Në momente zgjedhjesh politikanët përpiqen të duken si njerëzit e përditshëm . Në realitet, njësoj si premtimet që bëjnë ata vetëm duken, por nuk ngjajnë me njerëzit e zakonshëm. Është një përditshmëri, që për shumë njerëz, ashtu si fillimi i një qeverisje nis me shpresa dhe optimizëm për ndryshim. Por, edhe pse shpresa mbaron me njeriun, fundi i qeverisjes ngjan me fundin e një dite.
Nëse do të shikonim çfarë është premtuar, sa herë janë përsëritur zgjedhjet dhe se si drejtuesit e qeverive kanë devijuar shumë premtime me këmbëngulje arrogante edhe pse shprehen se janë në anën e njerëzve dhe punojnë për të ardhmen e tyre, duhet kujtuar e kaluara dhe historia personale, që e mban të lidhur secilin prej tyre. Në fakt në momente të tilla, kur ka kriza të lidershipit, bashkë me krizat e shkaktuara nga politikat e gabuara shpresa gjendet te teknokratët. Kjo pritet të ndodhë edhe në këto post zgjedhje dhe pse kërkesa është mbi modelin autoritar, i dallueshëm te disa liderë të demokracisë shqiptare.
E nëse përmendim teknokracinë, ajo realisht asnjëherë nuk është bërë dot një sistem qeverisje në Shqipëri, nëse mbajmë parasysh veçanërisht qeverisjet teknokrate në lidhje me njohuritë e tyre të spikatura teknike. Kur politikanët e kanë përqendruar vëmendjen në zgjidhjet teknike, në të vërtetë ata kanë dashur të mbulojnë qeverisjet me probleme, apo në raste të ndryshme kanë synuar të maskojnë modelin e tyre autokratik të qeverisjes, por pa lënë mundësi qeverisje reale për teknokratët e zgjedhur në qeverisje.
Kjo është zbehja morale e të bërit politikë në historinë tonë.
Çdo qasje ndaj zhvillimit ose do të respektojë të drejtat e të gjitha grupeve të qytetarëve, ose do t’i shkelë ato. Dikush nuk mund ta shmangë këtë zgjedhje morale duke iu drejtuar politikave “joideologjike” të vendosura në gojën e disa ekspertëve të përzgjedhur si përfaqësues të teknokracisë. Natyrisht, që ne mund ta perceptojmë menaxhimin teknokratik si më pak “shtypës” dhe që i kushton shumë pak rëndësi referimit tek ideologjia politike e partive shqiptare. Sidoqoftë, kjo mund të jetë e vërtetë nëse qeverisja teknokrate është një mënyrë funksionale për aq kohë sa ajo nuk pengon mendimin e gjerë politik, reflektimin ndaj ideve dhe debateve, pra funksionimi rreth qëllimit për të cilën thirren teknokratët.
Megjithatë, qasja teknokratike është pak e mundur të funksionojë edhe këtë radhë.
Pse?
Sepse pushteti politik ka qenë dhe vijon të jetë i administruar nga pak njerëz jo teknikë, të pa kontrolluar nga asnjë institucion realisht, si dhe në kushtet e mungesës së ekuilibrave të shtetit, që normalisht nevojiten të kontrollojnë ushtrimin e pushtetit.
Kjo nuk është veçanti shqiptare, por një rikthim i modelit të drejtimit të fund viteve ’70, në formatin e një sistemi post demokratik liberal.
Kushtetutshmëria liberale po merr goditje nga udhëheqësit karizmatikë tashmë në vende të ndryshme, madje edhe më të zhvilluar se shteti jonë. Por, goditje të tilla janë paralajmëruar prej kohësh. Kriza financiare dhe kriza e besimit të publikut janë veçanërisht të dukshme në vende që janë goditur rëndë nga kriza e sistemit demokratik liberal. Ndërkaq pandemia i bëri gjërat më keq, pasi tashmë rënia e vlerave demokratike është një proces, sepse gabimet që kanë ndodhur në kohën e demokracisë janë histori e hidhur në shumë vende në të njëjtën kohë. Vlerat demokratike, gjithsesi nuk po zbehen thjesht për arsye kulturore, ose ekonomike, ose politike. Disa demokraci kushtetuese po rrëmbehen qëllimisht nga një grup autokratësh të zgjuar “ligjërisht”, të cilët përdorin kushtetutshmërinë dhe demokracinë për ti shkatërruar të dyja ato.
E ndërsa kthehemi në Shqipëri, largimi nga beteja për mbrojtjen ligjore të vlerave demokratike është një qasje e gabuar, që fuqizon prirjet negative te qeverisjes. Duke e parë si një zgjidhje dhe dalje nga situata shumë vjeçare e një lidershipi në krizë të vazhdueshme, ekspertiza duhet parë nga të gjithë politikanët, humbës dhe fituesë, si një referencë e fuqishme në adresimin për zgjidhje të problemeve të trashëguara dhe komplekse. Aq më tepër kur ekspertiza e sotme duhet të vlejë jo më si këshilltare e politikës, por si pjesë vendimmarrëse e saj.
Nëse një grup i ri drejtuesish teknokratë do të jenë në role ashtu si modeli i qeverive teknike në Itali, apo edhe qeveritë teknike të dekadës së fundit në Greqi, atëherë ky është realisht modeli i ri i politikëbërjes, pasi më e pakta ndërthur reputacionin dhe besueshmërinë e profesionit të tyre me autoritetin dhe fuqinë e shtetit.
Ekspertët gjithashtu mund të bëjnë gabime.
Natyra e një situate komplekse dhe emergjente që u vihet për zgjidhje do të thotë që vendimet mund të mos analizohen dhe ato të merren bazuar në informacione jo të plota në një mjedis që ndryshon me shpejtësi. Nëse modelimi mbi të cilin ekspertët mbështesin vendimet e tyre dhe masat emergjente është i pasigurt, në rastin më të mirë, disa nga ndërhyrjet e tyre mund të jenë gracka ku politikanët autokratë i orientojnë qëllimisht për të demaskuar rolin e tyre. Kështu, p.sh. nëse teknokratët do të mendonin se varfëria minimizohet me zgjidhje teknokratike, kjo qasje është një kurth për ta, pasi varfëria në thelb është një mungesë e të drejtave. Qasjet neutrale nga ana morale ndaj varfërisë nuk ekzistojnë.
Shumë qytetarë, që janë bërë cinikë pas shumë premtimeve të dështuara dhe që tashmë kanë votuar në mënyrë të përsëritur për ndryshime duke mos përfituar ndryshimin që kërkojnë, natyrshëm do të zgjedhin vlerat joliberale duke rënë pre e mashtrimeve të ndryshme të momenteve historike. Në këtë moment, neve jemi pikërisht duke përjetuar një demokraci joliberale, e cila është treguesi se jetojmë në një sistem politik që e sfidon hapjen e shoqërisë. Në këto momente të jetës së secilit prej nesh, që dukemi njësoj dhe jemi njësoj duhet të mësojmë të njohim shenjat e reja të rrezikut, që do të thotë se duhet të bëhemi më reflektivë në dokumentimin e rasteve të problemeve të sistemit dhe eksponentëve të tij dhe të mësojmë prej njeri-tjetrit.
Kjo vlen për vete, por vlen për të edukuar me këto ndjenja edhe të rinjtë. Edukimi qytetar duhet t’i mësojë njerëzit të njohin shenjat e reja të rrezikut. Në këtë kuptim p.sh. edhe vetë procesi i hartimit dhe procesit të miratimit të Ligjit është shumë i rëndësishëm për t’u lënë vetëm në dorë të juristëve të politikës. Njerëzit përtej elitës së arsimuar duhet të dinë pse ka rëndësi të jemi të informuar jo nga partitë, por nga njeri-tjetri, bazuar te mirëbesimi. Ne duhet të mësojmë se si të mendojmë për t’iu përgjigjur atyre që tashmë i mban peng e kaluara e tyre në qeverisje apo duke qenë ngushtë të lidhur me të. Spektri politik është aq i fragmentuar dhe komunikimi politik aq i ashpër sa, në një situatë te tillë krize, tregjet dhe partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar përgjigje të përcaktuara mbi zhvillimet politike dhe këto nuk mund të sigurohen nga figurat politike aktuale të cilët kanë konsumuar shanset e tyre historike. Krizave shumë të fuqishme, njësoj si kjo krizë kaq e rëndë që po kalojmë, me përmasa të jashtëzakonshme, i duhen veprime të jashtëzakonshme politike, por që nuk garantohen dot në përmbushje e tyre nga politikanët tanë që kanë dështuar në daljet nga kriza disa herë më të vogla se kjo krizë e sotme.
Ata i mban peng e kaluara e tyre. Kjo është një arsye e fortë pse duhen teknokratët.
E duke u kthyer prapë tek diskutimi i modelit të një qeverisje nga teknokratët, them se ata mund të bëjnë shumë nëse ngrihen mbi debatin politik paralizues të dy partive. Teknokratët me reputacion, me kompetencë dhe përvojë të madhe mund të ndikojnë mbi tregun dhe ekonominë dhe të përcjellin edhe jashtë Shqiperisë se ata përfaqësojnë ndryshimin. Masat që ata duhet të zbatojnë janë aq të vështira sa ata nuk do të kishin arritur të merrnin mbështetjen e nevojshme politike nëse prezantohen nga ndonjë politikan.
Një avantazh është shpejtësia me të cilën ata mund të marrin vendimet e tyre, kur ato nevojiten të ndërmerren si veprime të shpejta për të qetësuar ekonominë dhe financat. Miratimi demokratik do të vijë në një fazë të mëvonshme.
Ka disa përfitime për një qeveri të udhëhequr nga teknokratët në kohë krizash.
Teknokratët sjellin një avantazh reputacioni, si në aspektin e njohurive ashtu edhe në sensin e vendosjes së interesave kombëtare mbi interesat politike të partisë.
Por, kjo nuk duhet të kuptohet se qeveria duhet të zotërohet vetëm nga teknokratë.
Qeveritë e drejtuara vetëm nga teknokratë mund të jenë në rregull për një periudhë afatshkurtër, por kur ato fillojnë të përballen me sfidën politike dhe reagimin e imponuar nga masat e ashpra shtrënguese, atyre u mungon legjitimiteti politik që të zgjidhin të vetëm këto situata e sfida. Politikanët e pastër të partive të vjetra dhe të reja duhet të jenë pjesa tjetër që ka nevojë qeveria. Por, jo politikanët që kanë dështuar në zbatimin e politikave dhe nuk kanë çfarë të japin më tej.