ALTAX Insight · Analizë e zgjeruar · Version i përditësuar, tetor 2026

Demografia, aftësitë dhe produktiviteti

A po humbet Shqipëria kapacitetin për të adoptuar teknologjinë? Nga plakja e popullsisë te polarizimi i pagave dhe produktiviteti.

Të dhënat më të fundit: viti 2025 dhe gjashtëmujori i parë 2026. Burimet: INSTAT, Eurostat, ILO, Banka e Shqipërisë, IMF, ALTAX.

Aritmetika e vitit 2025, personat

Shtesa natyrore (lindje − vdekje)+1.147
Migracioni neto−28.531
Ndryshimi i popullsisë banuese
(−1,16%)
−27.384

Popullsia: 2.363.314 → 2.335.930 (1 janar 2025 → 1 janar 2026). Burimi: INSTAT.

92.150 lekë
Paga mesatare bruto, T2 2026 (+9,8% në vit)
17,7%
Papunësia e të rinjve 15–29 vjeç, T2 2026 (15,7% një vit më parë)
18,7 $
PBB për orë pune, 2025 (ILO): më e ulëta në Ballkanin Perëndimor
45,0 vjeç
Mosha mediane, 1 janar 2026 (BE: 44,9 në 2025)

1Përmbledhje ekzekutive

Problemi demografik i Shqipërisë po bëhet problem produktiviteti. Të dhënat e 2026 e përforcojnë këtë: pagat po rriten më shpejt se prodhimi për të punësuar, ndërsa papunësia rinore rritet edhe pse shkalla e përgjithshme bie.

  • −27.384në një vit, −1,16%

    Migracioni është shkaku i rënies. Migracioni neto (−28.531) është më i madh se rënia totale, sepse shtesa natyrore mbeti pozitive, por simbolike (+1.147). Lindjet ranë në 22.541, 769 më pak se një vit më parë.

  • 45,0mosha mediane, 2026

    Plakja ka kaluar mesataren europiane. BE kishte 44,9 vjeç në 1 janar 2025 (Eurostat). Varësia e të moshuarve në Shqipëri (35,7%) tashmë tejkalon atë të BE-së (34,5%).

  • 92.150lekë, paga mesatare bruto T2 2026

    Pagat po kalojnë produktivitetin. Rritja nominale është 9,8% (INSTAT, 10 shtator 2026), në terma realë rreth 6,6% (inflacioni ≈3,0%), ndërsa PBB real u rrit 3,61%. Me punësim afërsisht të pandryshuar, pagat po rriten rreth 3 pp më shpejt se prodhimi për të punësuar.

  • 17,7%papunësia 15–29 vjeç, T2 2026

    Të rinjtë po mbeten pas. Papunësia rinore u rrit nga 15,7% në 17,7% brenda një viti, ndërsa shkalla e përgjithshme ra në 8,3%. Të papunët e rinj u rritën 16% në vit, të punësuarit e rinj ranë 4%. NEET 2025: 20,1%.

  • 18,7 $PBB për orë pune, 2025

    Produktiviteti është më i ulëti në rajon dhe po bie. Sipas ILO, −4,1% në 2025 dhe nën mesataren globale (23,3 $). Maqedonia e Veriut: 34,0 $; Serbia: 29,8 $; Mali i Zi: 31,1 $.

  • €621 mlnremitancat H1 2026, +16,7%

    Largimi vazhdon dhe mbahet nga dërgesat. Në T2 2026 vetëm: €347 mln (+24%). Remitancat 2025: €1.119 mln.

  • 3,4 / 10ALTAX Skills Readiness

    Sistemi i aftësive është në zonën e rrezikut të lartë. Mbajtja e talenteve (2,5), stimujt fiskalë (3,0) dhe certifikimi ndërkombëtar (3,5) janë dimensionet më të dobëta.

Teza qendrore

Shqipëria nuk përballet vetëm me krizë të fuqisë punëtore, por me krizë të kapacitetit për ta zëvendësuar fuqinë punëtore të humbur me produktivitet, aftësi dhe teknologji. Objektivi i politikës duhet të kalojë nga “më shumë njerëz në punë” te “më shumë produktivitet për çdo person në punë”.

2Një Shqipëri më e vogël dhe më e vjetër

Popullsia po tkurret dhe plaket njëkohësisht. Kjo e dyfishon presionin mbi ofertën e punës.

Popullsia banuese

Milionë banorë

Burimi: INSTAT, Cens 2011 (2.831.741, krahasimi i INSTAT) dhe 2023 (2.402.113); Popullsia 1 janar 2025 dhe 2026 (botuar 2 qershor 2026).

Raporti i varësisë së të moshuarve

Persona 65+ për 100 persona 15–64 vjeç, %

Burimi: INSTAT; Eurostat për BE (1 janar 2025).

Treguesit demografikë1 janar 2025 kundrejt 1 janar 2026
Treguesi20252026Ndryshimi
Popullsia banuese2.363.3142.335.930−1,16%
Mosha mediane44,345,0+0,7 vjet
Varësia e të moshuarve33,3%35,7%+2,4 pp
Varësia totale57,1%59,4%+2,3 pp
Lindje (viti 2024 | viti 2025)23.31022.541−769
Shtesa natyrore–+1.147pozitive, shumë e vogël
Migracioni neto–−28.531negativ

Burimi: INSTAT. Për lindjet, kolonat tregojnë vitet kalendarike 2024 dhe 2025 (23.310 nxirret nga diferenca e raportuar prej 769). Shtesa natyrore dhe migracioni neto i referohen vitit kalendarik 2025.

Mosha mediane: Shqipëria kundrejt Evropës

Vite. Vitet e referencës shënohen te çdo shirit

Burimi: INSTAT; Eurostat, 1 janar 2025 (Italia dhe Irlanda janë skajet e BE-së). Shqipëria 2026 është vlera më e fundit.

Harta e popullsisë, 1 janar 2026
QarkuPeshaNdryshimi vjetor
Tiranë32,8%+0,7%
Fier9,7%–
Elbasan9,5%–
Durrës9,4%–
Kukës–−2,59%
Shkodër–−2,56%

Burimi: INSTAT. Vetëm Tirana regjistroi rritje; qarqet periferike humbasin popullsi më shpejt se mesatarja.

Nëse një popullsi tkurret por mbetet e re, produktiviteti mund të kompensojë një pjesë të humbjes. Kur tkurret dhe plaket njëkohësisht, ulet oferta e punës dhe rritet pesha e popullsisë jashtë moshës aktive. Census 2023 e kishte treguar tashmë këtë drejtim: personat 65+ ishin 19,7% të popullsisë, kundrejt 11,3% në 2011.

3Të rinjtë dhe tregu i punës

Shkalla e përgjithshme e papunësisë po bie, por të rinjtë po mbeten pas. Të dhënat e T2 2026 e dallojnë qartë këtë ndarje.

Papunësia e të rinjve 15–29 vjeç

%

Burimi: INSTAT, Anketa e Forcave të Punës, T2 2026 (botuar 10 shtator 2026). T2 2025 sipas serisë së rishikuar. Shkalla e përgjithshme: 8,3% në T2 2026.

Të rinjtë NEET sipas përbërjes

% e të rinjve në NEET: 20,1% në 2025

Burimi: INSTAT, Tregu i punës 2025 (botuar 23 qershor 2026). “Arsye të tjera” është pjesa e mbetur.

Treguesit kryesorë të tregut të punësAnketa e Forcave të Punës, INSTAT, T2 2026 (botuar 10 shtator 2026)
TreguesiT2 2025T2 2026Ndryshimi
Shkalla e papunësisë, 15+8,5%8,3%−0,2 pp
Shkalla e punësimit, 15+58,4%58,3%−0,1 pp
Pjesëmarrja në forcat e punës, 15–64–76,3%–
Papunësia rinore 15–2915,7%17,7%+2,0 pp
Shkalla e punësimit 15–2943,7%43,6%−0,1 pp
Të papunë 15–29 (mijë)31,636,7+16%
Të punësuar 15–29 (mijë)≈177170,3−4%
Të punësuar gjithsej–≈1,16 milionëpothuajse i pandryshuar
Të punësuar mbi 65 vjeç (2024 → 2025)119.862130.274+8,7%

Burimi: INSTAT; ALTAX. Vlera “≈177” nxirret nga rënia e raportuar prej 4%. Rreshti i fundit krahason 2024 me 2025.

Punësimi total pothuajse nuk është zgjeruar, ndaj ulja e papunësisë së përgjithshme nuk mund t’i atribuohet një zgjerimi të ndjeshëm të punësimit. Paradoksi mbetet: bizneset ankohen për mungesë punëtorësh, ndërsa të rinjtë mbeten të papunë ose jashtë forcave të punës. Kjo është mospërputhje aftësish, tipari që ALTAX e quan “absurditeti i aftësive”.

4Migracioni dhe kapitali njerëzor

Migrimi është ciklik, i përqendruar në moshat më produktive dhe nuk po kthehet në investim zhvillimor. Remitancat po rriten, por rritja e tyre është shenjë e largimit, jo e zhvillimit.

RemitancatBanka e Shqipërisë
Periudha€ mlnNdryshimi vjetor
Viti 2024>1.000+116 mln
Viti 20251.119+74 mln
T1 2026274,3–
T2 2026347+24%
Gjashtëmujori i parë 2026621+16,7%

Burimi: Banka e Shqipërisë (raportuar nga Ekofin, Monitor, A2 Televizion).

Profili i migracionit shqiptarAnketa e Migracionit të Familjeve 2024 (INSTAT dhe Banka Botërore), e fundit e disponueshme
TreguesiVlera
Shqiptarë që jetojnë jashtë vendit≈1,6 milionë
Familje me të paktën një anëtar emigrant ose të kthyer37%
Familje me një anëtar aktualisht jashtë22%
Të kthyer në 12 vjet>108.000
Largimi neto pas pandemisë (2021–2026)>166.000
Grupmosha dominuese e emigrantëve25–44 vjeç
Emigrantë me arsim të lartë≈18%
Paga jashtë vendit krahasuar me Shqipërinë≈2,5×
Remitancat si pjesë e të ardhurave të familjeve marrëse41% (mesatarisht)
Familje që varen nga remitancat≈174.000 (23%)
Investimet e kompanive shqiptare jashtë, 2025€241 mln (+25%)

Burimet: INSTAT/Banka Botërore (bne IntelliNews, dhjetor 2025); Banka e Shqipërisë; Monitor.

Një nuancë që ndryshon interpretimin

Para se të largoheshin, shumica e emigrantëve punonin në Shqipëri në vende pune me aftësi të ulëta ose mesatare dhe me paga nën mesataren. Humbja nuk është vetëm “rrjedhje trurinjsh” e elitës, por humbja e grupmoshës 25–44 vjeç. Ky është interpretimi ynë i të dhënave, jo konstatim i drejtpërdrejtë i anketës.

5Arkitektura e aftësive

Problemi nuk është vetëm demografik. Sistemi nuk prodhon dhe nuk mban në kohë aftësitë që ekonomia kërkon.

ALTAX Skills Readiness Index: Shqipëria

Pikë nga 10. Sa më i ulët, aq më i lartë rreziku

Burimi: ALTAX, “Absurditeti i aftësive dhe polarizimi i pagave”. Indekset janë vlerësime analitike të ALTAX, jo statistika zyrtare.

Asnjë dimension nuk kalon pragun e mesit (5/10). Dimensioni më i dobët është ai që lidhet drejtpërdrejt me demografinë: mbajtja e talenteve. Kjo e lidh analizën e aftësive me atë të migracionit në të njëjtin mekanizëm.

Profesionet ku kërkesa po lëviz drejt teknologjisë

Teknikë automatizimi, operatorë CNC, mirëmbajtës industrialë, teknikë HVAC, instalues fotovoltaikë, teknikë elektronikë, specialistë energjie, profesionistë TIK dhe të dhënash, si dhe profesione të reja të lidhura me AI. Të gjitha kërkojnë aftësinë për të adoptuar teknologjinë. Aftësia nuk është më vetëm karakteristikë e individit, por faktor i produktivitetit kombëtar.

6Pagat dhe polarizimi

Pagat po rriten me ritëm dyshifror, por rritja nuk është e shpërndarë njëlloj. Dy tregje pune po formohen brenda të njëjtës ekonomi.

Paga mesatare mujore bruto

Mijë lekë, periudhat e disponueshme

Burimi: INSTAT (T1 2026 botuar 10 qershor; T2 2026 botuar 10 shtator 2026). T2 dhe T4 përfshijnë shpërblime gjashtëmujore, ndaj krahasimi i drejtë është T2 me T2.

Paga sipas sektorit dhe profesionit, T2 2026

Mijë lekë. Mesatarja: 92,2

Burimi: INSTAT përmes ALTAX. Sektorët dhe profesionet janë klasifikime të ndryshme dhe nuk mblidhen.

Struktura e pagaveINSTAT, T1 dhe T2 2026
TreguesiVleraPeriudha
Paga mesatare bruto92.150 lekë (+9,8%)T2 2026
Paga mesatare bruto90.119 lekë (+9,6%)T1 2026
Sektori privat83.912 lekëT1 2026
Sektori publik105.390 lekë (+25,6% mbi privatin)T1 2026
Të punësuar me pagë minimale25,8%T2 2026
Të punësuar me pagë mbi 120.000 lekë17,1%T2 2026
Paga minimale kombëtare50.000 lekë (nga 40.000)nga 1 janar 2026
Ndërtimi (rritje vjetore)+22,1%T2 2026
Organizatat ndërkombëtare189.000 lekëviti 2025

Burimi: INSTAT; ALTAX; Gazeta Tema (viti 2025 sipas sektorit). Publikimi i radhës (T3 2026): 10 dhjetor 2026.

Pagat kundrejt prodhimit

Rritje vjetore në T2 2026, %

Burimi: INSTAT (paga, PBB, çmimet); llogaritje ALTAX. Paga reale = 1,098/1,030 − 1. PBB real përdoret si përafrim i prodhimit për të punësuar, sepse punësimi është afërsisht i pandryshuar. Nuk është seri zyrtare produktiviteti.

Dy tregje, një ekonomi

Tregu A: aftësi të tregtueshmeTregu B: aftësi tradicionale
ProfiliAftësi teknologjike, certifikim, eksperiencë, gjuhë të huaja, aftësi digjitale, profesion i transferueshëmArsim pa specializim të tregtueshëm, trajnim i pakët, akses i kufizuar në teknologji
Dinamika e pagësMungesa e ofertës + produktiviteti i lartë: paga rritet shpejtPaga mbahet nga pagat minimale dhe nga sektori publik, jo nga produktiviteti
Shembuj në të dhënaFinanca (187 mijë), TIK (144 mijë), menaxherë (141 mijë)25,8% në pagën minimale; hotele dhe ushqim; prodhim me vlerë të ulët
RrezikuPritshmëri pagash të lidhura me tregun evropianPresion pagash pa produktivitet: informalitet, automatizim i detyruar ose emigrim

Dallimi që ka rëndësi

Rritja e pagave të specialistëve nuk është problem kur vjen nga produktiviteti. Problemi lind kur pagat rriten më shpejt se produktiviteti në ekonominë e gjerë, ndërsa pjesa më e madhe e fuqisë punëtore nuk kalon në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë. Të dhënat e 2026 tregojnë se ky rrezik ka filluar të materializohet.

7Produktiviteti dhe ekonomia reale

Shqipëria rritet me 3,6% në vit, por prodhimi për orë pune mbetet më i ulëti në Ballkanin Perëndimor dhe po bie.

Produktiviteti i punës: PBB për orë pune, 2025

Dollarë ndërkombëtarë PPP, sipas ILO

Burimi: ILO (përmes Monitor, 18 gusht 2026). Shqipëria: −4,1% kundrejt 2024. Vlerësime të modeluara, mund të dallojnë nga llogaritë kombëtare.

Rritja ekonomike
TreguesiVleraBotuar
PBB real, 2025 (e rishikuar)3,66%26.03.2026
PBB real, T1 20263,71%29.06.2026
PBB real, T2 20263,61%29.09.2026
Inflacioni, gusht 20263,2%shtator 2026

Burimi: INSTAT. Në T1 2026 administrata publike, arsimi dhe shëndetësia kontribuan 1,68 pp; industria ngushtohet.

Kostoja dhe paga për orë
TreguesiVlera
Kostoja e punës për orë, BE 2025€34,9
Më e ulëta në BE (Bullgaria)€12,0
Paga bruto për orë, Shqipëri T2 2026 (përafrim)≈ €5,7

Eurostat, 31 mars 2026; llogaritje ALTAX me 176 orë në muaj dhe 92 lekë për euro. Pagë bruto, jo kosto e plotë; nuk krahasohet drejtpërdrejt.

Pa rritje produktiviteti, rritja e pagës minimale dhe e pagës mesatare shton kosto pune që nuk mbulohen nga produktiviteti real. Rritja e ndërtuar mbi shërbimet, ndërtimin dhe shpenzimin publik nuk e ngre domosdoshmërisht prodhimin për orë. Prandaj politika e pagave nuk mund të ndahet nga politika e produktivitetit.

8Mekanizmat: çfarë thotë literatura

Studimet nuk përplasen. Ato përshkruajnë dy kanale të ndryshme që veprojnë njëkohësisht.

Katër linja evidence mbi demografinë dhe adoptimin teknologjik
StudimiGjetja kryesoreKanali
Lehr
IMF, 2026
Fuqia punëtore më e re adopton më shumë teknologji, sepse ka horizont më të gjatë për të rikuperuar koston e mësimit. SHBA: ≈0,36 pp/vit TFP gjatë 1995–2004, rreth një e katërta e përshpejtimit.Oferta e aftësive
Nguyen
IMF WP/26/176, 2026
89.380 firma në 144 vende (2022–2025): plakja lidhet me më shumë adoptim automatizimi, veçanërisht te firmat e mëdha dhe prodhimi; ≈0,6 pp për 10 pp varësi. Vetëm 1,9% e firmave raportojnë AI ose automatizim në procese.Presioni i kostos së punës
OECD
“A potential boost from AI in ageing societies”
Ekspozimi ndaj AI ka formë U të përmbysur sipas moshës. Përfitimi kërkon riallokim, rikualifikim dhe dinamizëm biznesi, që mund të jenë më të dobët në shoqëri që plaken.Kufizim kapaciteti
Wasiluk
U. Konstanz, 2014
Modeli për Gjermaninë: plakja e forcës punëtore ul rritjen vjetore të produktivitetit me 0,28 pp (2010–2025), sepse firmat trajnojnë më pak punëtorë të moshuar.Kosto e mësimit

Burimet: dokumenti origjinal ALTAX; IMF; OECD; University of Konstanz. Rezultatet numerike të Lehr dhe koeficienti 0,6 pp i Nguyen janë marrë nga analiza origjinale dhe nuk janë verifikuar me tekstin e plotë të punimeve.

Për Shqipërinë rezulton një dilemë: nevoja për teknologji rritet pikërisht kur kapaciteti njerëzor për ta adoptuar po ulet. Nguyen vëren gjithashtu se firmat në ekonomi më të vjetra raportojnë më shpesh punëtorë të pamjaftueshëm të arsimuar dhe mungesa serioze aftësish.

9Cikli demografik–produktiviteti

Kur trendet përforcojnë njëri-tjetrin, rënia e popullsisë bëhet vetë-ushqyese.

  1. Emigrimi i të rinjve
  2. Tkurrja e fuqisë punëtore të re
  3. Ulja e kapacitetit të adoptimit teknologjik
  4. Më pak investim teknologjik endogjen
  5. Produktivitet më i ulët (ILO: 18,7 $ për orë, −4,1% në 2025)
  6. Më pak vende pune me produktivitet të lartë (papunësia rinore 17,7%)
  7. Paga më pak konkurruese për pjesën e gjerë të tregut
  8. Stimul më i madh për emigrim, dhe cikli rinis nga hapi 1 (remitancat H1 2026: +16,7%)

Hendeku i parë: demografi–teknologji

Popullsia plaket dhe fuqia punëtore tkurret, ndërsa adoptimi kërkon kapital njerëzor. Mungesa e tij kufizon produktivitetin që teknologjia mund të gjenerojë.

Hendeku i dytë: aftësi–pagë

Mungesa e punëtorëve shtyn pagat lart. Nëse aftësitë nuk përmirësohen me të njëjtin ritëm, rritja e pagave nuk kthehet në rritje produktiviteti.

Së bashku ato formojnë atë që e quajmë “kurthi demografik i produktivitetit”.

10Skenari ilustrues deri në 2031

Ushtrim mekanik: çfarë ndodh nëse ritmi i vitit 2025–2026 vazhdon i pandryshuar pesë vjet.

Ekstrapolim linear i ritmit 2025→2026Nuk është parashikim. Ritmet reale mund të ndryshojnë me migracionin, lindjet dhe kthimet
Treguesi1 janar 2026Ritmi vjetorIlustrim 2031
Popullsia banuese2.335.930−1,16%≈2.203.000
Mosha mediane45,0+0,7 vjet≈48,5
Varësia e të moshuarve35,7%+2,4 pp≈47,7%
Varësia totale59,4%+2,3 pp≈70,9%

Llogaritje ALTAX mbi bazën e të dhënave INSTAT. Për krahasim: Italia, vendi më i vjetër i BE-së, kishte moshë mediane 49,1 vjeç në 1 janar 2025.

Edhe nëse ritmi do të zbutej, drejtimi është i qartë. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e politikës: aftësitë dhe teknologjia duhet të ndërtohen para se popullsia aktive të tkurret më tej.

11Pesë politika prioritare

Zinxhiri që duhet ndërtuar: arsim → aftësi → certifikim → punë → teknologji → produktivitet → pagë.

Politikat, instrumentet dhe treguesit e sugjeruarObjektivat numerikë janë propozime të këtij raporti, jo angazhime ekzistuese
PolitikaInstrumenti kryesorTregues i sugjeruarHorizonti
1. Skills-to-Technology Strategy
Formimi profesional lidhet me teknologjinë që përdor sektori
Programe që mësojnë profesionin dhe teknologjinë që e bën produktiv (CNC, PLC, fotovoltaikë, HVAC smart, mjete AI)Përditësimi i kurrikulës ≥ 6/10 në indeksin ALTAX1–3 vjet
2. Certifikim i transferueshëmCertifikim i krahasueshëm me standardet europiane (EQF), i njohur nga tregu dhe i rëndësishëm edhe për rikthiminCertifikimi EQF ≥ 6/10; numri i të certifikuarve në profesionet kritike1–3 vjet
3. Stimuj fiskalë për aftësiStimuj të lidhur me rezultatet për bizneset që trajnojnë, certifikojnë, rikualifikojnë, punësojnë të rinj, përdorin sistem dual dhe investojnë në teknologjiStimujt fiskalë ≥ 5/10; pjesa e firmave që trajnojnë0–2 vjet
4. Paga të lidhura me produktivitetinPeriudha tranzitore dhe investim teknologjik për sektorët me produktivitet të ulët; rritje e lidhur me aftësinë në sektorët me produktivitet të lartëRritja e kostos njësi të punës kundrejt produktivitetit sipas sektorit2–5 vjet
5. Rikthimi i kapitalit njerëzorDiasporë e kapitalit njerëzor: rikthim profesionistësh, punë në distancë nga Shqipëria, transferim njohurish, certifikim i eksperiencës së fituar jashtë, lidhje me kompanitë shqiptareMbajtja e talenteve ≥ 4/10; numri i profesionistëve të kthyer dhe në punë në distancë1–5 vjet

AI: kompensues, por me kushte

Në një Shqipëri që plaket, AI mund të kompensojë mungesën e fuqisë punëtore, por vetëm nëse ekonomia ka infrastrukturë digjitale, menaxhim modern, staf të trajnuar, procese të standardizuara, të dhëna, kapital dhe aftësi integrimi. Ndryshe, firmat e mëdha dhe më produktive e adoptojnë më shpejt, ndërsa firmat e vogla mbeten pas. Rezultati do të ishte polarizim teknologjik, pastaj i produktivitetit, pastaj i pagave. Të dhënat globale janë të hershme: në kampionin e Nguyen vetëm 221 firma përmendin shprehimisht AI ose machine learning.

12Indeksi i kapacitetit teknologjik

Shqipëria matet sot sipas numrit të njerëzve. Duhet të matet edhe sipas kapacitetit teknologjik të secilit person në punë.

Technology Adoption Capacity Index – AlbaniaPropozim për dhjetë përbërës
PërbërësiTreguesi i propozuarBurimi i mundshëmGjendja e matjes
Struktura moshore e fuqisë punëtoreMosha mediane e të punësuarve; pesha 15–39 vjeçINSTAT, ATFP; vlera e fundit: 45,0 vjeç (2026)Ekziston
Aftësitë digjitale% e të punësuarve me aftësi digjitale bazë ose mbi bazëINSTAT, Eurostat (përdorimi i TIK)Pjesërisht
Pjesëmarrja në trajnime% e të rritur në arsim/trajnim të vazhdueshëmINSTAT, ATFPPjesërisht
Certifikimet profesionaleCertifikime EQF për 1.000 të punësuarALTAX, institucionet e kualifikimeveDuhet ndërtuar
Lidhja arsim–biznesIndeksi ALTAX (aktualisht 4,0/10)ALTAXEkziston
Investimet e firmave në teknologjiInvestim në TIK dhe pajisje për të punësuarINSTAT, anketa e ndërmarrjeveDuhet ndërtuar
Përdorimi i AI% e firmave që raportojnë AI/automatizimAnketa e ndërmarrjeve, Banka BotëroreDuhet ndërtuar
R&DShpenzime R&D si % e PBB-sëINSTATPjesërisht
Produktiviteti për punonjësVSHT për të punësuar, sipas sektoritINSTAT, llogaritë kombëtarePjesërisht
Mbajtja e talenteveIndeksi ALTAX (aktualisht 2,5/10); migracioni neto 25–44 vjeçALTAX, INSTATEkziston

Gjendja e matjes është vlerësim i këtij raporti mbi disponueshmërinë e treguesve dhe duhet konfirmuar me INSTAT përpara ndërtimit të indeksit.

13Përditësimet, kufizimet dhe burimet

Ky version zëvendëson të dhënat e mëparshme me ato më të fundit të publikuara në 2025 ose në gjashtëmujorin e parë 2026, sipas datës së publikimit nga INSTAT dhe burimeve të tjera.

Çfarë u përditësua kundrejt versionit të parë
TreguesiVersioni i parëVlera e përditësuarBurimi dhe data
Paga mesatare bruto≈84.000 lekë (2025)92.150 lekë (T2 2026, +9,8%)INSTAT, 10.09.2026
Paga minimale–50.000 lekë (nga 40.000)nga 1.1.2026
Papunësia rinore 15–2915,0% (T3 2025)17,7% (T2 2026)INSTAT ATFP, 10.09.2026
Papunësia e përgjithshme8,3–8,5% (2025)8,3% (T2 2026)INSTAT, 10.09.2026
ProduktivitetiKostoja e punës €3,8 për orë (2023)PBB për orë 18,7 $ (2025); BE kosto €34,9ILO (Monitor, 18.08.2026); Eurostat 31.03.2026
Pagat sipas sektoritViti 2025 (organizata ndërkombëtare 189 mijë)T2 2026: financa 187.267; TIK 143.528INSTAT, 10.09.2026
Mosha mediane: Italia | Irlanda48,7 | 39,4 (2024)49,1 | 39,6 (1.1.2025)Eurostat
Varësia e të moshuarve në BE–34,5% (1.1.2025)Eurostat
Popullsia, Censi 20112.800.1382.831.741 (krahasimi INSTAT)INSTAT
Remitancat>€1 mld (2024); T4 2025: €302 mln2025: €1.119 mln; H1 2026: €621 mlnBanka e Shqipërisë
Rritja ekonomike–2025: 3,66%; T1 2026: 3,71%; T2 2026: 3,61%INSTAT, 26.03, 29.06, 29.09.2026
Inflacioni–3,2% (gusht 2026)INSTAT, shtator 2026

Pa ndryshim sepse janë më të fundit të disponueshmet: popullsia 1 janar 2026 (INSTAT, 2 qershor 2026), NEET 2025 (INSTAT, 23 qershor 2026), Anketa e Migracionit 2024, indekset ALTAX.

Si duhet lexuar ky raport

  • Indekset ALTAX janë vlerësime analitike, jo statistika zyrtare. Nuk ka version më të ri të publikuar.
  • Paga mesatare: T2 dhe T4 përfshijnë shpërblime gjashtëmujore. Krahasimi i drejtë është T2 me T2.
  • Paga reale dhe produktiviteti janë përafrime (inflacion mesatar T2 ≈3,0%; PBB real si zëvendësues i prodhimit për të punësuar), jo seri zyrtare.
  • ILO: vlerësimet e PBB-së për orë janë të modeluara dhe mund të dallojnë nga llogaritë kombëtare.
  • Krahasimi me BE-në: vlerat më të fundit të Eurostat për moshën mediane dhe varësinë janë të 1 janarit 2025.
  • Paga për orë është përafrim dhe nuk krahasohet me koston e plotë të punës.
  • Nguyen dhe Lehr: gjetjet numerike janë marrë nga analiza origjinale; vetëm ekzistenca e punimit të Nguyen u verifikua.
  • Skenari 2031 është ekstrapolim mekanik, jo prognozë.
  • Publikimi i radhës: INSTAT, pagat dhe Anketa e Forcave të Punës T3 2026, më 10 dhjetor 2026.

Burimet kryesore

  • INSTAT, Popullsia e Shqipërisë, 1 janar 2025 dhe 2026; Cens 2011 dhe 2023.
  • INSTAT, Anketa Tremujore e Forcave të Punës, T2 2026; Tregu i punës 2025.
  • INSTAT, Wage Statistics, T1 2026 dhe T2 2026; ALTAX, analiza e pagave T2 2026.
  • INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto 2025, T1 dhe T2 2026; Indeksi i çmimeve të konsumit, gusht 2026.
  • ILO, produktiviteti i punës 2025 (përmes Monitor); Eurostat, Hourly labour costs 2025; Population structure and ageing.
  • Banka e Shqipërisë, remitancat 2025 dhe H1 2026; INSTAT dhe Banka Botërore, Household Migration Survey 2024.
  • Nils H. Lehr, IMF Working Paper, 2026; Ha Minh Nguyen, IMF Working Paper 26/176, 2026; OECD; K. Wasiluk, University of Konstanz, 2014.
  • ALTAX, “Absurditeti i aftësive dhe polarizimi i pagave”.