Heqja dorë nga një udhëheqës i dështuar dhe strategjia e dëmtuar është një gjë. Braktisja e dikujt që ju dhe shumica e miqve tuaj mendoni se nuk është lidershipi i ligjshëm dhe pushteti i të cilit u arrit me një mashtrim gjigant është diçka krejt tjetër.
Ofrimi i drejtimit politik prej liderëve, respektivisht, i partisë socialiste z. Rama në 2005 dhe i partisë demokratike z. Basha në 2013 ishin biletat fituese për legjitimizimin, që do tu duhej te dyve për të mundësuar ngritjen e tyre si drejtuesit e rinj politikë.
Duke kapur me shkathtësi zemërimin e njerëzve të zakonshëm, shumë prej të cilëve ndiheshin të injoruar ose keqtrajtuar nga partitë politike, z.Rama u votua për tu zgjedhur bashkë me z. Meta, si Kryeministër në qeverinë që startoi prej 2013. Po kështu z. Basha nëpërmjet mundësisë që i dha z. Meta arriti fitoren e tij të parë drejt pushtetit, që startoi në vitin 2011. I pari vijon ende që të gëzojë frytet e qeverisjes, ndërsa i dyti e ndërpreu këtë shans pas pak kohësh.
Demokracia që ishte infektuar në atë periudhë ende vijon të jetë e tillë edhe pas vitesh të tëra shprese se kura e premtuar do ta ndryshonte shëndetin e brishtë. Që nga fundi i qeverisë së fundit të regjimit të kaluar, dëmtimi i modelit demokratik është shkaktuar jo nga të huajt, por nga vetë qeveritë e zgjedhura. Ashtu si në gjithë qeverisjet me vullnet të korruptuar, udhëheqësit e zgjedhur kanë lejuar që të përdoren institucionet demokratike për qëllime personale.
Në gjithë këto 30 vite, z. Nano, z. Berisha dhe z. Rama larguan figurat e opozitës dhe ekspertët neutralë nga institucionet publike, zgjatën gjatësinë e mandatit të tyre apo pasardhësve të tyre në mënyrë që ata të mbartin ndikimin e pushtetit të tyre përtej mandatit të zakonshëm të një qeverie demokratike.
Por diskutimi më i vlefshëm në këto vite të fundit është i lidhur me tendencat që munden të gjenden si shenja të autokracisë prej shumë vitesh edhe në Shqipëri për lidershipin që ka marrë mandatin të qeverisë vendin.
A është realisht objekt për diskutim modeli autokrat në vendin tonë apo është thjesht etiketim për të fituar mbështetje politike dhe për të nxjerrë zemërimin e brendshëm për qëllime personale?
Autokratët e zgjedhur nga njerëzit nuk dalin direkt si të tillë dhe duket se mbajnë një lustër të demokracisë, ndërsa dëbojnë përmbajtjen e saj.
Ata përdorin mandatet e tyre demokratike për të filluar reformat ligjore që heqin kontrollet e pushtetit ekzekutiv, kufizojnë sfidat ndaj sundimit të tyre dhe minojnë institucionet thelbësore të përgjegjësisë së shtetit demokratik. Meqenëse këta autokratë i bëjnë efektive masat e tyre joliberale me mbështetje elektorale dhe përdorin metoda kushtetuese ose ligjore për të përmbushur qëllimet e tyre, ata mund t’i fshehin modelet e tyre autokratike në pluralizmin e formave legjitime ligjore.
Autokratët e fshehtë ndjekin një rrugë më të butë ndaj kapjes se shetit, por në fund të fundit, edhe shkatërruese.
Ata mandatohen si demokratë dhe qeverisin në emër të mandatit të tyre demokratik. Ata nuk i shkatërrojnë institucionet shtetërore, por rivendosin rregulla që shfuqizojnë ato që trashëguan.
Ky model vlen tashmë si frymë e përhapur te lidershipi. Sapo një autoritar i ardhshëm vjen në pushtet, demokracitë përballen me një provë të madhe kritike:
– A do të prishë udhëheqësi autokratik institucionet demokratike apo do të kufizohet prej tyre?
Në realitetin e përditshëm, të vetme institucionet edhe sikur të jenë të forta, ato nuk janë të mjaftueshme për të frenuar autokratët e zgjedhur. Armët e tyre janë ligjet, rishikimi kushtetues dhe reforma institucionale. Ideologjia e tyre shpesh është fleksibile. Dhe ata lënë mjaftueshëm njerëz të shprehen ne kundërshtim me ta, pasi kundërshtimet e individëve përfaqësojnë një lidership shumë të dobët për të luajtur rolin e udhëheqjes së popullit kundër vullnetit të korruptuar, ndërsa i bëjnë të duken liderët autokratë si mjaft tolerantë.
Në vend të një politike të tokës së djegur, që lufton të gjithë kundërshtarët, në këto modele autokratikisht legaliste gjenden një grusht gazetash të vogla opozitare, disa parti të dobëta politike, disa OJQ miqësore me qeverinë, si dhe ndoshta edhe një disident ose disa prej tyre të dukshëm si zëra kritikë, por me pak ndikim në mendimin qytetar.
Autokratët e rinj në realitet i eleminojnë kundërshtarët e tyre njësoj si ata të vjetrit, por duke u bërë presion ndryshe: ata i sfidojnë përmes masave ekonomike që mund të ngatërrohen lehtësisht me fatin e keq. Kundërshtarët pushohen nga puna, u mohohen përfitimet e ligjshme për arsye teknike dhe dëbohen nga të drejtat e tyre për shkak të shkeljeve të vogla dhe teknike. Pronarëve të bizneseve që qeveria dëshiron ti kapë në mënyrë që të rishpërndajë tek ata frutet e korrupsionit dhe ti kthejë në aleatët e saj u ofrohen oferta që ata nuk mund tu shmangen apo ti kundërshtojnë, sepse siguria ekonomike, e drejta për të operuar një biznes pa inspektime qeveritare, e drejta për të ardhura të mëdha përmes programeve të mirëqenies janë shumë të lehta dhe të frytshme.
Në vend të kësaj është edhe pjesa tjetër e bizneseve dhe njerëzve që nuk kanë asnjë shans të jenë pjesë e këtyre të drejtave të njohura nga kushtetuta dhe ligjet që duhet të prodhojnë barazi për secilin. Kjo pjesë është e përjashtuar për të gëzuar frytet e sistemit të të drejtës. Këtu jemi shumica nga ne që lejohemi vetëm të shikojmë dhe nganjëherë edhe të flasim për ta, por pa patur asnjë shans të ndryshojmë situatën në favorin tonë.
Autokratët e rinj kanë mësuar se ata mund të konsolidojnë fuqinë e tyre nëse thjesht mund t’i bëjnë kundërshtarët e tyre të heqin dorë dhe të largohen, ose të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbajnë fort aq sa u mundësohet të kenë me përpjekjet e tyre. Autokratët tanë nuk kanë nevojë të burgosin ose vrasin ata që kundërshtojnë autokracinë, pasi ata thjesht duhet t’i bëjnë rregullat e funksionimit sikur tolerojnë liritë e njerëzve, por që në fakt miratojnë ligje dhe akte që zvogëlojnë shanset për një qasje të barabartë në të mirat publike dhe pasuritë e vendit.
Shumë përpjekje të qeverisë nën frymën autokratike për të përmbysur demokracinë janë “ligjore”, në kuptimin që ato miratohen nga legjislatura ose pranohen nga gjykatat. Ato madje mund të portretizohen si përpjekje për të përmirësuar demokracinë duke e bërë gjyqësorin më efikas, luftimin e korrupsionit ose pastrimin e procesit zgjedhor më të vlefshëm për njerëzit. Mediat ende botojnë kritika, por orientohen dhe përshtaten automatikisht me censurën, si formë jetese kompromisi në kushtet e besimit të humbur se mund të ndryshohet diçka nga e sotmja. Qytetarët vazhdojnë të kritikojnë qeverinë, por shpesh e gjejnë veten duke u përballur me probleme tatimore ose probleme të tjera ligjore. Kjo gjendje mbjell konfuzion publik. Njerëzit nuk e kuptojnë menjëherë se çfarë po ndodh. Shumë vazhdojnë të besojnë se po jetojnë nën një demokraci, ose nën një luftë ideologjike midis modës së vjetër dhe asaj të re.
Ndërkohë, në Shqipëri drejtuesit e dy partive të mëdha e pranojnë njëri-tjetrin si të ligjshëm, por nuk i rezistojnë tundimit për të përdorur kontrollin e tyre të përkohshëm të institucioneve në avantazh jo maksimal partiak.
Erozioni i normave tona demokratike filloi në vitet ‘90 dhe u thellua në dekadën e fundit. Z. Basha, z. Meta dhe z. Rama mund ta kenë përshpejtuar këtë proces, por nuk e shkaktuan ata këtë fenomen shkatërrues.
Dobësimi i normave tona demokratike është i rrënjosur në polarizimin ekstrem partizan, që shtrihet përtej ndryshimeve të politikave në një konflikt ekzistencial mbi egzistencën dhe kulturën.
Përpjekjet e udhëheqësve për të arritur epërsinë mes tyre, ndërsa shoqëria jonë rritet gjithnjë e më e larmishme kanë nxitur një reagim tinëzar dhe intensifikim te polarizimit. Dhe nëse një gjë është e qartë nga studimi i avarive gjatë historisë, është se polarizimi i skajshëm politik e plagos, po ashtu dhe mund ta vrasë demokracinë.
Tashmë kemi arsye të alarmohemi.
Mënyra si erdhën në pushtet në të njëjtën rrugë të dy liderët e partive të mëdha, nga brenda, përmes zgjedhjeve ose aleancave me figura të fuqishme politike ishte një hyrje që u konsiderua si ripërtëritje natyrale e frymës politike. Në secilën rast, elitat besuan se ftesa për pushtet do të përmbajë së jashtmi rrezikun, duke çuar në një rivendosje të kontrollit nga politikanët e zakonshëm. Por planet e tyre u kundërshtuan nga koha. Një përzierje vdekjeprurëse e ambicies, frikës dhe llogaritjes së gabuar përbetoi për t’i çuar ata në të njëjtin gabim fatal: dorëzimin me dëshirë të çelësave të pushtetit një autokrati që bën.
Nëse një individ karizmatik jashtë historikut të partisë del në skenë, duke fituar popullaritet ndërsa sfidon rendin e vjetër, është joshëse për politikanët e vjetër që mendojnë se problemi i tyre po zgjidhet dhe përpiqen ta kooptojnë atë. Elita e vjetër partiake mendon se duke ndihmuar dhe qëndruar afër të ngjitet në krye prurjen e re para se ta bëjnë rivalët e tij, ai mund të përdorë energjinë dhe bazën e tij për të tejkaluar kolegët e tij. Dhe pastaj, politikanët e vjetër shpresojnë, rebeli partiak mund të ridrejtohet për të mbështetur programin e tyre.
Por prej këtu lind një problem madhor!
Demokracitë mund të mbyten nga duart e udhëheqësve të zgjedhur, presidentë ose kryeministra që prishin vetë procesin që i solli ata në pushtet.
Kushtetutat duhet të mbrohen nga partitë politike dhe qytetarët e organizuar, por të drejtuar nga normat demokratike. Pa norma të forta, kontrollet dhe ekuilibrat kushtetuese nuk shërbejnë si pjesë kryesore të demokracisë që ne i imagjinojmë të jenë. Institucionet bëhen armë politike, të përdorura me forcë nga ata që i kontrollojnë kundër atyre që nuk i kontrollojnë ato. Kjo është mënyra se si autokratët e zgjedhur përmbysin demokracinë, paketimin e agjencive neutrale, blerjen e mediave dhe sektorit privat (ose ngacmimin e tyre në heshtje), dhe rishkrimin e rregullave të politikës për të anuar fushën e lojës kundër kundërshtarëve. Paradoksi tragjik i rrugës elektorale drejt autoritarizmit është që vrasësit e demokracisë përdorin vetë institucionet e demokracisë, gradualisht, me detaje.