Në vendimet e fundit të qeverisë, të cilat kanë fuqinë e ligjit (aktet normative Nr.5 dhe Nr.7), duke u mbështetur në:
- pikën 3 të nenit 11 të Kushtetutës së Shqipërisë, ku thuhet se “Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike”, si dhe
- pikën 1, të nenit 17, ku përmendet se “Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë”
janë krijuar (a) Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe Gazit me objekt pune zbatimin e metodologjisë së përcaktuar në aktin normative për vlerësimin e çmimit tavan për shtijen e gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm duke nrirë edhe shtesat mbi çmimin e shumicës dhe pakicës në % të kostos plus taksave, si dhe (b) Bordi për Transparencën dhe Monitorimin e Çmimit për disa Produkte Ushqimore Bazë…, me objekt pune përcaktimin e rregullave për transparencën dhe monitorimin e çmimit të disa produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg.
Është fakt, se që nga momenti i sulmit rus në Ukrainë, rritja e çmimit të karburantit arriti një kulmim më shumë se çdo precedent rritje në këto tre dekada. Për kundërmasë dhe reagim ndaj shtrenjtimit të ardhëm të kostove operative filluan të aplikonin rritjen e ndjeshme të çmimit të tyre në treg edhe tregtarët e produkteve të ndryshme ushqimore, të lëndëve të para për ndërtim, të mobilerisë etj. dhe rritja filloi të përhapet si epidemi.Në këtë situatë, qeveria e nxitur edhe nga reagimi i qytetarëve pas një hezitimi fillestar dhe në dukje e papërgatitur për ndonjë masë fiskale të gatshme u deklarua për ndërhyrje në treg dhe krijoi bordet duke ndërhyrë në konkurencën e tregut dhe në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konkurencës.
Tashmë janë aktet normative me fuqinë e ligjit, që marrin referencën nga Kushtetuta, si dhe ligji për mbrojtjen e konkurencës.
Në këto kushte dhe ambjent, lidhur me kufizimin e lirisë ekonomike në parim, Gjykata Kushtetuese[1] është shprehur edhe mbi kufizimin e lirisë ekonomike, se “… në jurisprudencën e saj e ka interpretuar gjerësisht konceptin e lirisë së veprimtarisë ekonomike. Sipas saj, kjo liri nënkupton kryesisht të drejtën për të lidhur kontrata, individualisht ose kolektivisht, lirisht dhe mbi bazën e vullnetit personal, të drejtën për të zgjedhur aktivitetin që dëshiron të ushtrojë individi, të drejtën për të zgjedhur një punë sipas preferencës. Kjo liri përfshin të gjitha të drejtat që lidhen me prodhimin, shpërndarjen ose konsumin e mallrave dhe të shërbimeve.
Liria e veprimtarisë ekonomike përmban në vetvete shumë të drejta dhe liri si: liria e biznesit ose aftësia për të krijuar dhe mbyllur një sipërmarrje, liria e tregtisë ose mungesa e barrierave lidhur me importimin dhe eksportimin e mallrave dhe të shërbimeve, liria monetare, si masë për të garantuar qëndrueshmëri të çmimit, liria fiskale mbi të ardhurat qoftë individuale, qoftë ndaj biznesit në mënyrë të veçantë, të drejtat e pronës si aftësi e individëve për të grumbulluar, poseduar dhe disponuar sende, të lirë nga ndërhyrja e shtetit, liria e investimit dhe qarkullimit të lirë të kapitaleve, veçanërisht kapitalit të huaj, liria financiare dhe pavarësia nga kontrolli shtetëror, liria e punës për të ndërvepruar pa kufizime nga shteti (shih vendimet nr. 33, datë 08.06.2016; nr. 14, datë 21.03.2014; nr. 24, datë 24.07.2009 të Gjykatës Kushtetuese).
Gjykata është shprehur, gjithashtu, se liria e veprimtarisë ekonomike përmban edhe detyrimin e shtetit që, nëpërmjet ligjvënësit, të ndërhyjë në rregullimin e kësaj lirie, me qëllim që krahas lirisë së veprimtarisë ekonomike të garantohet edhe parimi i shtetit social dhe i së mirës së përbashkët. Ky detyrim për rregullim i ligjvënësit shprehet nëpërmjet nxjerrjes së normave konkrete juridike, me anë të të cilave synohet disiplinimi i ushtrimit të veprimtarisë së lirë ekonomike në sektorë ose fusha të caktuara. Në këtë rast, shteti duhet të luajë rolin e katalizatorit për realizimin efektiv të lirisë ekonomike, nga njëra anë, dhe mbrojtjes së kësaj lirie, nga ana tjetër. Vetëm shteti mund të arrijë të krijojë mjedisin e vërtetë dhe optimal për ushtrimin e kësaj lirie vetjake, prandaj ai duhet parë si rregullator, me qëllim mbrojtjen e tregut nga deformimet që natyrshëm mund t’i mbartë me vete zhvillimi i lirë i veprimtarisë ekonomike (shih vendimet nr. 33, datë 08.06.2016; nr. 14, datë 21.03.2014; nr. 24 datë 24.07.2009 të Gjykatës Kushtetuese).
Gjykata në lidhje me lirinë ekonomike i është referuar edhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED), për zbatimin e rregullave të konkurrencës, duke theksuar se ashtu sikundër vepron edhe GJED-ja, duhet bërë dallimi mes faktit nëse shteti mund të veprojë duke ushtruar autoritet publik ose duke ndërmarrë kryerjen e aktiviteteve ekonomike të natyrës tregtare, industriale, për të prodhuar dhe ofruar mallra e shërbime në treg. Me qëllim që të arrihet të bëhet ky dallim, është e nevojshme që në çdo çështje të vlerësohet veprimtaria e ushtruar nga shteti dhe të përcaktohet se cilës kategori i përkasin këto aktivitete (shih vendimin nr. 14, datë 21.03.2014 të Gjykatës Kushtetuese).”
Nisur nga ky sqarim, por duke konsideruar detyrat e qeverisë sipas parimeve të mësipërme mbetet detyrë e gjithsecilit të analizojë dhe kërkojë të shprehet lidhur me lirinë ekonomike, funksionin e Bordeve dhe ambjentin ekonomiko-social.
[1] https://www.gjk.gov.al/include_php/previewdoc.php?id_kerkesa_vendimi=3268&nr_vendim=1