publike, mjedisi, energjia, infrastruktura dhe konkurrenca. Ky mekanizëm është përkrahur nga politikanët e lartë të BE-së duke u bazuar te synimi që të mbajnë brenda kontureve të aprovuara sipas standardeve të BE-së gjithë vendet pjesëmarrëse. Kjo do të krijojë kufij më të fortë dhe hapësirë më të penetrueshme midis vendeve ballkanike duke lënë në hije projektet e bashkimeve midis shteteve me prejardhje të përbashkët gjuhe, kulture, tradite (pra, bazuar te nacionalizmi).
Por, në këtë mes, mosnjohja prej Serbisë e kufijve të Kosovës e kthen këtë mekanizëm në një problem për të zbatuar idenë dhe planin e veprimit sa më lart. Nga ana tjetër nuk ka dyshim se formimi i një tregu rajonal do të prishë modelimin aktual të tregtisë ndër rajonale dhe do të favorizojë ato projekte investimesh që plotësojnë kriteret burokratike për tu bërë të realizueshme. Ky model mekanizmi nuk stimulon mënyrën e të bërit biznes deri më sot në Shëqipëri (mentalitetin), bashkë me problemet e mbartura të korrupsionit dhe evazionit. Në këtë drejtim Shqipëria duket se çalon dhe nuk ka arritur ende (për sa kohë qeveria nuk ka bërë transparencë për këtë element) të jetë konkurruese me produkte dhe shërbime jashtë modelit tradicional, apo të jetë konkuruese me ide të realizueshme në rajon. Të mos harrojmë që pjesa më e madhe e projekteve të realizueshme janë infrastruktura aero portuale, rrugore dhe energjetike. Të gjitha këto projekte, në pjesën më dominuese duket se janë ezauruar me të tejrë burime dhe kapacitete financiare dhe me investitorë që nuk investohen nga këto fonde.Sidoqoftë, ka konsiderata më të thella që duhet të merren parasysh kur vlerësohen motivet dhe përfitimet përfundimtare.
Ndërkohë, pjesa që lidhet me buxhetin nëpërmjet zbatimit të këtyre marrëveshjeve kërkon një harmonizim edhe më të kujdesshëm, për të mos cënuar sigurinë kombëtare të secilit vend.
Procesi i Berlinit[4] dhe Plani i Veprimit[5] duket se shoqërohen gjithmonë nga mosmarrëveshjet nga e kaluara, për të cilat ky proces ndërveprimi kërkon ti sheshojë/anashkalojë përkohësisht për ti adresuar për zgjidhje një nga një në të ardhmen. Në lidhje me këtë secili politikan i fuqishëm i BE-së mban rezervë vetëm shpresën që procesi të mos mbetet peng nga e kaluara, pa qenë në gjendje të adresojnë paketa dalëse për krizat e kaluara politike, që ndikojnë direkt në marëdhëniet ekonomike të vendeve të Ballkanit.
Pyetja për përgjigje në këtë drejtim është se cilat barriera teknike dhe politika kombëtare penguese duhet të hiqen së pari?
Disa barriera që së pari duhet të hiqen po i përmendim këtu, por zgjidhjet definitive dhe detyruese që kontribuojnë në stabilitetin rajonal duhet të gjenden dhe zbatohen para se çdo vend të aderojë në këtë mekanizëm eksperimental bashkëpunimi.
Së pari, procesi i anëtarësimit në BE, i cili është dypalësh dhe jo rajonal është barriera e parë, e cila nuk mundet të mbajë në kontroll vendet ballkanike që përparojnë drejt anëtarësimit me shpejtësi të ndryshme. Në këtë garim, vendet më të përparuara në anëtarësim mund të ngadalësohen nga procesi i integrimit rajonal, ndërsa vendet që kanë dështuar deri tani në hapjen e negociatave ndoshta duhet të bëjnë edhe më tej durim, pavarësisht datës 6 Tetor, që përsëri ka pritshmëri.
Barriera e dytë për bashkëpunimin rajonal është se një treg i unifikuar krijon konflikt interesash me bashkimin doganor. Kjo ndodh sepse vendet kanë marrëdhënie të ndryshme tregtare me vende të tjera, të cilat dalin jashtë kritereve të këtij mekanizmi ndërballkanik. Në këtë rast, vendet që kanë marëdhënie dypalëshe të ngushta tregtare, p.sh. Serbi-Rusi, Mali i Zi-Kinë, etj. Do të kishin ndikimin e vet të fuqishëm dhe ndërhyrës në ekonomitë ballkanike, por me një potencial ndikues mjaft të fuqishëm. Ndërkohë, politikat kombëtare dhe përfshirja e vendeve duhet të bazohet te besimi i ndërsjelltë, por edhe një qasje joselektive në bashkëveprim. Ata duhet të bazohen te qasja, që çfarë është imja mund të jetë dhe jotja dhe anasjelltas.
Barriera e tretë është shkëmbimet tregtare të disbalancuara brenda vendeve të zonës rajonale të tregtisë së lirë CEFTA. Problemi i vetëm nuk është se Serbia ka një tepricë në tregtinë rajonale, ndërsa vendet e tjera kanë deficite. Por, procesi për tregun e përbashkët rajonal nuk është i qartë se si ndikon heqja e barrierave teknike dhe veprime të tjera pasuese në strategjitë dhe politikat ekonomike dhe zhvillimore sektoriale për vendet pjesëmarrëse. Kjo ka të bëjë me politikat kombëtare të përcaktuara që të kenë përparësi në zhvillimin e vendit dhe në këtë drejtim mbetet e paqartë nëse tregu i vetëm rajonal promovon politikat kombëtare në të njëjtën masë në të gjitha vendet anëtare të rajonit. Në këtë mes, kjo qasje e tregut rajonal nuk është e qartë nëse ndikon në të gjitha vendet në mënyrë të barabartë për të përfituar atë që ekonomia kombëtare mundet ta futë në buxhetin e vet.
Duke konsideruar faktin, se vendet e Ballkanit[6] nuk do të ndryshojnë modelin e lidershipit, por vetëm qasjen drejt tregut të përbashkët këto barriera shpesh lidhen me mungesën e vullnetit politik dhe rezistencës institucionale që në fakt ky proces nuk mund ti ndërhyjë dot pasi janë politika të brendshme që në rastin më të mirë quhen si ndërhyrje në punët e brendshme.
[1] Ky takim dhe ato vijuese deri te takimi më i fundit, i mbajtur në 29 Korrik 2021 zhvillohen si pjesë e Procesit të Berlinit, një nismë e mbështetur nga BE për të rritur bashkëpunimin rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të ndihmuar përpjekjet e tyre integruese evropiane.
[2] Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbi
[3] Një barrierë teknike për tregtinë është çdo rregullore, standard ose procedurë që mund ta bëjë eksportimin e mallrave në një vend tjetër më të vështirë. Këto barriera janë shpesh për eksportuesit pengesa më të mëdha sesa vetë tarifat doganore. Shembuj të barrierave teknike në tregti janë procedurat e testimit ose certifikimit të mallrave.Heqja e barrierave të tilla është një nga detyrat prioritare të Komunitetit Evropian. Barrierat tregtare janë kufizime të përcaktuara nga qeveria në lidhje me tregtinë ndërkombëtare/ndërkufitare. Në teori, tregtia e lirë përfshin heqjen e të gjitha barrierave të tilla, me përjashtim të atyre që konsiderohen të nevojshme për shëndetin ose sigurinë kombëtare.
[4] https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/policy/common-regional-market_en
[5] https://www.rcc.int/pages/143/common-regional-market
[6] https://balkansgroup.org/wp-content/uploads/2021/03/Bashkëpunimi-rajonal-në-Ballkanin-Perëndimor_ZONA-EKONOMIKE-RAJONALE-“MINI-SHENGENI”-DHE-TREGU-I-PËRBASHKËT-RAJONAL-print-1.pdf
https://www.rcc.int/download/docs/Intervista%20e%20Sekretares%20së%20Përgjithshme%20të%20RCC.pdf/1b7ce6b41ec8d0eabb617472d3e3820e.pdf
https://www.altax.al/al/publikime-te-altax/product/download/file_id-552 (faqe 35)