167 milionë euro si rezervë për pensionet mes mesazhit politik dhe sfidës së qëndrueshmërisë

21/02/20260

Në mes të shkurtit 2026, kur Shqipëria po përgatitet për një vit të ri plot sfida demografike, Ministria e Financave njoftoi një lëvizje që menjëherë u kthye në lajm të madh.

Rreth 167 milionë euro fonde buxhetore të papërdorura nga ministritë dhe institucionet publike gjatë vitit 2025 janë transferuar në Llogarinë Speciale të Fondit të Veçantë të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë. Ky operacion, i kryer në zbatim të Aktit Normativ nr. 11 datë 19 dhjetor 2025, nuk është thjesht një llogari kontabël. Është një vendim që qeveria e paraqet si hap historik drejt forcimit të qëndrueshmërisë së skemës publike të pensioneve, një sistem që sot numëron deri në 763 mijë përfitues dhe që, sipas projeksioneve, do të kërkojë rreth 2 miliardë euro shpenzime vetëm në vitin 2026.

Fondi i Veçantë i Pensioneve (ose Fondi Special i Pensioneve) është krijuar relativisht vonë, si pjesë e paketës së reformës së pensioneve që qeveria po zbaton gradualisht që nga viti 2025. Ky fond nuk është një institucion i ri i pavarur si ISSH-ja, por një llogari e dedikuar speciale e hapur pranë Bankës së Shqipërisë, e cila shërben si rezervë shtesë për skemën publike të pensioneve.

Akti normativ (një instrument ligjor emergjent që ndryshon ligjin e buxhetit pa kaluar procedurën e plotë parlamentare dhe pa asnjë konsultim publik) u miratua nga Këshilli i Ministrave dhe u prezantua në Kuvend nga Ministri i Financave, z. Petrit Malaj. Në të, qeveria vendosi një rregull të ri, ku çdo lekë buxhetor i pashpenzuar nga ministritë dhe institucionet publike në fund të vitit buxhetor 2025 nuk do të kthehej thjesht në thesarin e përgjithshëm ose të humbiste, por do të transferohej automatikisht në këtë llogari speciale për pensionet.

Kjo ishte një risi në menaxhimin buxhetor shqiptar, i cili zakonisht fondet e papërdorura i mbyll ose rishpërndan në shpenzime të tjera. Me këtë akt, qeveria e ktheu “mosrealizimin” e shpenzimeve në një avantazh për sistemin e pensioneve. Në janar-shkurt 2026, kur u mbyllën llogaritë e vitit 2025, doli se ministritë kishin lënë pa shpenzuar rreth 167 milionë euro (për shkak të vonesave në prokurime, burokracisë, projekte të vonuara ose planifikim joefikas). Këto para u transferuan menjëherë në llogarinë e Fondit të Veçantë pranë Bankës së Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama e ngriti menjëherë lart këtë lajm, duke e kthyer në një deklaratë emocionale dhe politike të fortë. Në podkastin “Flasim”, ai tha, se “Këtë javë është kryer edhe një transferim i rëndësishëm financiar që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e sistemit të pensioneve dhe me çka jemi zotuar për gjyshet dhe gjyshërit e kësaj republike… Transferimi i këtyre 167 milionë eurove në këtë fond e rrit kapacitetin e sistemit për të përballuar zotimet e marra gërmë për gërmë, shifër për shifër… duke garantuar kështu rritjen e premtuar të pagave mujore për pensionistët, si dhe qëndrueshmërinë e sistemit.” Me këtë fjalë, Rama lidhi drejtpërdrejt paratë e kursyera me “gjyshërit”, duke i dhënë lëvizjes një ngarkesë simbolike të fortë, si një premtim i mbajtur ndaj brezit që bën ndryshimin në nivelin e votave në vend.

Por çfarë ndodh realisht me këto para në jetën e përditshme të një pensionisti sot? Për momentin, asnjë ndryshim.

Asnjë lekë shtesë nuk shkon në pensionin e muajit shkurt ose mars 2026. Pagesat aktuale vazhdojnë të financohen nga kontributet e derdhura plus subvencionin vjetor të buxhetit (që për 2026 pritet të jetë afër 2 miliardë euro). Rritjet mujore që nisën nga janari në nivelet 1.800 lekë për pension urban të plotë, 1.000 lekë për rural, 800 lekë për urban të pjesshëm, 700 lekë për familjar dhe 600 lekë për invalid financohen veçmas nga buxheti i sigurimeve shoqërore (rreth 9.8 miliardë lekë ose 98 milionë euro vetëm për këtë masë). Ndërkohë, 167 milionë eurot janë thjesht një rezervë e dedikuar, e mbrojtur në Bankën e Shqipërisë, që mund të përdoret për të amortizuar presionin e ardhshëm, jo për të plotësuar xhepin e sotëm.

Në një periudhë afatgjatë, kjo rezervë ka një peshë reale edhe pse modeste. Fondi 167 milionë euro përfaqëson rreth 8.3% të shpenzimeve vjetore të skemës së pensioneve. Pra, është një “jastëk” financiar që mund të ndihmojë në përballimin e rritjeve të premtuara (që do të dyfishohen në 2027, trefishohen në 2028 dhe do të vazhdojnë deri në 2029), të inflacionit ose të rritjes së numrit të pensionistëve. Duke qenë të depozituara në një llogari speciale, paratë janë të mbrojtura nga përdorime të tjera afatshkurtra dhe mund të gjenerojnë edhe pak interes. Krahasuar me vitet e mëparshme, kur fondet e pashpenzuara thjesht mbylleshin ose rishpërndaheshin pa transparencë, kjo është një zgjidhje më racionale dhe më e përgjegjshme.

Megjithatë, realiteti nuk lejon entuziazëm të tepruar.

Këto nuk janë para “të reja” të krijuara nga rritja ekonomike apo nga formalizimi i ekonomisë, por thjesht fonde që ministritë nuk arritën t’i shpenzonin për shkak të burokracisë, vonesave në prokurime ose planifikimit joefikas.

Skema e pensioneve mbetet thellësisht deficitare dhe kontributet mbulojnë vetëm rreth 76% të shpenzimeve, ndërsa plakja e popullsisë, emigracioni dhe baza e ngushtë e kontribuuesve e bëjnë deficitin strukturor. Edhe me këtë rezervë në formatrin e një fondi, nëse nuk vijohet me reforma të thella, si zgjerimi i bazës së kontributeve, zhvillimi i skemave private, formalizimi i ekonomisë informale dhe rishikimi i parametrave (që tashmë po ndodh gradualisht: gratë dalin në pension në moshën 62 vjeç që nga 2026) paratë do të harxhohen gradualisht si ujë në rërë.

Dimensioni politik është i pamohueshëm dhe i fuqishëm.

Duke e lidhur transferimin me “gjyshet dhe gjyshërit”, qeveria i dërgon një mesazh të qartë elektoratit të moshuar, se ne po mendojmë për ju edhe kur paratë vijnë nga kursimet e tjera. Në një kohë kur pensioni mesatar urban është ende rreth 19-27 mijë lekë (varësisht nga kategoria) dhe rural rreth 11-12 mijë lekë, çdo sinjal përforcimi ka peshë emocionale dhe elektorale.

Por pikërisht këtu qëndron edhe rreziku. Efekti simbolik mund të jetë më i madh se ai financiar. Kjo nismë politike ka nevojë për ato që mungojnë sot në ambientin politik dhe social shqiptar, si garancitë ligjore të forta për transparencë vjetore, raportimi publik dhe përdorimi vetëm për qëllime pensionesh. Nëse do të vijohet me modelin e qeverisjes aktuale të buxhetit, atëherë fondi do të kthehet në instrument për prioritete politike të momentit.

Në fund të fundit, transferimi i 167 milionë eurove në një llogari bankare është një hap pozitiv dhe më i mirë se sa të liheshin paratë të shpërndaheshin në shpenzime të kota ose të humbisnin në fund të vitit buxhetor, si ka ndodhur me fonde të tilla. Ai krijon një shtresë sigurie shtesë dhe dëshmon një prioritet politik për pensionet. Por nuk është, dhe nuk mund të jetë, një zgjidhje “shpëtimtare”.

Për pensionistët e sotëm, portofoli mbetet i njëjtë.

Për brezat e ardhshëm, fondi është një mbështetje e dobishme me kusht që të administrohet me disiplinë të hekurt dhe të shoqërohet me reforma strukturore të vërteta, jo vetëm me deklarata.

Pesha e vërtetë e kësaj lëvizjeje nuk do të matet nga shifra e bukur në tituj, por nga mënyra se si do të përdoret ky rezervë dhe nga hapat e tjerë që do të ndërmerren për ta bërë sistemin e pensioneve jo vetëm të qëndrueshëm në letër, por realisht të sigurt për çdo shqiptar që ka kontribuar një jetë të tërë.

Thënë ndryshe, nga njëra anë, tregon një qasje më të përgjegjshme fiskale në drejtim të pensioneve, sepse prioritet i jepet stabilitetit afatgjatë të skemës (që ka deficit kronik) në vend të shpenzimeve të shpejta elektorale ose administrative. Është një reagim pak me vonesë nga qeveria, e cila po përpiqet të krijojë rezerva përballë plakjes së popullsisë dhe presionit në rritje të shpenzimeve sociale (që pritet të arrijnë ~2 miliardë euro në 2026).

Nga ana tjetër, na tregon edhe një realitet të hidhur, që zbatimi i buxhetit 2025 nuk ishte optimal. Shumë projekte mbetën të pazbatuara, investimet publike nuk u realizuan në masën e planifikuar dhe ky “dështim” u kthye në “sukses” për pensionet. Është një lloj komunikimi publik i zgjuar:, ku një situatë dobësie mosshpenzimi të fondeve shërben që të krijohet një fond që lidhet direkt me “gjyshërit dhe gjyshet”.

Në mbyllje, fondi fillon si një mekanizëm për të shfrytëzuar kursimet e detyruara nga mosrealizimet buxhetore, jo si një burim i qëndrueshëm i ri. Për të qenë vërtet i fuqishëm në të ardhmen, do të duhet të plotësohet me masa të tjera (formalizim ekonomie, rritje kontributesh reale, zhvillim skemash private), sepse 167 milionë euro janë një fillim i mirë, por jo zgjidhje përfundimtare për një sistem që ka nevojë për miliarda lekë çdo vit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *